EDHE RRUGËTIMIN TONË EURO-ATLANTIK NUK MUND TA SHOHIM TË NDARË NGA KUAZAT E DREJTA TË NËNËS TEREZE

Nga Skender ASANI

Sot sërish këtu në Shkup jemi bërë bashkë për të nderuar kujtimin për një figurë madhore të kombit dhe njerëzimit. Sot na ka bërë bashkë emri dhe lavdia planetare e një gruaje, e cila rrugën e shenjtërimit e filloi nga vendlindja e saj, nga Shkupi ynë. Ajo këtë rrugë e nisi si Gonxhe dhe e përfundoi si Shën Nëna Tereze dhe gjithë këtë hark jetësor ajo e mbushi me dashuri, ngrohtësi, përkujdesje ndaj të vetmuarve, të sëmurve, të pastrehëve.

Në kohën kur jetoi e veproi Nëna Tereze, bota ishte e mbushur me plot njerëz shpresëhumbur, dhe ishin të papërshkruara vuajtjet që përjetonin të gjithë ata që mbeteshin jashtë kujdesit shoqëror. Por, askush nuk e kishte pritur se një grua trupvogël, që nuk posedonte kurrfarë fuqie politike a ekonomike, do të bëhet kandil i pashuar për miliona zemra të thyera. Ajo, me qasjen e butë, paqësore e mirëkuptuese u bë udhërrëyfyese e porosive hyjnore ndaj njerëzimit.

Sot kur kujtojmë 113 vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze, kemi shumë nevojë për fuqinë magjike të këtij udhërrëfimi, sepse trazirat në botë ndodhin më së tepërmi kur prishen balancet në mes të hyjnores dhe tokësores.
Ne edhe sot jemi dëshmitarë të këtyre trazirave, dhe jo shumë larg nga ne, një popull heroik po detyrohet të paguaj shtrenjtë kauzën evropaine, duke kundërshtuar me dinjitet arrogancën hegjemoniste dhe pushtuese të Rusisë. Kjo e fundit, në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare, ka shkelur sovranitetin e Ukrainës, duke imponuar logjikën absurde të mohimit të pavarësisë dhe lirisë së popullit ukrainas.
Por e gjithë bota e civilizuar dhe demokratike, që prej fillimit e ka kundërshtuar këtë aventurë invaduese të Kremlinit, duke u rreshtuar në krah të popullit ukrainas dhe në mbështetje të kauzave evropiane e liridashëse që ky popull i mbron me dinjitet.

Ne si bashkëqytetarë të Nënës Tereze nuk mund të jemi indiferent ndaj padrejtësive që ndodhin në botë. Sepse ajo na ka porositur që gjithmonë të mbajmë anën e më të dobëtit, anën e atyre që jetojnë me nder, një kufi ky që e ndan botën në mes të drejtësisë dhe padrejtësisë, në mes të kaluarës së errët dhe të ardhmes së ndritshme.
Nëna Tereze, duke qenë një besimtare e devotshme, na kishte mësuar të falim, por të mos harrojmë, edhe atëherë kur na bëhet ndonjë padrejtësi e madhe. Vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, në botë do të zhduken vatrat e hakmarrjes, mosdurimit dhe konflikteve abusrde.

Prandaj, edhe ne si Institut tash më e kemi shndërruar në strategji veprimi këtë filozofi jetësore të Nënës Tereze, kurse manifestimi tradicional kulturor-shkencor “ DRITA e GONXHES” që po e organizojmë tash e tri vjet me radhë, dëshmon përkushtimin ndaj kësaj filozofie, kurse për ta kuptuar atë më lehtë kemi revistën me të njejtin emër, e cila tash më është bërë një palimsest i trashëgimisë shpirtërore e humane të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze. Edhe nr. 2 i kësaj reviste, që sapo ka dalur nga shtypi,  e vazhdon traditën e nisur të ruajtjers, sistemimit, artikulimit dhe shumëfishimit të fjalëve e porosive të Nënës Tereze, të cilat vazhdojnë të mbeten një thesar i çmuar i njerëzimit. Ky është edhe vizioni që po ndiqet nga Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze në Institutin tonë, i vetmi i këtij lloji në botë, i cili synon të afirmojë dimensionet shumështresore të kauzave universale të Nënës Tereze, por me një qasje pak a shumë specifike, duke ndriçuar dhe argumentuar para botës edhe disa nuanca jetëshkrimore që i kishte vetëm Gonxhe Bojaxhiu, para se të bëhet Nënë Tereza. Pa këto nuanca Nënë Tereza do të dukej si një lis gjikant pa rrënjë, andaj ne si Institit dhe si Departament, synojmë t’ia paraqesim botës pikturën e plotë me një lis që rrënjët i ka në Shkup, kurse degët në mbarë globin.

Sa me fat duhet të jetë ai vend dhe ai popull i cili në vete mban rrrënjët e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze, por kjo nuk majfton për të nderuar figurën e saj, sepse janë veprat ato që na obligojnë të mbajmë gjallë kujtimin për Nënën Tereze.
Sa më shumë vepra të mira të bëjmë, aq më tepër e arsyetojmë lidhjen me Nënën Tereze, por edhe më tepër i japim hapësirë asaj të vendoset në përmasat e gjëra të universalizmit. Nënë Tereza është pasuri e gjithë botës dhe çdo përvetësim i figurës së saj, i redukton përmasat e misionit të shenjtë  që ajo kishte. Si një shpend shtegtar që është i lirë të ngrejë folenë ku të dojë, edhe Nënë Tereza është e lirë të depërtojë në zemrat e gjithë atyre që kanë nevojë për dorën e ngrohtë të kujdesit dhe fjalëve që sjellin shpresë e optimizëm. Vetëm atëherë kur veprat e mira e gjejnë rrugën e duhur, njerëzimi pahetueshëm do ta kujtoj Nënën Tereze, sepse ajo ishte një urë që lidhte njerëzit edhe atëherë kur ata ishin të hasmëruar. Ajo lidhte të mundurën, me të pamundurën…

Më tepër se kurdo herë tjetër, sot kemi nevojë për ura të tilla, të cilat përpos që shkurtojnë dhe eliminojnë distancat e paragjykimeve në mes të njerëzve, ato i bëjnë edhe më të kalueshme zgjidhjet dhe kompromiset në situata e kriza të caktuara.

Pasi që sot po e nderojmë figurën e Nënës Tereze pikërisht këtu në vendlindjen esaj, atëherë na takon që të nxjerrim edhe mësime nga porositë e saj, madje edhe në kontekstin momental të zhvillimeve politike në vend, kur BE, SHBA, NATO me të drejtë presin nga ne që ta zëjmë trenin evropian, pas ndryshimeve kushtetuese që duhet t’i bëjmë pa humbur kohë. Kjo është edhe një garancë e rrrugëtimit tonë euro-atlantik, sepse çdo rrugë tjetër na shpie atje ku askush nuk do të donte të shkonte.
Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj e dijnë shumë mirë se cili është destinacioni që sjell më shumë progres, paqe e  mirëqenie. Duke qenë të vetëdijshëm për përparësitë  dhe favoret që sjell ky destinacion, ne si vend, si qytetarë dhe si politikë, duhet të  bëhemi bashkë ta evropianozojmë sa më shpejt jetën tonë, kurse të ardhmen ta lidhim përgjithmonë me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n.

Fundja, ky ishte edhe vizioni i Nënës Tereze, prandaj figurën e saj nuk mund ta shohim të ndarë nga kauzat e drejta që ajo i kultivoi deri në minutën e fundit të jetës.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Shkup, 26 gusht 2023

 

 

 

 

 

 

 

 

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …