Dhurohen libra nëpër shkolla e biblioteka me emrin e Hasan Prishtinës

Shkup / Prishtinë, 17.06.2021 – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Hasan Prishtinës-Kryeministër i Shqipërisë (1921), të mërkurën u organizua një aksion për dhurimin librave në disa shkolla dhe institucione që mbajnë emrin e këtij kolosi tonë kombëtar. Ideatori i këtyre aktiviteteve është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili në bashkërendim me veprimtarin dhe studiuesin Mehmet Prishtina, ishin bartës të këtij aksioni.

Në dhurimin librave, përpos ITSHKSH janë bashkangjitur edhe shtëpitë botuese “Armagedoni” (Berat Dakaj) dhe “Faik Konica” (Nazmi Rrahmani) nga Prishtina si dhe shkrimtari dhe gazetari Arben Veselaj.

Bashkë me librat, Mehmet Prishtina ka dhuruar për çdo shkollë edhe një portret të Hasan Prishtinës, punuar nga piktori Bashkim Kabashi me origjina nga Polaci i Drenicës.

Karvani i dhuruesve të librave ka filluar me Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Hasan Prishtina” në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, ku është pritur nga drejtoresha e kësaj shkolle, Drita Islami, e cila ka falënderuar dhuruesit përmes mirënjohjeve. Aksioni ka vazhduar në Prishtinë, në shkollën me të njëjtin emër, me ç’rast drejtoresha e kësaj shkolle, Sofie Bunjaku, ka nderuar gjithashtu me mirënjohje dhuruesit e librave. Edhe biblioteka e shkollës “Drenica” në Polac, është pasuruar me një fond të konsiderueshëm librash dhe kjo është vlerësuar lart nga drejtori Gëzim Gashi, i cili ka nderuar dhuruesit e librave me mirënjohje.

Vizita në Skenderaj përkonte me 22-vjetorin e çlirimit të qytetit, dhe ky ishte një rast i mirë që kjo festë të urohet nga dhuruesit e librave për bibliotekën e këtij qyteti, kurse drejtori i Drejtorisë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Skenderaj, Abdyl Imeri, falënderoi donatorët për dhurimin e librave. Libra të dhuruara shkuan edhe për ShFMU “Hasan Prishtina” në fshatin Tërpezë të Malishevës, ku drejtoresha Emine Krasniqi shprehu falënderimin në emër të nxënësve dhe arsimtarëve përmes mirënjohjeve.

Në Mitrovicë, karvani i dhuruesve të librave ndaloi në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, ku drejtori  Avdulla Bejtullahu gjithashtu ndau mirënjohje për donatorët.

Ndalesa e fundit ishte në Vushtrri, kurse aksioni për dhurimin e librave edhe në këtë qytet përkonte me ditën e çlirimin. Drejtoresha e Kulturës e Komunës së Vushtrrisë, Arta Ismaili dhe drejtori i bibliotekës së “Naim Frashëri”, Izet Miftari, pranuan pakon me libra dhe ndanë mirënjohje.

Prof. dr. Skender Asani duke sublimuar qëllimet fisnike të këtij aksioni gjatë vizitave që iu bënë shkollave dhe institucioneve me emrin e Hasan Prishtinës, vuri në dukje rëndësinë që ka për kulturën dhe arsimin edukimi i mirëfilltë përmes leximit. Ai me këtë rast përçoi mesazhe për unitet dhe mirëkuptim në mes të shqiptarëve, duke vlerësuar se sivjet kur po shënojmë 100 vjetorin e Hasan Prishtinës – Kryeministër i tetë i Shqipërisë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ndodhemi para mbylljes së proceseve të rëndësishme historike, ku shqiptarët si komb dhe sidomos elitat politikat duhet t’i lënë inatet dhe egoizmat partiake që të punojnë në favor të një mendimi dhe veprimi që i bën ata më serioz para faktorëve vendimmarrës. Sepse, siç potencoi Dr. Asani, kjo ka qenë edhe porosia e Hasan Prishtinës që shqiptarët të jenë unik e të bashkuar dhe të dinë në maksimum ta shfrytëzojnë momentumin gjeopolitik për realizimin e synimeve të tyre kombëtare e politike në Ballkan. Ai gjithashtu i njoftoi edhe me rolin dhe kontributin që po jep ITShKSh në artikulimin e temave e ideve me karakter gjithëkombëtar, duke shtuar me këtë rast edhe projektin që sa po është bërë realitet për emërtimin e 150 rrugëve, shesheve e bulevardeve me emrat e shqiptarëve të shquar, në mesin e të cilëve edhe Hasan Prishtina, emrin e të cilit do ta bart bulevardi që lidhë pjesën hyrëse të Maqedonisë nga Kosova deri në afërsi të Kalasë së Shkupit.

?????????????????????????????????????????????????????????

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Deklarata e Pavarësisë amerikane, thelbi i demokracisë

Deklarata e Pavarësisë e nënshkruar më 4 korrik të vitit 1776, është një nga dokumentet …