Fjalimi i drejtorit të ITSHKSH-së, Dr. Skender Asani, në manifestimin në Bllacë:
Kur sot jam i nderuar t’ju drejtohem me këtë fjalë të shkurtër, nuk mund ta fsheh jo vetëm kënaqësinë dhe privilegjin, por e kam vështirë t’i fsheh edhe emocionet, sepse më në fund, një ëndërr që kaq vite e kemi kultivuar dhe dëshiruar, sot po e bëjmë realitet. Unë vij sot para jush edhe me emocionet që i kishim kur ditë më parë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e përkujtuam 20-vjetorin e eksodit të Bllacës dhe mezi gjetëm fuqi e fjalë që ta shënojmë atë ngjarje që e tronditi mbarë botën.
E si historian që jam, por edhe si drejtues i Institutit, mund t’ju them se sot ne nuk po vendosim vetëm një gurthemel të një qendre përkujtimore, madje as treni që sot e kemi këtu si shenjë kujtimi për një të kaluar të hidhur nuk është i mjaftueshëm për ta përkapur krejt përkushtimin dhe synimin tonë. Në të vërtetë, ne sot këtu po vendosim të ngremë një qendër që do ta konservojë, ruajë, mbrojë dhe kultivojë krejt kujtesën historike të shumë gjeneratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli.
Për këtë arsye Instituti jonë, me ndihmën edhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit Arbër Ademi, tashmë e ka hapur sektorin e muzeologjisë, që të mund kështu të kujdestarojë në ngritjen e kësaj qendre përkujtimore. Krimet, dhunimet, masakrat, eksodi, pastrimi etnik, janë krejt rrëfime, që mund ta ndërtojnë një mur të madh të kujtimit ose të vajtimit për vuajtjet e popullit shqiptar, të cilat do ta ndërgjegjësonin secilin njeri në botë se gjatë këtij njëqindvjeçari ishte një popull që ishte viktimë dhe ishte një shtet që ishte dhunues dhe agresor.
Prandaj me këtë rast dëshiroj t’ju them se vërtet të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, sepse kjo është përtej fuqisë sonë, por atë mund ta përkujtojmë çdo ditë, që të marrim mësim prej saj dhe të mos lejojmë që ajo të na përsëritet.
Me këtë rast dua ta falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe mikun tim, që është këshilltar i Kryeministrit – z. Jahja Lluka, për përkushtimin e tyre serioz që të arrijmë në këtë ditë. Natyrisht, mirënjohje meriton edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë, jo vetëm për këtë gurthemel, por edhe për krejt çfarë ka bërë që ta ndihmojë popullin shqiptar të Kosovës në kohën kur ata trokitën në derën tonë.
Një ditë emrat tonë mund të harrohen, por kjo qendër do të mbetet pronë e përhershme historike e krejt gjeneratave që vijnë pas nesh.
Urime dhe ju faleminderit!
Dr. Skender Asani,
Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore
e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup
Bllacë, 10.04.2019