Shkruan: Sefer Tahiri
Ballkani gjithmonë ka qenë hapësirë që ka prodhuar histori, madje siç përsëritet shpesh më shumë se sa mund të konsumojë! Gadishullin Ballkanik më shumë se sa term gjeografik, është i njohur në botë për potencialin e madh që ka pasur dhe fatkeqësisht e ka për beteja mes popujve në të.
Në Ballkan, mbase si në asnjë rajon tjetër është kultivuar miti, legjenda, mbi narrativet mitike janë ngritur teza etnocentrike, teza mbi superioritetin e një identiteti kombëtar apo etnik ndaj identiteteve tjera. Kjo pjesë e gjeografisë globale, duke e bartur me vete, në memorien e tij narrativin historike mbi koncepte nacional- romantike, në periudha të caktuara është përballur me ballafaqime në beteja luftarake, që përveç viktimave dhe dëmeve, mbi të gjitha edhe shumë gjurmë të pashlyera në shpirtin e ballkanasit.
Toka ballkanike, duke qenë peng i miteve, që hiperbolizojnë dhe glorifikojnë vlerat e një kombi karshi tjerëve, në realitet i vuan pasojat e mitologjisë, e mitizimit të historisë, e të shkruarit të saj me tone dhe sintaksë politike dhe jo me gjuhë dhe metodologji faktografike shkencore. Një realitet i tillë, i hidhur shumë, i brumosjes së historisë me të tashmen, me realitetin e sotëm ka befasuar edhe botën civilizuese në vitet 90-ta dhe më pas, pasi Ballkani u shndërrua në atë që njihet realisht në botë si i tillë, si “fuçi baruti”.
Pavarësisht së kaluarës së errët, realitetit të zymtë, i cili çdo ditë prodhon lajme, që me gjysmë goje promovojnë kohezion dhe ndërveprim ekonomik – tregtar e në fusha tjera, por edhe mbi mospajtime, hakmarrje “reciprocitetit” mes shteteve e kombeve, kërkim të drejtësisë në forume dhe organizma ndërkombëtarë, prapëseprapë rrugëtimi i tij duhet të ndjek trajektoren e natyrshme drejt perspektivës.
Pikërisht, nisur nga këto synime, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup në vitin 2018 filloi edicionin e konferencave tradicionale vjetore shkencore të Ballkanologjisë, ndërsa nga punimet e saj botohet revista periodike shkencore “Ballkanologjia”.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ndërmori nismën jo vetëm për organizimin e konferencës, por edhe botimin e revistës që mban të njëjtin emër. Ideja jonë për organizimin dhe zhvillimin e një konference kushtuar Ballkanologjisë ka qenë e kamotshme. Donim t’i mblidhnim tok ballkanologët e ta thonë fjalën e tyre hapur për çështje të ndryshme që i preokupojnë ata. Mëtimi i këtij kuvendi të ballkanologëve është që, duke njohur më mirë njëri-tjetrin në takime të tilla me rezultatet që do të arrijë Seminari ynë, të kalojmë nga një ballkanologji vulgare e politike në një ballkanologji evropiane shkencore, që e ndriçon dhe e thotë të vërtetën, që e afirmon të vërtetën shkencore, që i afron gjuhët, kulturat e religjionet e popujve të Ballkanit e jo që i ndan.
Konferenca Ndërkombëtare e Ballkanologjisë, tashmë është një ngjarje dhe një forum i hapur i debatit shkencor që afron studiuesit me mendje të shëndoshë shkencore dhe që mbulon hendeqet ballkanik. Synojmë që në krye të ballkanistikës të jenë ballkanologët dhe jo pseudoballkanologët.
Me Ballkanologjinë si konferencë dhe revistë shkencore, ne dëshirojnë të nxisim bashkëtakimin e filologëve, historianëve dhe dijetarëve të tjerë të problematikave të Ballkanit që ta mbjellin farën e shëndoshë të shkencës së mirëfilltë ballkanike, jashtë paragjykimeve e primitivizmave sterilë të së kaluarës dhe së tashmes. Prandaj, ndryshe nga stereotipat e kohëve të kaluara, Ballkanologjia synim parësor kishte dhe tashmë e vë në zbatim promovimin e ideve dhe vlerave të reja shkencore ballkanike.
Për këtë qëllim kjo konferencë, në tre edicionet e saj, nga të cilat kanë parë dritën tre numra të Ballkanologjisë, ka tubuar në në tryezë të përbashkët, ballkanistë, specialistë të fushave të ndryshme, të cilët kanë shtjelluar me kompetencë e pa paragjykime për vlerat që i bashkojnë popujt e Ballkanit, për unitetin në diversitet, në mesin e të cilëve një numër i konsiderueshëm përbëjnë edhe punonjësit e Institutit Albanologjik dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike!
Në edicionin e saj të parë, tema e konferencës shkencore ishte e përgjithshme “BALLKANOLOGJIA SOT DHE KOMUNIKIME NDËRBALLKANIKE”, ndërsa në punimet e tyre kanë vënë në pah se rajoni i Evropës Juglindore, vendet dhe popujt, kanë nevojë të madhe që të përforcohet më tutje bashkëpunimi i tyre edhe në fushën kulturore-shoqërore. Vetëm gjuha dhe kultura si dhe disiplinat që lidhen me to krijojnë, siç e dëshmojnë ngjarjet e kohës sonë, kushtet e mirëkuptimit, të fqinjësisë së mirë dhe të besimit reciprok.
Tema e konferencës së dytë shkencore ishte “Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”. Në Maqedoninë e Veriut po se po, por ndoshta edhe më gjerë në Ballkan, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve mund të jetë ndoshta institucioni i vetëm shkencor që është kaq i hapur për tjetrin si përkatësi etnike dhe si përkatësi religjioze në vendin tonë. Në vijën të gjetjes së formulave për komunikim sa më të mirë bashkëkohor ndërkulturor, por pa u shkëputur nga historia, e madje as nga mitologjia, në edicionin e tretë të Ballkanologjisë kemi trajtuar temën “Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës”.
Në fund, do thoja se në konferencat shkencore referuan emra të njohur të shkencës së ballkanologjisë, jo vetëm se shqiptarë, por edhe nga bota akademike kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare. Prandaj, jemi të bindur se rezultatet e kësaj konference janë të lakmueshme, dhe se botimi i këtyre punimeve shkencore në një edicion të veçantë të Institutit tonë i quajtur “Ballkanologjia”, është një mundësi e mirë për referimin e këtyre arritjeve nga studiues të ndryshëm.