Drejtori Asani e vizitoi Komitetin Amerikano-Hebraik në Nju-Jork

Nju Jork, 1.7.2019 – Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, e vizitoi edhe Komitetin Amerikano-Hebraik në Nju-Jork, ku u prit nga drejtori i Marrëdhënieve Ndërreligjioze dhe Ndërgrupore, Rabbi Noam E. Marans, nga drejtori i Marrëdhënieve Diplomatike, Ambasadori Aaron Jacob, si dhe nga Natalia Mahmud – asistente e drejtorit të marrëdhënieve myslimano-hebraike në SHBA. Arsyeja e këtij takimi miqësor ishte këmbimi i përvojave të komunikimit ndërreligjioz në shoqëritë shumëreligjioze, si dhe shqyrtimi i mundësive që një përvojë e tillë të bartet edhe në mjedisin shumëfetar dhe shumetnik të Maqedonisë së Veriut. Nikoqirët e falënderuan Dr. Asanin për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të ndihmojnë me përvojën dhe kapacitetet e tyre për të ndërtuar edhe në Maqedoninë e Veriut një frymë të këtillë të bashkëpunimit dhe komunikimit mes komuniteteve të ndryshme. Dr. Asani, nga ana e tij, i falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe theksoi se, duke e pasur të përbrendësuar edhe “shpirtëroren” në emrin e tij, Instituti po bëhet një qendër e rëndësishme, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, që e ndihmon komunikimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare. Ai u zotua se kjo frymë do të vazhdojë dhe se Instituti mbetet i hapur për të bashkëpunuar edhen të ardhmen me të gjitha institucionet dhe organizatat që veprojnë në këtë fushë.

Shikoni gjithashtu

PRESIDENTJA OSMANI BASHKË ME DREJTORIN E ITSHKSH, SKENDER ASANI, MBOLLËN BREDHIN E NËNË TEREZËS

“Bredhi dedikuar Nënë Tereze simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në …