Ballkani si ombrellë civilizuese

Fjala e mbajtur në hapje të Konferencës shkencore ndërkombëtare të Ballkanologjisë:

Konferenca shkencore ndërkombëtare që po mbahet sot në Institutin tonë ngërthen një temë mjaft kuptimplote, e cila për studiuesit paraqet gjithmonë burim frymëzimi për hulumtime dhe persiatje nga më të ndryshmet.
BALLKANI MIDIS MITIT, REALITETIT DHE PERSPEKTIVËS kap një dimension të gjerë problematikash dhe ne si drejtues të Institutit jemi munduar që në kuadër të kësaj teme të intrigojmë një debat të shëndosh shkencor, duke absorbuar ato çështje të cilat kanë ngelur të hapura nga e kaluara, e të cilat mund të jenë barrë e së ardhmes.
Ju e dini se Ballkani gjithmonë, siç e ka thënë edhe Çerçili i famshëm, ka prodhur më tepër histori se sa që ka pasur kapacitet ta absorbojë atë. Nga ky këndëvështrim do të thoja se Ballkani ende është një dosje e pambyllur në aspektin e diskurseve gjeopolitike e shkencore. Por, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur pas rrëzimit të Murit të Berlinit, gjegjësisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e prekën edhe Ballkanin, por me një proces paralel, sepse ndodhi edhe demokratizimi i kësaj hapësire, por ndodhën edhe konfliktet e përgjakshme, që si synim kishin pavarësimin e njësive të ish federates jugosllave. Pra, ndodhi pikërisht ajo që e kishte thënë Çerçili, sepse për një kohë relativisht të shkurtër popujt e Ballkanit u desht njëkohësisht edhe të përgatiteshin për pluralizëm politik, por edhe për beteja të reja të armatosura.
Hegjemonia e dikurshme komuniste po shkrihej, por vërshimet socio-politike nga kjo shkrirje ishin të pashmangshme, dhe për rrjedhojë Ballkani pësoi një rinkonfigurim të ri gjeoetnik, ku realiteti I ri po përballej me mitet e vjetra të shekullit nëntëmbëdhjetë për formimin e shteteve kombëtare brenda një ngrehine që po rrëzohej, siç ishte ish Federata jugosllave.
Në fakt, popujt e Ballkani, kush më shumë e kush më pak, gjithmonë kanë qenë peng të mitit, realitetit dhe perspektivës. Më të ngarkuar me mitin kanë qenë ato provinienca politike ballkanike , të cilat kishin ambicje ekspansioniste ndaj popujve më të vegjël, ndërkohë që këta të fundit e projektonin lirinë si një ëndërr që notonte në mjegullat e realitetit.
Tash jemi në një momentum ku pikëtakohet realiteti me perspektivën, kurse Ballkani vazhdon të lundrojë si një cope akulli mbi syprinën e ujërave që trazohen nga lopata e popujve që synon Perëndimin, NATON dhe aleancat euro-atlantike dhe nga dora e padukshme e ndikimeve gjeopolitike që si synim kanë mbajtjen e status quos dhe frenimin e proceseve përafruese në mes të popujve të Ballkanit.
Ombrella civilizuese e Ballkanit vazhdon të jetë evropianizimi i politikave dhe strategjive tona të përbashkëta që si pikësynim ka integrimin kulturor, ekonomik, social brenda një hapësire, ku kufijtë mësohen vetëm si histori, kurse perspektiva trajtohet si pjesë intergrale e mendësisë sonë të re.

Uroj që kjo Konferencë shkencore të jetë një gurë i vogël, por tejet i rëndësishëm që do të shënonte dinamikën e rrugëtimit tonë të përbashkët, drejt vlerave e perspektivave të reja.

Shkup, 23 teror, 2020
Dr. Skender ASANI,
Drejtor i ITShKSh-Shkup

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …