Staten Island – Gjatë “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, mbrëmë (13 shtator) Instituti i Trashëgimisë
Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Islame-Shqiptare në Staten Island, pikërisht në selinë e kësaj qendre në Nju-Jork, e organizoi debatin “Roli i Islamit në mbrojtjen e identitetit kombëtar”, duke e promovuar edhe edicionin SCUPI
27, që është një përmbledhje e kumtesave të konferencës me këtë titull, e cila është mbajtur në qershor të këtij viti në Shkup nën organizimin të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e
Kulturore të Shqiptarëve dhe Fakultetin të Shkencave Islame në Shkup.
Panelin e hapi Dr. Tahir Kukaj nga Qendra Kulturore Islame-Shqiptare në Staten Island, njëherazi edhe përfaqësues i myslimanëve në Shtetin e Nju-Jorkut. Ai, në cilësinë e nikoqirit, u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve nga Shkupi dhe, shkurtimisht, foli për rëndësinë e madhe që ka pasur Islami për ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar, duke e theksuar rolin e mirë që ka luajtur edhe për mërgatën shqiptare në Amerikë, duke ndihmuar në kohezionin kombëtar, ruajtjen e vlerave tradicionale shqiptare dhe kultivimin e tyre.
Pastaj në panel u paraqit drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili theksoi se “Islami për shqiptarët në Maqedoni ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.”. Ai në veçanti u ndal në rolin e krerëve fetarë myslimanë në mbrojtjen e popullatës shqiptare gjatë ofensivës së shpërnguljeve të dhunshme, kolonizimit dhe reformës agrare. Si shembull të këtij
përkushtimi ai e veçoi punën e organizatës politike “Xhemijeti”, që gjatë viteve 1919-1925, duke e gjetur mundësinë e vetme të organizimit politik nën ombrellën e identitetit fetar, në të
vërtetë e bëri betejën më të madhe për ta mbrojtur popullatën shqiptare nga presioni i Mbretërisë SKS.
Në fund foli edhe Dr. Zeqirija Ibrahimi – Sekretar Shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i cili e vuri në pah se Islami në mesjetë ka qenë faktor për homogjenizimin e arbërve, mbi çka është gatuar identiteti kombëtar shqiptar në shek. XIX. Ndërkaq, kur foli në kontekst të Maqedonisë, ai tha se: “Shqiptari i Maqedonisë mbeti shqiptar pikërisht sepse ishte mysliman. Nëse e shohim fatin e shqiptarëve ortodoksë, e kuptojmë se përse për shqiptarët Islami ishte mburoja që e pengoi asimilimin dhe brejtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Maqedoni”.
Ndërkaq në shenjë falënderimi për bashkëpunimin korrekt dhe mbështetjen e ofruar, drejtori Asani ia ndau nikoqirit, Dr. Tahir Kukaj, mirënjohjen “Mik i Institutit”.