Pejë, 18.01.2020 – Me rastin e shënimit të 140-vjetorit të Betejës së Nokshiqit dhe mbrojtjes së Plavës e Gucisë nga pushtimi i Malit të Zi, sot nën organizimin e Universitetit “Haxhi Zeka” – Pejë dhe Shoqatës së Intelektualëve të Rugovës – Prishtinë, u mbajt një akademi përkujtimore, me pjesëmarrës të historianëve dhe veprimtarëve të shumtë nga trevat shqiptare.
Në mesin e referuesve të ftuar ishte edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, historiani Dr. Skender Asani.
Në fjalën e rastit, Asani tha se vendimet e hileqare të Kongresit të Berlinit që i njihnin të drejtën Malit të Zi aneksimin e viseve shqiptare, përfshi Plavën e Gucinë, mobilizuan shqiptarët që të kundërshtonin fuqishëm këto vendime, duke zhvilluar beteja heroike në mbrojtje të tokave të tyre stërgjyshore.
“Historia njeh shumë beteja të suksesshme e të pasuksesshme, por janë të rralla ato beteja që dalin fituese, siç ishte ajo e Nokshiqit, kur përballë saj ishte një makineri e tërë diplomatike evropiane dhe një ushtri e organizuar siç ishte ajo e Mbretërisë Malazeze. Në anën e shqiptarëve nuk ishte asnjë aleat, por aleati më i madh i tyre ishte vendosmëria për të rezistuar ndaj një padrejtësie që kishte edhe aminin e Fuqive të Mëdha. Kjo betejë që ishte njëherësh edhe sprova më e sukseshme ushtarake në terren e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nxori në pah shkathtësitë luftarake të shqiptarëve, kurse ne sot me pietet nderojmë figurat e Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Jusuf Sokolit etj. të cilët përpos që ishin bartësit kryesor të kësaj kryengritjeje, ata dëshmuan se në hirin e popullit gjithmonë ndodhen gacat e pashuara të luftës për liri e pavarësi”, tha ndër të tjera Asani.
Ndryshe, Beteja e Nokshiqit që është zhvilluar për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (dhjetor 1879 – janar 1880), ka një rëndësi të madhe dhe është një ndër betejat më të mirë organizuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.