DRITA E KRISHTLINDJEVE LE T’I JAPË SHKUPIT TONË SHKËLQIMIN E DIKURSHËM!

Fjalë rasti në ceremoninë e shënimit të festës së Krishtlindjeve:

Është një kënaqësi për mua të jem sot para jush miqë të nderuar, në këtë ceremoni solemne për të kremtuar festën e Krishtlindjeve, por edhe për të kujtuar një traditë që dikur ishte pjesë e jetës sonë urbane këtu në Shkupin e Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës e Hasan Prishtinës.

Krishtlindjet, gjithkund në botë shënojnë periudhën më të ngrohtë në jetën e njerëzve, të cilët gjejnë rastin të mblidhen në familje dhe të kremtojnë lindjen e Krishtit, por edhe të shijojnë dhe kompenzojnë ditët e humbura gjatë vitit kur njerëzit nuk kishin mundur të shiheshin në mes veti.

Më vjen shumë mirë që ITSHKSH sivjet, dhe besoj edhe në vitet në vijim, po bëhet një pikëtakim i ngrohtë i njerëzve që duan të jenë pranë njeri tjetrit të frymëzuar edhe nga dashuria për Jezi Krishtin, por edhe për të reflektuar mbi mundësitë tona që për një çast të lëmë mënjanë mëritë, urrejtjet dhe hatërmbejtjet në favor të një energjie përbashkuese midis atyre që duan të jetojnë dinjitetshëm në këtë botë të trazuar nga sfidat e shumta që po na godasin.

Shkupi, si një nyje që bashkon gjeografinë me historinë, lindjen me perendimin, islamin me krishterimin e judaizmin, ka në vetvete një magji që të bën për vete. Kjo magji ka të bëjë me peshën që ka ky qytet i lashtë në rrjedhat e historisë, ku pjesëmarrja e komunitetit shqiptar katolik në këto rrjedha kishte një domethënie të rëndësishme. Të kujtojmë me këtë rast Ipeshkvin e parë Pjetër Bogdanin, një martir i besimit dhe i kauzës liridashëse, pastaj një mori udhëheqësish shpirtëror që kaluan vitet e tyre në shërbim të kishës dhe emnacipimit shoqëror e kulturor, sikundër ishin Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Zef Rama, Gaspër Gjini etj.

Kjo galeri personazhesh nga tradita e jonë e pasur shpirtërore e kulturore prodhoi një vetëdije emancipuese që u ngjiz tek banorët e lashtë të Shkupit dhe kjo lehtësisht mund të shihet nëse iu kthehemi kronikave historike të fundit të shek. 18 dhe fillimit të shek. 19, kur një plejadë fisnikësh shqiptarë, duke iu bashkuar Kishës dhe aspiratave progresive, kishin ndërtuar qysh atëherë një infrastukturë mendore e shpirtërore që duhet ta ketë çdo popull i qytetëruar,.Me këtë rast mjafton të përmendim Teatrin e parë në Shkup që u ngrit në saje të mbështetjes direkte fianciare të Kolë Bojaxhiut, si dhe një mori klubesh, gazetash,e bandash muzikore, të cilat përbënin mozaikun kulturor të Shkupit në prag të Luftës së Parë Botërore.

Ajo çka ndodhi pastaj me Shkupin, është një histori më vete, por me këtë rast më lejoni t’iu kujtoj se Shkupi vazhdon të mbetet pengu më i madh intelektual e shoqëror i yni, dhe si i tillë ky qytet i lashtë, bashkë me shkëlqimin e dikurshëm vazhdon të na ftojë të jemi sërish aty ku dikur Kolë Bojaxhiu dhe bashkëkohanikët e tij, kishte hedhur hapat e parë të emancipimit kulturor dhe vetëdijsimit shoqëror, por tani me një dimension krejt tjetër. Tani, jetojmë në epokën e Nënë Terezës, jetojmë nën kurorat e lavdishme të veprave të saj, që u bënë burim fyrmëzimi për mbarë njerëzimin.

Instituti ynë me shumë dashuri në gjiun e saj ka një Departament që lidhet me trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës dhe kjo është pikënisja ku mund të fillojë reflektimi ynë ndaj traditave të mira që kishte Shkupi i dikurshëm, atëherë kur shkëlqimi i mbrëmjeve të Krishtlindjeve paralajmëronte një agim në horizonin tonë të pritjeve, për një orientim civilizues që na i bashkon vlerat dhe aspiratat evropiane.

Uroj që Krishtlindjet e sivjeme të na gjejnë të gjithëve bashkë pranë të dashurve dhe familjeve tona, kurse ITSHKSH gjithë besimtarëve krishterë ua uron këtë festë sublime, me dëshirë që edhe në vitet e ardhshme të shihemi në të njetin vend dhe në të njejtën datë.

Ju faleminderoj të gjithë që iu bashkuat kësaj ceremonie solemne!

Gëzuar!

Shkup, 23. 12, 2021

Prof.dr. Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH në Shkup

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …