Zagreb, 30 nëntor 2022 – Deputetja Ermina Leka-Perlaskaj priti sot në Saborin Kroat, drejtorin e ITSHKSH, prof.dr. Skender Asanin, me ç’rast u shkëmbyen përvoja dhe ide për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen në fushën e senzibilizimit të problematikave kulturore e shkencore.
Drejtori Asani e njoftoi deputeten Perlaskaj me disa projekte që pritet të realizohen nga ana e ITSHKSH në vitin e ardhshëm. Ndër të tjera ai përmendi “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky kulturor-shkencor që tash më është tradicional dhe që tubon rreth vetes emra të shquar të albanologjisë dhe fushave tjera.
Vitin e ardhshëm në kuadër të “Ditëve të Alfabetit” temë qëndrore do të jetë komuniteti arbëresh i Zarë, i cili do të trajtohet nga këndvështrime të ndryshme gjuhësore, letrare, etnopsikologjike dhe me këtë rast drejtori Asani kërkoi edhe mbështetjen e deputetes Perlaskaj. Kjo e fundit u zotua se do të angazhohet që përmes bashkëpunimeve që ka me intelektual dhe emra të shquar, si dhe përmes qendrave kulturore shqiptare, çështja e Arbëreshëve të Zarës do të ndriçohet nga disa aspekte.
Ky takim i sotëm u realizuan pasi që deputetja , Ermina Leka-Perlaskaj, disa javë më parë kishte vizituar ITSHKSH në Shkup me ç’rast drejtori Asani dhe deputetja Perlaskaj kishin planifikuar që në të ardhmen të shpeshtohen vizitat e ndërsjella me karakter pune, ku do të spikasin çështjet e karakterit historik, arsimor e kulturor të shqiptarëve në të dyja vendet. Dhe ja në rend dite erdhi çështja kulturore-shkencore e Arbëreshëve të Zarës, si pjesë qendrore e programit të vitit të ardhshëm të “Ditëve të Alfabetit”, që mbahen nga 14-22 nëntor.