Shkup, 15 nëntor 2022 – Sot ka vazhduar dita e dytë e manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, i cili sivjet i kushtohet kryesisht “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”. Si një ngjarje me rëndësi që e organizon ITSHKSH, sesioni i sotëm shkencor u mbajt në hapësirat e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie në mes të Bashkësive, institucion ky që po tregon gatishmëri të vazhdueshme për të mbështetur aktivitetet kulturore-shkencore të ITSHKSH-së.
Sivjet “Ditët e Alfabetit” po mbahen në shenjë të jubileut të rëndësishëm – 50- vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe 15 vjetori i themelimit të ITSHKSH.
Arsyet pse u zgjodh pikërisht tema “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”, janë të shumta, por më hollësisht foli Emin Azemi, udhëheqës i Departamentit të Letërsisë pranë ITSHKSH. Ai tha se interesimi I albanologëve gjermanofonë për historinë e shqiptarëve, në të gjitha dimensionet e saj kulturore, gjuhësore, etno-pikologjike e arkeologjike ka një kronologji të hershme hitorike. Qysh në shekullin XV, kemi veprën e parë për gjuhën shqipe, një Fjalorth, i hartuar nga Arnold von Harff (1497). Në vazhdën e kësaj kronologjie që vazhdon me shek. XVI, vjen edhe një vepër e studiuesit gjerman gjerman: Konrad von Gesner (1555), e cila trajton problematikat historike për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, nënvizoi Azemi. Në vazhdim ai foli për kontributet e albanologëve të tjerë gjermanofonë, siç janë Andrea Muller (1680), Gottfried Wilhelm Leibnitz (1705-1715). Ky I fundit, tha Azemi, ka merita shkencore për arsye se ka trajtuar ndër të parët prejardhjen e gjuhës shqipe.
Sipas Azemit studiuesit gjermanë albanologjinë e kishin shikuar edhe nga prizmi i udhëtimeve që kishin bërë nëpër viset shqiptare dhe kjo ka ndikuar që ata gjuhën shqipe ta shikojnë edhe si një dimension krahasues me gjuhët tjera.
“Konteksti historik, letrar dhe filosofik i studimit shkencor gjerman mbi letersine dhe gjuhen shqipe”, ishte kumtesa e parë e sesionit të sotëm shkencor me autor prof.dr. Teuta Arifin. Sipas saj të flasësh dhe të shkruash për studimet gjermane mbi gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare do të thotë të kthehesh në fillimet e interesimit europian-perendimor për Ballkanin. Për rredhojë, ajo e bën ndarjen e historisë së albanologjisë në tri etapa: e para nga fundi i shek.. XV deri në mesin e shek.. XIX, e dyta nga viti 1854 – 1942 dhe etapa e tretë pas vitit 1945.
Në fokusin e punimit të saj, Teuta Arifi kishte vendosur etapën e dytë të studimeve albanologjike, e cila përkon me zhvillimet specifike në hartën politike të Europës Perendimore, duke u ndalur kryesisht në kontekstin historiko-politik dhe në kontekstin filozofik të këtyre zhvillimeve që patën impakt edhe në studimet gjermane mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare.
“Për studimet tona shqiptare, Herderi është i veçant si ndërtues i trungut të gjuhëve indopvropiane dhe partikularitetin që i jep gjuhës shqipe si ndër të paktat gjuhë të lashta europiane” , nënvizoi Arifi, dhe konstatoi se “Rilindja jonë kombëtare e cila është e njëkohshme me këtë rrrugë të dertimit të kombit gjerman, kanë gjetur inspirim tek mendimet e Herderit. Në parathënien e botmit të parë të veprës “Bleta shqyptare” , autori i saj Thimi Mitko do ta mer si motiv fjalinë e Herderit kur thotë : Një popull nuk mund të çlirohet kurrë nga barbarizmi, përveç se duke zhvilluar gjuhën e vet” .
Në vazhdim të sesionit të sotëm shkencor, diskutoi edhe prof.dr.Qemal Murati, i cili u paraqit me kumtesën: “Norbert Jokl – albanolog i shquar që e pati shqipen mision të jetës së tij”. Ai përkujtoi se sivjet mbushen 145 vjet nga lindja e albanologut të shquar austriak, Norbert Jokli dhe 80 vjet nga shuarja e tij, të cilit albanologia shqiptare i detyron mirënjohjen më të thellë për studimet jo aq të vëllimshme të punës së tij, sa për studimet e thella në truallin gjuhësor të shqipes.
Duke ofruar të dhëna plotësuese mbi portretin e Joklit, prof. Murati në vazhdim tha se ai ka hulumtuar në mënyrë më thelbësore pothuajse të gjitha dukuritë dhe çështjet e shqipes : etimologjinë, fjalëformimin, fonetikën dhe morfologjinë historike, historinë e gjuhës shqipe, përkime midis greqishtes dhe shqipes, përkimet këto-shqiptare, ballkano-gjermanike-shqiptare, maxharo-shqiptare, shqiptaro-iraniane, kulturën e gjuhës, etnografinë, folklorin.
“Kur vlerësohet vepra e Joklit, nuk mund të lihet pa thënë se ai në studimet e tij e ka trajtuar gjerësisht si historinë e brendshme, ashtu edhe atë të jashtme të shqipes (Kotrri 2003), me kompetencë si askush tjetër përpara tij, po edhe pas tij”, nënvizoi prof. Murati.
Albanologu gjerman Norbert Jokli, me të drejt ka qenë në fokusin e interesimit shkencor të shumë studiuesve tanë dhe të huaj. Njëri prej tyre është edhe prof.Albert Riska, i cili përmes një video-lidhjeje paraqiti kumteën e tij me titull: “Shkalla apofonike zero në rindërtime etimologjike nga Norbert Jokli”
Në vazhdim pati edhe një kumtesë, gjithashtu përmes video-lidhjes, e cila sikur plotëson kumtesën paraprake, por nga një këndvështrim tjetër, pasi që bëhet fjalë për albanologun e njejtë.
“Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” – vepra e parë monografike e Norbert Joklit- quhet kumtesa e radhës të cilën e paraqiti profesoreshë Anila Omari nga Tirana.
Në vazhdim u bë fjalë për një albanolog tjetër, por mjaft i qenësishëm, pasi që ai ishte eksploruesi më besnik i viseve shqiptare, prej nga voli një material të bollshëm gjuhësor, etnologjik dhe arkeologjik. Është ky pra Johann Georg von Hahn, për të cilin kumtesë arkelologu Sali Islami nga ITSHKSH me titull: “Kontributi i Johann Georg von Hahn në zbulimet e para arkeologjike në Luginën e Vardarit”.
Sipas Sali Islamit Johann Georg von Hahn është një ndër studiuesit më të famshëm të shekullit XX. Ai me të drejtë konsiderohet si babai i Studimeve albanologjike. Gjatë jetës së tij, ai bëri disa udhëtime në Ballkan, ku përveç rëndësisë dhe ndikimit që ka lënë në gjuhën shqipe, Hahn ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në aspektin gjeografik, historik e arkeologjik. Në udhëtimet e tij, tha Islami, Hahn në shumë raste, për herë të parë ka parë dhe identifikuar shumë lokalitete arkeologjike. Dy veprat e tij: Udhëtimi nga Beogradi në Selanik dhe Udhëtimi nëpër vendet e Drinit dhe Vardarit, do të jenë bazë nga të cilat do të përmbledhim në pika të shkurta kontributin e tij në aspektin arkeologjik.
Jo rrallë studimet e albanologëve gjermanë kanë qenë edhe referenca të besueshme për historianët, pasi që hulumtimet e tyre përbënin faktografi që i bënin studimet hitoriografike më kredibile….
Pikërisht mbi këtë temë është shkruar edhe kumtesa “ Studimet e albanologëve gjermanë si burime historiografike” nga historiani Benik Rameti.
Ai tha se “kur flitet për studiuesit gjerman rreth historis dhe gjuhës së shqiptarëve, natyrisht që mund të thuhet se edhe ato studime u ndërmorën në bazë të motiveve të përgjithshme që përcaktuan interesimin e Evropës shkencore për shqiptarët dhe gjuhën e tyre , por kur fliet për vendin dhe rolin e posaçëm të studimeve gjermane në këtë fushë, duhet bërë e qartë se ato u përcaktuan nga vetë pozita e shkencave përkatëse gjermane të kohës në kuadrin më të gjërë të shkencës evropjane. Vlenë të theksohet se studiuesit gjerman në studimet albanologjike u përcaktuan nga roli zotërues i shkencave historike të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur”, nënvizoi Rameti.