Dy promovime në Prishtinë të librit me 200 këngë të Ilir Shaqirit

Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Sot në Prishtinë botimi më i ri i ITShKSh-së nga sfera e kulturës muzikore: “200 Këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, me autor dr. Korab Shaqirin, përjetoi dy promovime.

Fillimisht libri u promovua në Kolegjin UBT, ku në emër të botuesit foli kryetari i Këshillit të Institutit, Sevdail Demiri, i cili para të pranishmëve tha se kjo vepër përbën një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore-artistike në rrafsh kombëtar e cila sublimohet në veprimtarinë e bujshme prej disa dekadave të mjeshtrit të madh të këngës shqipe, Ilir Shaqiri.

Rreth vlerave letrare dhe artistike të librit, folën redaktori Arben Veselaj dhe recensentja Kristina Përkola, të cilët vlerësuan lartë këtë libër për fushën e letërsisë dhe muzikologjisë njëkohësisht. Ndërsa, aktivitetin e përshëndeti edhe rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi.

E nën emocion, autori  Korab Shaqiri, tha se ky libër do t’iu shërbejë muzikantëve jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë, për të njohur këtë lloj krijimtarie letrare e muzikore që është krijuar në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Kantautori Ilir Shaqiri, tha se ndjehet i nderuar me rastin e promovimit të këtij libri, dhe se me këtë libër përpos këngëve po vihen në pah edhe ata që i kanë krijuar ato, duke përfshirë autorët e poezisë, muzikës, e orkestracionit.

Ndërsa, në mbrëmje, para një auditori tjetër të zgjedhur, ky libër pati edhe promovimin e dytë – në ambientet e Librarisë “Dukagjini”. Në fjalën e rastit, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, tha se kjo vepër që botohet me siglën e Institutit tonë, është fryt i një bashkëpunimi kreativ me artistin e madh Ilir Shaqiri. “Ne si Institut po hapemi ndaj vlerave dhe prurjeve të krijuesve dhe autorëve që kanë shënuar epokën e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve, ku kënga ishte leva e fuqishme e ngritjes morale të kombit tonë”, u shpreh Asani.

Edhe gjatë promovimit në Librarinë “Dukagjini”, morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe figura tjera publike.

Ky libër iu bë dhuratë nga biri i tij Korabi, këngëtarit të madh Ilir Shaqiri, pikërisht për ditëlindjen e tij.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

U promovua libri “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”

Shkup – 26.01.2022 – Sot, në mjediset e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të …