Akademi solemne në 109-vjetorin e Kuvendit të Junikut

Junik, 21.05.2021 – Sot në Junik të Kosovës, me një akademi solemne u përkujtua 109-vjetori i mbajtjes së Kuvendit të Junikut, që konsiderohet njëra nga ngjarjet kryesore që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912.

Këtë solemnitet e nderuan me fjalë rasti: kryetarja e Kosovës Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pjesëtarët e familjeve atdhetare që projektuan Pavarësinë e Shqipërisë me në krye Mehmet Prishtina, nikoqir kryetari i Komunës së Junikut Agron Kuçi, etj.

Fjalë rasti pati edhe drejtori i ITShKSh në Shkup, Skender Asani, i cili theksoi se ajo çka duhet të nxjerrim si mësim nga mesazhi dhe fuqia ndikuese e Kuvendit të Junikut në përshpejtimin e proceseve historike në fillim të shekullit 20-të, është aftësia për t’i shndërruar ngjarjet tona të mëdha  kombëtare në fermentuese të ideve të reja, si nga politikanët, ashtu edhe nga studiuesit.

“Kuvendi i Junikut para 109 viteve mblodhi shqiptarët e të gjitha viseve, pa dallim feje, ideologjie apo krahine dhe ky është mesazhi tjetër që mund t’i shërbejë politikës aktuale shqiptare që ta nxjerr politikbërjen nga provincializmi dhe feudalizmi krahinor dhe ta vendos atë në epiqendrën e interesimit gjithëkombëtar, ashtu siç veproi dikur truri i shqiptarizmës – Hasan Prishtina”, u shpreh Asani.

Në përvjetorin e Kuvendit të Junikut, një pjesë e konsiderueshme e botimeve të ITShKSh-Shkup, iu dhuruan Bibliotekës Komunale “Din Mehmeti” të Junikut.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …