Exhlale Dobruna-Salihu, një jetë kushtuar arkeologjisë

Shkup, 18.11.2020 – Dita e katërt e manifestimit “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh-Shkup, iu kushtua iluministes Exhlale Dobruna Salihu, arkeologe e njohur, një metaforë e sakrificës për arsimin e lartë shqip në vendin tonë dhe sinonim i suksesit të Universitetit të Tetovës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se profesoresha Exhlale dha një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e punës së UT-së që nga themelimi. “Ajo punoi atëherë kur ishte më së vështiri të punohej aty, vetëm e vetëm të arsimoheshin dhe edukoheshin gjeneratat e reja në frymën e shkencës së vërtetë kombëtare. Jemi të nderuar që sot e kemi me ne profesoreshën Exhlale, e cila më së miri e ka argumentuar shkencërisht lidhjen e pandërprerë ilire-arbërore-shqiptare të Shkupit dhe provincës së Dardanisë. Prandaj ajo zë vend të merituar në arkeologjinë shqiptare”, theksoi Asani.

Bedri Muhadri – studiues nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, tha se Exhlale Dobruna rrjedh nga një familje atdhetare gjakovare, e cila kishte kultivuar arsimin dhe kulturën ndër gjenerata të tëra. Ajo i ka bërë shërbim të madh studiuesve të arkeologjisë shqiptare, meqë përmes veprave të saj e njohim më së miri historinë dhe arkeologjinë e Dardanisë.

Zana Hoxha – arkeologe dhe hulumtuese shkencore në degën e Historisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, përmes një video-prezantimi paraqiti një vështrim të gjerë të hulumtimeve shkencore arkeologjike të prof.Exhlale Dobruna-Saliu.

Historiani Besnik Rameti – hulumtues shkencor në ITShKSh, u ndal në disa nga veprat e prof.dr.Exhlale Dobrunës, parë nga rëndësia e tyre në rrafshin historik kombëtar, por edhe në kontributin e dhënën në arsimin e lartë shqip në Maqedoni.

Kurse, arkeologu Sali Islami – asistent hulumtues shkencor në ITShKSh, ritheksoi rëndësinë e studimeve arkeologjike të prof.Exhlales, të cilat janë pikë reference për studiuesit e rinj. Ai në veçanti theksoi kontributin e saj në studimin e artit skulpturor, përkatësisht plastikën dekorative në trevat e Dardanisë.

Në fund, të pranishmëve iu drejtua edhe vetë prof.dr. Exhlale Dobruna-Salihu, e cila u shpreh shumë e kënaqur për organizimin e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, dhe falënderoi Institutin për nderin dhe respektin e treguar ndaj punës dhe veprës së saj.

Ndryshe, dita e nesërme në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet një figure poashtu të madhe të Shkupit dhe mbarë njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza.

Exhlale Dobruna-Salihu, arkeologe

Skender Asani, drejtor i ITSHKSH – Shkup

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

U promovua libri “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”

Shkup – 26.01.2022 – Sot, në mjediset e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të …