Shkup, 23.11.2018 – Sot Institutin e vizitoi drejtori i Arkivit të Shtetit Shqiptar, dr. Ardit Bido, me bashkëpunëtorë, i cili bashkë me numrin e fundit të revistës “Arkivat shqiptare”, ITSHKSH-së ia dhuroi edhe materialet e ekspozitës arkivore “Një Komb, një ABC”, e cila u hap ditë më parë në Shkup, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Drejtori i ITSHKSH-së, dr. Skender Asani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret mes Institutit dhe Arkivit të Shtetit Shqiptar, i cili bashkëpunim po rezulton me projekte të përbashkëta në drejtim të zhvillimit të kulturës dhe shkencës shqiptarëve në përgjithësi.
Asani dhe Bido biseduan edhe për kalendarin e organizimeve të përbashkëta për vitin 2019, në kuadër të të cilave do të jetë me shumë interes organizimi i një konference shkencore rajonale në Shkup.
Në takim mori pjesë edhe Mehmet Prishtina, pinjolli i familjes atdhetare të Hasan Prishtinës.
Ndryshe, një vit më parë, në Pogradec të Shqipërisë, me rastin e takimit të përbashkët punues mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë. Memorandumi u nënshkrua nga drejtorët respektiv, dr.Skender Asani dhe dr.Ardit Bido, nën kujdesin e kryeministrave Zoran Zaev dhe Edi Rama.