Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në datën 30.10.2024 (e enjte), organizon edicionin e shtatë të Konferencës shkencore ndërkombëtare të Ballkanologjisë me temën boshte: “Dialogu ndërfetar në Ballkan”, me pjesëmarrje të studiuesve nga të gjitha hapësirat shqiptare, rajoni dhe bota.
Në këtë konferencë synohet që të sillen trajtesa të spikatura shkencore origjinale, për të ndriçuar aspekte të ndryshme historike, gjeopolitike, gjeostrategjike, gjuhësore, letrare, kulturore, etnografike etj.
Tezat e konferencës:
– Historia e dialogut ndërfetar në Ballkan
– Ndikimi i dialogut ndërfetar në ndërtimin e shoqërive shumëkulturore/ ndërkulturore në Ballkan
– Roli i institucioneve fetare në zhvillimin e dialogut ndërfetar
– Komunikimi ndërfetar mes komuniteteve fetare dhe besimtarëve në Ballkan
– Tjetri si përkatësi fetare në Ballkan
– Konvertimi, prozelitizmi dhe dialogu ndërfetar
– Toleranca ndërfetare ndër shqiptarët si model unikal shoqëror
– Roli i shoqërisë civile në zhvillimin e dialogut ndërfetar në Ballkan
– Reflektimi i dialogut ndërfetar në tekstet shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm
– Reflektimi i dialogut ndërfetar në programet studimore të fakulteteve teologjike dhe fakulteteve të shkencave shoqërore
– Dialogu ndërfetar i pasqyruar në folklorin dhe letërsinë e popujve ballkanikë
– Dialogu ndërfetar në veprat e ndryshme kulturore në Ballkan
– Dialogu ndërfetar i Ballkanit krahasuar me dialogun ndërfetar të popujve tjerë
-Të huajt mbi dialogun ndërfetar në Ballkan
– Raportimi mediatik mbi dialogun ndërfetar në Ballkan, etj.
Gjuhët zyrtare të konferencës: shqip, maqedonisht, anglisht.
Për të përgatitur në kohë zhvillimin e konferencës jeni të lutur që deri më 01.07.2024 të dërgoni titullin e kumtesës dhe abstraktin, në të cilin shpjegohet synimi dhe përmbajtja e punimit.
Titulli i kumtesës dhe abstrakti duhet të dërgohen në adresat elektronike: sefertahiri@gmail.com dhe kontakt@itsh.edu.mk
Njoftimi për pranimin do të bëhet brenda pjesë së së parë të tetorit të vitit 2024.
Këshilli organizues
ITShKSh – Shkup,
mars, 2024