FTESË – Konferenca shkencore me temë “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare”

Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve- Shkup (http://www.itsh.edu.mk/) ka nderin që tu ftojë të merrni pjesë në konferencën shkencore me temë “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare.

Konferenca do të organizohet më datën 4 maj të vitit 2020 (e hënë), me fillim në orën 11:00, në ambientet e ITSHKSH-së (ish Ambasada e SHBA-së në Shkup).

Mundësisht, deri më datën 25 mars, në emailin sefertahiri@gmail.com konfirmoni pjesëmarrjen në konferencë dhe na nisni temën e punimit shkencor me të cilin do të prezantoheni.

            Gjatë kësaj konference shkencore, do të mund të prezantohen variacionet e shumta të motiveve të shumta në veshjet tradicionale në trevat shqiptare, si fenomen kulturor përkatësisht vlerë e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale. Konferenca shkencore do të jetë një shkas që të mblidhen dhe prezantohen më shumë të dhëna nga më shumë treva të ndërlidhura me përmbajtje e begatshme të veshjeve tradicionale popullore, meqë paraqesin artefakte të rëndësishme të kulturës popullore, përaktësisht asaj materiale por edhe shpirtërore. Themi materiale pasi ato kanë të bëjnë me artin vizual apo pamor dhe konkretisht janë të përbëra nga materiale të ndryshme konkrete. Ndërkohë, veshjet popullore ngërthejnë në përmbajtjen e tyre edhe një numër të madh të elementeve që i referohen kulturës shpirtërore të një populli të caktuar.

Natyrisht tema e punimit shkencor është përcaktim i Juaj individual dhe mund të përfshijë aspekte të ndryshme të trajtesës së temës bazike në kontekst të ruajtjes,  promovimit dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore-shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë hapësirën shqiptare.

Punimet shkencore do të mund t’i prezantoni edhe në Power point!

Punimet e prezantuara shkencore në konferencën shkencore, gjatë vitit do të botohen në revistën shkencore “SCUPI” (http://www.itsh.edu.mk/scupi-shkarko/), një botim i veçantë i Institutit tonë.

Për çdo pyetje lirisht mund të na shkruani në email.

Duke shpresuar në bashkëpunimin me Ju, paraprakisht Ju falënderojmë.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …