Tetovë, 2 shtator – Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, iu shtua edhe një doktor shkence. Sot në Universitetin “Fadil Sulejmani” në Tetovës, para komisionit në përbërje: kryetar prof.dr. Zeqirja Idrizi, dhe anëtarët: prof. dr. Fehari Ramadani, prof.dr. Zeqirja Rexhepi, prof.dr. Skender Asani, prof.dr. Isak Sherifi, nën mentorimin e prof. dr. Nebi Dervishit, punëtori shkencor i ITSHKSH-së, Besnik Rameti, mbrojti me sukses tezën e doktoratës me titull: “Pozita e shqiptarëve në Shkup me rrethinë gjatë viteve 1918-1941”, dhe e mori titullin doktor i shkencave të historisë.
Kjo tezë doktorate, që vjen si rezultat i hulumtimeve të shumta arkivore e dokumentare, pasuron këndvështrimin shkencore për një nga periudhat më të ndjeshme të historisë në mes të viteve 1918-1941. Materia që trajton Besnik Rameti kap një kronologji mjaft dinamike të zhvillimit të raporteve në mes të popullatës shqiptare dhe oligarkisë së atëhershme shtetërore, duke filluar nga pozita e shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë gjatë sundimit të Mbretërisë Serbe Kroate dhe Sllovene (SKS), që përfshinë ndarjen administrative dhe territoriale te shqiptarët në Shkup me rrethinë, gjendja ekonomike dhe politike të shqiptarëve në Shkup me rrethinë, pastaj roli i Bashkësisë Fetare Islame, reformat agrare dhe kolonizuese në këtë periudhë, etj.
Në këtë kontekst i bëhet një vështrim i thuktë edhe Lëvizjes kaçake në rrethinën e Shkupit nën udhëheqjen e Adem Bulkut, e cila kanë qenë në kontakt të përhershëm me lëvizjet kaçake të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore.
Gjatë viteve 1936-1938, sipas hulumtimeve të bëra nga historian Besnik Rameti, rezulton se filloi procesi i shpërnguljes së shqiptarëve duke i realizuar të gjitha projektet që dirigjoheshin nga Beogradi, kurse Platforma më e rëndë për zhdukjen e shqiptuarve ishte e akademikut Vaso Çubriloviq.
Gjatë hartimit të këtij punimi të doktoratës, Besnik Rameti është mbështetur në teorinë shkencore dhe metodologjinë e punës kërkimore-shkencore. Janë shfrytëzuar disa metoda shkencore, si analiza, sinteza, krahasimi dhe kriticizmi. Ndërsa metoda përshkruese për shkak të natyrës së punimit do të gjejë zbatim me të gjerë. Për përgatitjen e këtij punimi ambicioz, ai ka shfrytëzuar burime arkivore të botuara dhe të pabotuara, gazetat zyrtare të Mbretërisë SKS dhe Mbretërisë së Jugosllavisë, shtypin ditor të kohës, punime shkencore nga revista të ndryshme, monografi, literaturë të përgjithshme në gjuhën shqipe, serbe, maqedonase.
Punimi i doktoratës “Pozita e shqiptarëve e Shkupit me rrethinë gjatë viteve 1918-1941”, është një përpjekje për të pasqyruar njërën nga periudhat më të vështira të shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë, sundimin e Mbretërisë Jugosllave, të përcjella me një politikë të ashpër shkombëtarizuese, shpërngulje masive, dhunë dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës. Shkupi në atë periudhë ka qenë qendra më e rëndësishme politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore e shqiptarëve që jetonin në territoret e ish Vilajetit të Kosovës. Për këtë shkak, që nga ditët e para të okupimit serb gjatë luftërave ballkanike deri në rënien e Mbretërisë së Jugosllavisë, ndaj qytetit të Shkupit dhe çdo elementi shqiptar brenda dhe jashtë tij, është ushtruar presion dhe dhunë e tmerrshme.
Pa dyshim që kjo temë e disertacionit paraqet një kontribut për zbardhjen e një pjesë të historisë së shqiptarëve në Maqedoni dhe posaçërisht të historisë së Shkupit me rrethinë.