GJERASIM QIRIAZI, NJË FARË QË VAZHDON TË NA USHQEJË ME FRYTET E DITURISË

Strumicë, 14.11.2020:

Dua ta ndaj me gjithë juve gëzimin se ja më në fund, atë që kishim pëshpëritur në një rreth të ngusht miqësh e kolegësh, sot mund ta bëjmë publike.
Sot ndodhemi para një guri, që nuk shënjon vetëm vendndodhjen e një varri, por edhe trajektoren e një bote shpirtërore brenda së cilës lëvizi familja Qiriazi.
Në këtë trajektore e gjejmë edhe Gjerasimin, i lindur dhe rritur në Manastir, dhe brenda një moshe relativisht të re, atë e shohim vazhdimisht në lëvizje, kryesisht i ngarkuar me aktivitete që lidheshin me përhapjen e mësimeve ungjillore. Konkretisht, ai drejtoi  bashkësinë ungjillore në gjuhën shqipe qytetin e Manastirit.
Gjerasim Qiriazi jetoi vetëm 35 vite, deri më 24 janar 1884, kur i mbylli sytë për të fundit herë, por porositë që ai ia la të motrës Sevastisë dhe mbarë familjes, për të vazhduar përpjekjet iluministe në emancipimin dhe edukimin e popullit në frymën e shkronjave shqipe, dhanë fryte disa vite më vonë, konkretisht më 1908 kur në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, një ngjarje kjo e madhe kombëtare që kishte kaluar nëpër dyert e shtëpisë së Qiriazve.

Gjerasimi edhe pse nuk e arriti ta përjetojë këtë ngjarje, fryma e tij megjithatë kishte ngelur, madje e gdhendur me shkronjat shqipe në varrin e tij disa vite para Kongresit të Alfabetit. Pra. Gjerasimi nuk ishte dëshmitar i ngjarjeve të bujshme që do të ndodhin më vonë, mirëpo nderimi ndaj tij u bë pikërisht ashtu siç e meritonte ai. Sepse vetëm kështu do të shkonte në vend amaneti i tij për një përparim iluminist, mbi baza të tolerancës me fqinjët dhe mbi vizionin për një të ardhme pa barriera dhe paragjykime në mes të popujve, ashtu siç e shpreh edhe kjo ditë e sotme një realitet me diversitete fetare, ku varret shndërrohen në porosi dhe mision për më shumë afrim dhe tolerancë ndëretnike e ndërfetare.
Siç mund ta shohim, pranë varrit të Gjerazim Qiriazit prehet edhe një bashkëpunëtor i tij i afërt, Gjon Ciko, një librashitës shqiptar. Në gurin e varrit të tij, dikur në Manastir, por tani në Strumicë, shënohet se ai lindi në Korçë, më 1850 dhe vdiq më 1922. Sikundër dihet, Gjon Ciko u përfshi në elitën kulturore të qytetit të Korçës, jo vetëm si shpërndarës i Shkrimit të Shenjtë në shqip, por edhe si drejtuesi i parë i takimeve ungjillore dhe si anëtar i Shoqërisë së Mësimit Shqip në Korçë, e cila u themelua për të mbështetur punën e Mësonjëtores.

Figurat emblematike si kjo e Gjerasim Qiriazit, nuk lindin shpesh, por ato mjaftojnë të na kujtojnë edhe kur nuk jetojnë më, se punët e dobishme janë si fara që hidhet, frytet e së cilës mund të shijohen më vonë. Një prej atyre fryteve e kemi dhuratë edhe nga Gjerazim Qiriazi, sepse drita e diturisë që vazhdon të përhapet gjithandej është një farë e mbjellë prej tij para më shumë se një shekull.

Qoftë i bekuar emri i Gjerazim Qiriazit!

Dr. Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH-Shkup

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …