Dr. Asani, pjesëmarrës në takimin vjetor botëror të programit MERRI

Shkup, 17.09.2020 –  Për tri ditë me radhë (15,16,17 shtator), me ftesë të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ishte pjesëmarrës i Takimit të vitit 2020, mbi Edukimin, Qëndrueshmërinë, Respektin dhe Përfshirjen (MERRI). Kjo ishte një ngjarje virtuale botërore në margjinat e 75 vjetorit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe ishte e ndërtuar mbi temat e hulumtuara me qëllim të zhvillimit të lirive fetare në botë. Me ligjëratat e tyre u paraqitën: Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan, Stephen Biegun, ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Bler, Ambasadorja e ShBA-ve për Çështjet Globale të Grave, Kelly Eckels-Currie, i Dërguari Special i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Lirinë e Fesë ose Besimit, Rehman Chishti, etj., ndërsa nga Maqedonia e Veriut mori pjesë edhe ish-ministri i MASH dhe deputet aktual, Arbër Ademi.

“Ftesa për të marrë pjesë në një panel kaq të përzgjedhur, nuk është thjeshtë vetëm aktivitet i imi i radhës, por mbi të gjitha një konfirmim mbresëlënës për punën që po bëjmë si ITSHKSH. Jam tepër i impresionuar me faktin se puna hulumtuese-shkencore e jona po detektohet si një adresë ku bota shkencore, diplomatike e kulturore e botës po e drejton vëmendjen e saj dhe ky është një inkurajim edhe më i madh që të thellojmë përpjekjet në vazhdimin e projekteve e ideve tona. I jam shumë mirënjohës Departamentit të Shtetit të ShBA që në mesin e shumë emrave të shquar të diplomacisë dhe dijes ndërkombëtare, të merrja pjesë edhe unë në këtë takim vjetor të programit MERRI”, theksoi drejtori Asani.

Në këtë takim u konfirmua edhe një herë se arsimi është çelësi për të përgatitur të rinjtë jo vetëm për të zhbllokuar mundësitë ekonomike, por gjithashtu të përballojë sfidat e fanatizmit dhe dhunës, duke bërë të mundur në këtë mënyrë të krijohen parakushte për përparim dhe ndërtim të komunitete më paqësore dhe gjithëpërfshirëse në shekullin 21.

Ky takim tre ditësh pati një agjendë të pasur dhe të ngjeshur, për nga përmbajtja dhe larushia e temave.

Takimi u përmbyll të enjten (17 shtator), me ç’rast u prezantua raporti: “Mësimet e nxjerra dhe Strategjitë / Planet e veprimit nga Sesionet Rajonale të Zbërthimit”, të kryesuar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback, dhe në fund pasuan reflektimet e pjesëmarrësve pas mbylljes së sesioneve.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …