“DITËT E ALFABETIT” – NJË THESAR I ÇMUAR PËR ALBANOLOGJINË

Nga Sevdail DEMIRI, kryeredaktor

 Me rastin e promovimit të botimit “Ditët e Alfabetit”, në kuadër të edicionit të parë të Panairit të Botimeve Albanologjike, mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 4 tetor 2022   

Tani e disa vite me radhë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, organizon manifestime të shumta në përkujtim të njërës nga ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare – Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, mbajtur më 14 – 22 Nëntor të vitit 1908 në Manastir, që sot i bie në kufijtë territorial të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Por, me kalimin e viteve, historia jonë më e re u pasurua edhe me data tjera të rëndësishme në kalendarin e muajit nëntor, në mesin e të cilave edhe datëlindja e themelimit të Institutit tonë në vitin 2007. Kështu, duke e konsideruar relevancën e madhe të këtyre datave dhe ngjarjeve, Këshilli i Institutit, në mbledhjen e 144-të të mbajtur më 6 qershor 2019, vendosi që të organizohet manifestimi i përvitshëm kulturor – shkencor me emrin “Ditët e Alfabetit”.

Koordinator i aktiviteteve të këtij manifestimi, organizuar nga Instituti e të mbështetura nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me ministritë përkatëse, është drejtori i Institutit Skender Asani. Ndërsa, unë Sevdail Demiri – kryeredaktor i edicionit të veçantë, i cili po me këtë emër botohet për çdo vit me përmbledhjen e të gjitha ngjarjeve që lidhen me këtë aktivitet.

Kështu, deri më tani janë botuar dy numra të edicionit “Ditët e Alfabetit” (që ndodhen këtu para nesh), ndërsa në shtyp është edhe numri i tretë, i cili pritet të sheh dritën e botimit këto ditë, dhe do të promovohet në ditën e parë të fillimit të edicionit të katërt të këtij manifestimi më 14 nëntor 2022.

Në fakt, numri i parë i këtij edicioni është pasqyrim i të gjitha aktiviteteve të organizuara nga Instituti ynë me mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik e Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, si dhe Ministrisë së Kulturës, në nëntor të vitit 2019. Gjatë atyre nëntë ditëve, pati aktivitete të ndryshme tematike në Shkup e Manastir, siç janë promovime librash e ekspozitash, tryeza e konferenca shkencore, akademi solemne, etj.

Natyrisht, përpos Institutit shqiptar të Shkupit, në organizimin sa më të suksesshëm të këtij manifestimi, u angazhuan edhe institucione tjera relevante nga vendi dhe rajoni, si: Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe në Shkup, Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë nga Prishtina, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Akademia e Shkencave nga Tirana, Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, si dhe personalitete të ndryshme, dashamirë të kulturës, historisë dhe shkencës shqiptare. Kontributi i gjithsecilit ishte i veçantë dhe shumë i mirëseardhur për mbarëvajtjen sa më të suksesshme të këtyre aktiviteteve.

Duke qenë se vitin 2019 e kishim shpallur si “Viti i Uilsonit”, në nderim të ish-presidentit amerikan Udro Uilson, për herë të parë në Institut e lëshuam në përdorim edhe Sallën “Uilson”, në prani të miqve amerikanë nga vendlindja e presidentit Uilson. Pamja e re dhe shumë frymëzuese e kësaj salle, i dha një shije të veçantë shumicës së aktiviteteve kulturore – shkencore, të cilat u zhvilluan pikërisht në këtë sallë.

Siç do të shihni nëpër faqet e këtij botimi të parë, manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, nisi solemnisht nga Manastiri, më 14 nëntor 2019, me promovimin e librit: “Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908” e autorit David Hosaflook. Pastaj aktivitetet u zhvendosën në sallën “Uilson” në ITSHKSH – Shkup, ku u bë promovimi i librit: “Biseda me Omer Kaleshin” nga autori Luan Starova, ku mori pjesë edhe vetë protagonisti i veprës, Omer Kaleshi. Ditën tjetër, u promovua libri: “Lëvizja Kombëtare Çlirimtare Shqiptare (1890 – 1912)“ e autorit Vllado Popovski. Pastaj, promovimi i edicionit “Scupi” nr. 24: “Kontributi i prof. Remzi Nesimit për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare” dhe i librit: “Remzi Nesimi – Për gjuhën shqipe”. Pasoi promovimi i veprave monumentale të profesor Xhevat Lloshit: “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit” – I dhe II. Më 20 nëntor prapë u kthyem në Manastir, me një Akademi Shkencore, ku morën pjesë krerët e akademive dhe instituteve shkencore nga Shqipëria e Kosova. Më 21 nëntor qendër e aktiviteteve ishte Komuna Çair e Shkupit, para së cilës u vendos busti i ish–presidentit amerikan Uilson. Dhe, në ditën e fundit, më 22 nëntor, u shënua patronazhi i 12–të i ITSHKSH–së, me hapjen e ekspozitës së përhershme “U.Uilson”, dhe shpalljen e bashkëpunëtorëve të jashtëm të Institutit.

Jemi kujdesur që në këtë botim të parë të përfshijmë të gjitha elementet e nevojshme me të cilat u rrumbullakuan ngjarjet e lartcekura. Shumica e referuesve i kanë dërguar fjalimet apo punimet e tyre shkencore në formë të shkruar për botim, për ç’gjë edhe i falënderojmë.

Çdo aktiviteti i paraprinë një informacion gjithëpërfshirës, i mbështetur me fotografi nga ngjarja e caktuar. Pasojnë fjalimet dhe recensionet tematike. Të gjitha këto japin një pasqyrë reale dhe të qartë, jo vetëm se për rëndësinë e atyre ngjarjeve dhe personaliteteve për të cilat flitet, por edhe për shkencën albanologjike dhe arkivistikën shqiptare në veçanti.

Edicioni i dytë i manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i mbajtur në vitin 2020, është botuar gjatë vitit kalendarik 2021, dhe për dallim nga edicioni i parë i cili ishte më i përgjithshëm në aspekt të tematikave të trajtuara, edicioni i dytë filloi të profilizohet dhe të merr për shqyrtim tema më specifike.

Manifestimi i vitit 2020, në fakt iu kushtua femrave iluministe shqiptare, që kanë lënë gjurmë në sfera të ndryshme nëpër rrjedhat e historisë sonë kombëtare. Kështu, përmes tribunave shkencore u nderuan figurat e Parashqevi Qiriazit, Shën Nënë Terezës, Nexhmije Pagarushës e Hanife Sejfulla Reçanit, Olivera Jashar Nastevës, Exhlale Dobruna – Salihut dhe Floresha Dados. Për to folën me kompetencë studiues të njohur dhe personalitete të dëshmuara të jetës akademike, kulturore e shkencore nga Shkupi, Prishtina, Tirana e mërgata. Të gjitha referimet gjatë këtyre aktiviteteve, janë përfshirë në këtë edicion të veçantë të Institutit, me përjashtime shumë të vogla, kur ndonjë autor nuk ka treguar kujdesin e duhur!

Sikurse në botimin e parë, çdo aktiviteti i paraprinë një informacion gjithëpërfshirës, i mbështetur me fotografi nga ngjarja e caktuar. Pasojnë fjalimet dhe recensionet tematike, të cilat japin një pasqyrë të qartë për rëndësinë e atyre ngjarjeve dhe personaliteteve për të cilat flitet.

Konsideroj se me këtë botim, kemi prekur disa pika shumë të rëndësishme të kontributit madhor që kanë dhënë femrat iluministe shqiptare në të gjitha periudhat historike. Studiuesit e shumtë me qasjet e tyre profesionale, i kanë dhënë kuptim angazhimit sublim të femrave shqiptare për zhvillimin, përparimin dhe emancipimin e kombit tonë.

Të theksojmë edhe faktin që për shkak të gjendjes me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid -19, edhe ne ishim të kufizuar me mundësinë që aktivitetet t’i zhvillojmë me kapacitete të plota gjatë vitit 2020. Por megjithatë, shfrytëzuam maksimalisht edhe teknikat e reja digjitale, duke e përçuar kështu në kohë dhe në mënyrë të plotë mesazhin e duhur tek të gjithë ndjekësit e interesuar.

Edicioni i tretë i manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i mbajtur më 14 -22 nëntor 2021, temë qendrore kishte “Gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën arbëreshe”. Ky material si botim, siç theksova në fillim, ka shkuar në shtyp dhe do të promovohet më 14 nëntor.

Shkurtimisht të theksojmë, se tema qendrore e këtij edicioni ishin arbëreshët e Italisë, të shkëputur nga trungu amë për gati gjashtë shekuj, duke përbërë një mrekulli antropologjike në aspekt të ruajtjes së gjuhës arkaike shqipe, të kulturës dhe të traditës së vjetër shqiptare.

Edhe ky aktivitet e pati mbështetjen dhe bashkëpunimin e duhur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike e Tiranës. Por, për rezultatet e këtij edicioni, në veçanti është për t’u theksuar kontributi i madh i studiuesit të njohur prof. Anton Nikë Berisha, të cilin edhe e falënderojmë.

Sidoqoftë, për këtë edicion do të flasim më gjerësisht në kohën e duhur, por ajo që ia vlen të theksojmë si përfundim, është se me këtë seri të re të botimeve tona, po e prezantojmë dhe arkivojmë në mënyrën më të mirë të mundshme një thesar të çmuar kulturor, shkencor e historik për shqiptarët kudo qofshin ata. Ndërsa, vlerën e Kongresit të Manastirit dhe Alfabetit të Gjuhës Shqipe po mëtojmë ta ngremë në nivelin më të lartë të prioriteteve tona shkencore dhe institucionale. Shpresojmë dhe synojmë që me këtë kontribut tonin modest, po vëmë një gur të shëndoshë në zhvillimin e albanologjisë.

Prishtinë, 4 tetor 2022

 

Shikoni gjithashtu

PRIZRENI, “STACIONI” I RADHËS I “DRITËS SË GONXHES”

Prizren, 29 gusht 2023 – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”,  sot zbarkoi në …