Emri i Nënë Terezës, letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë

Emri i Nënë Terezës është letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë, pasi bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se ajo. Kështu u tha sot në Prishtinë, në shënimin e 108-vjetorit të lindjes së Shën Terezës, ku është bërë edhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, dhe ekspozita dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”.

Me këtë rast, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka lavdëruar punën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve që kanë botuar këtë libër në ditëlindjen e Shën Terezës. Ai tha se më e pakta që mund të bëjnë për një person që jetën ia fali dashurisë për të varfrit, të sëmurët është t’ia festojnë ditëlindjen.

Lekaj: Puna e këtij instituti është shembull që ia vlen të ndiqet

“Ky përvjetor, ky libër dhe kjo ekspozitë, që sot e kanë ndërtuar Prishtinën, janë ogur i mirë se kombi jonë shqiptar në Maqedoni është në duar të sigurta. Përkundër paragjykimeve që gjenden gjetiu, puna e këtij instituti, i cili kujdeset për çdo fragment të historisë shqiptare atje, është shembull që ia vlen të ndiqet. Në këtë kuadër, nderimi që ata ia kanë bëjnë Nënës Terezë është dëshmia më e mirë se gjenerata e re në Shkup është e ndërgjegjshme për peshën e madhe historike që bart për afirmimin e kombit shqiptar në Maqedoni. Pa patetizëm dhe folklorizma konflikutoze, por me qasje studimore dhe maturi profesionale, ky institut, ashtu si sot, edhe në të kaluarën na ka bindur se ka vizion dhe strategji për studimin dhe vlerësimin e historisë shqiptare në Maqedoni”, tha ministri Lekaj.

Emri i Nënë Terezës është letërnjoftim i çdo shqiptari në botë sipas ministrit Lekaj, e kjo pasi që ai tha se bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se ajo në botë.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka thënë se sot shqiptarët festojnë ditëlindjen e një  motre të madhe siç është Nënë Tereza.

Gjergji: Sot është ditëlindja e një bije, një motre, një nënë të madhe

“Mos të jemi ata që gjithnjë dhe gjithmonë vajtojmë, por të festojmë. Sot është ditëlindja e një bije, një motre, një nënë të madhe që është Shën Nëna Terezë, e ne si bij dhe bija të saj kemi të drejtë të gëzohemi, ta falënderojmë Zotin, të falënderojmë familjen Bojaxhiu për këtë dhuratë dhe për këtë mundësi që kudo që ka shqiptarë në botë të ndihemi më mirë me Shën Nënën Terezë”, tha ai.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe njëri nga tre autorët e librit, Skender Asani, u shpreh se Shën Tereza ka lënë pas vete mësimin më të mirë se përkundër që u bë nënë e gjithë botës, megjithatë mbeti nëna kombëtare e shqiptarëve.

Asani: Para se të bëhej nënë e të varfërve ishte bijë shqiptare në Shkup

“Askush nuk mund ta mohoj se fëmijëria e saj, edukimi i saj familjar e kombëtar dhe në përgjithësi vitet e qëndrimit në Shkup janë shtylla mbi të cilat ngrihet personaliteti i saj, që arriti t’i fal dashuri gjithë botës. Prandaj, deri sa ne në mesin tonë kemi pasur një bijë që u bë nënë e të gjithë botës, nuk mund të mos mburremi që ajo para se të bëhej nënë e të varfërve dhe e të braktisurve ishte bijë shqiptare në Shkup. Aty ku puqen etnitë, kombet, fetë, kulturat, dhe qytetërimet e ndryshme”, tha ai.

Ai tha se shqiptarët janë komb me fat që e kishin një Nënë Terezë, kurse tha se shqiptarët shkupjan janë dyfish të nderuar që përveç lidhjes etnike e kanë edhe lidhjen gjeografike.

Ndërsa, recensenti Gjon Berisha ka folur lidhur me faktorët që kanë ndikuar që komuniteti i familjeve katolike shqiptare në Shkup të vijë deri në gjendjen që është sot.

Berisha: Shumica e familjeve shqiptare katolike të Shkupit ishin me një të kaluar historike

“E para, janë rrethanat historike dhe i tyre, pra që ka të bëjë me kohezionin dhe qëndrueshmërinë e tyre. E dyta, roli koheziv i kishës katolike dhe tre, qëndrimi i bashkëkombëseve të tyre andej Vardari. Faktori i parë, kuptojmë në këtë rast se shumica e familjeve shqiptare katolike të Shkupit ishin me një të kaluar historike mjaft të lashtë dhe kryesisht si familje zejtare, tregtare dhe intelektual të kohës. Në mesin e këtyre familjeve kemi argjendar, mjek, muzikolog e shumë profesione tjera dhe disa nga këto familje fisnike janë trajtuar në mënyrë të hollësishme nga autorët. Ku në mesin e tyre bëjnë pjesë familja Bojaxhiu, pra e Nënës Terezë, familja Antoni, Gjini, Marku e të tjera”, deklaroi ai.

Në emër të familjeve krishtere në Shkup foli Anoton Serreçi, i cili tha kërkoi ndihmë nga priftërinjtë shqiptar që katolikët e Shkupit të mbijetojnë.

Serreçi: Lus priftërinjtë të na ndihmojnë për mbijetesë

“A mund ta kuptoni se në shekullin 21, në kishën e zemrës së Krishtit në Shkup, ku është pagëzuar, ka marrë kungimin e parë e shenjta Nënë Terezë, ne besimtarët katolik nuk kemi mundësi ta përcjellim meshën e shenjtë në gjuhën e bukur shqipe. Ne që një çerek shekull nuk kemi prift shqiptar, pas amshimit të bariut tanë të madh, rrallë vijnë në kishë shqiptarët, pasi në 25 vitet e fundit nuk u tha asnjë fjalë shqip. Prandaj, shfrytëzoj rastin që të lus Imzot Donë Lush Gjergjin dhe priftërinjtë të cilët shumica prej tyre e kryen shkollën e seminarit të Shkupit të na ndihmojnë për mbijetesë”, deklaroi ai.

Ai tha se ky libër le të jetë një nismë për ndriçimin e historisë së katolikëve shqiptar në Shkup.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.

Nëna Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjt në Vatikan u shpall Shën Tereza. /http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=290046/

VIDEO: https://www.youtube.com/watch?time_continue=3&v=g7Jq1v6hiqY 

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …