Shkup, 16.09.2022 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, qëndroi u.d. drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Kosovës, Teuta Shala, e shoqëruar nga studiuesit Gjon Berisha dhe Mrika Limani.
Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, i njoftoi mysafirët me projektet shkencore dhe zhvillimore të Institutit shqiptar të Shkupit, një pjesë e të cilëve do të realizohen edhe në bashkëpunim me Institutin e Prishtinës.
“Projektet, konferencat dhe botimet që do të pasojnë, do të jenë alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Shkupi dhe Prishtina përbëjnë transversalen tonë shpirtërore, e cila do të përforcohet edhe më tej, duke integruar një kalendar të përbashkët fushëveprimesh shkencore dhe kulturore”, u shpreh Asani
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Teuta Shala, shprehu gatishmërinë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe kulturore mes Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës, duke i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit të deritashëm ndërinstitucional.
Drejtuesit e dy instituteve shkencore të Shkupit dhe Prishtinës, u dakorduan për konkretizimin e disa projekteve të përbashkëta shkencore në periudhën vijuese.