Prishtinë, 04 dhjetor 2021 – Ditë më parë, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani qëndroi në selinë e Ipeshkvisë së Kosovës në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, ku takua me Imzot Dodë Gjergjin – Ipeshkëv i Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime lidhur me të kaluarën e shqiptarëve, veçanërisht atyre të Shkupit, një pjesë e të cilëve janë pjesë e komunitetit katolik, të cilit i takonte edhe familja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.
Drejtori Asani e informoi ipeshkvin Gjergji lidhur me hapjen dhe zgjerimin e Institutit ndaj të gjitha komuniteteve fetare, që kanë kontribuuar ndër shekuj në ndërtimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Me theks të veçantë u bisedua rreth Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës në kuadër të ITShKSh-së, përmes të cilit do të ruhet dhe rivlerësohet kontributi i familjes Bojaxhiu në Shkup.
Të dy palët u dakorduan për të ardhmen të bëjnë një agjendë aktivitetesh me interes të dyanshëm.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të ITShKSh-së, Sevdail Demiri, udhëheqësi i Departamentit të Historisë në ITShKSh, Besnik Rameti, si dhe drejtuesi i revistës fetare – kulturore të Kishës Katolike në Kosovë – “Drita”, Don Fatmir Koliqi.
Në fund, ipeshkvi Gjergji ia dhuroi drejtorit Asani triologjinë e posabotuar me rrëfime “Kthimi”.