Shkup, 14 nëntor 2021 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, filloi edicioni i tretë i manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me temën qendrore: “Gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe”.
Në hapje të manifestimit, drejtori i ITShKSh-së Skender Asani, tha se neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj. “Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët për më shumë se gjashtë shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare”, tha Asani. Sipas tij, ITShKSh me plot vetëdije iu ka qasë temës bosht që lidhet me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe me qëllim të sensibilizimit të opinionit shkencor dhe jo vetëm, që ky komunitet i ynë të shpëtojë nga tendencat e asimilimit që po ndodhin si rezultat i kontaktit me vendasit por edhe i globalizimit në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore.
Fillimin e këtij manifestimi e përshëndeti zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së dhe ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi. Ai tha se përmes këtyre manifestimeve që kanë vënë vulë në krijimin e identitetit shqiptar, ITShKSh në përpikshmëri po e përmbushë misionin për të cilin është themeluar në frymën e Marrëveshje së Ohrit.
Më pas, fjalën e morën rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Luan Përzhita, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, me të cilët ITShKSh kultivon raporte të ngrohta bashkëpunimi në kuadër të trekëndësisht albanologjik Tiranë – Prishtinë – Shkup.
Fjalë rasti në hapje të këtij manifestimi patën edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela dhe drejtori i Agjencisë së Arkikave të Kosovës, Bedri Zyberaj.
Kryeredaktori i edicionit “Ditët e Alfabetit – II”, Sevdail Demiri, promovoi përmbledhjen e botuar me materialet e edicionit të dytë të këtij manifestimi, i cili vitin e kaluar iu kushtua iluministeve shqiptare.
Ndërsa në fund, soprano Besiana Mehmeti, e shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftjari, interpretoi këngën më të moçme shqiptare “Moj e bukura More”, e cila rrënjët i ka thellë në gjenezën arbëreshe.
Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve”, “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, dhe surpriza tjera.