U shënua 117 vjetori i Kongresit të Alfabetit dhe 18 vjetori i themelimit të Institutit

Shkup, 21 nëntor 2025. Në hapësirat e hotelit “Aleksandar Palace”, në sallën që ishte e mbushur plot e përplot me përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues shqiptarë në qeverinë e RMV-së, funksionarë, media, mysafirë të shumtë, punëtorë të Institutit, me një ceremoni solemne, u shënua 117-vjetori i Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 18-vjetori i themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Kjo akademi solemne u organizua nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Hapja e ceremonisë dhe moderimi i së njëjtës u bë nga hulumtuesi ynë shkencor, z. Ardian Ramadani, me ç’rast pas përshëndetjes së të pranishmëve u vlerësua roli dhe kontributi i figurave kryesore të Kongresit të Manastirit, si dhe ajo e Arbën Xhaferit, në drejtim të themelimit të ITSHKSH-së.
Në akademinë solemne, fjala iu dha zv. kryeministrit për politika dhe qeverisje të mirë, z. Arben Fetai, i cili e ndihmoi dhe e mbështeti organizimin e kësaj ngjarjeje. Ai shpalosi para publikut rëndësinë e vendimeve të Kongresit të Manastirit, që hapi një epokë të re për arsimin, letrat dhe kulturën shqiptare. Mes tjerash, ai vlerësoi lartë punën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në promovimin e dijes dhe shkencës, duke e riafirmuar rolin dhe kontributin e intelektualëve të asaj kohe, me në krye ideologun, Arbën Xhaferi, në hapjen e këtij institucioni.
Më pas, fjalën e mori drejtori i ITSHKSH-së, z. Besnik Emini, i cili falënderoi të pranishmit përzemërsisht, si dhe vlerësoi orientimin e përcaktuar nga krerët shqiptarë para 117 vjetëve, në Kongresin e Manastirit, drejt vlerave perëndimore, e përveç kësaj u zotua se ITSHKSH-ja do të përçonte edhe më tej frymën e shkencës, përparimit dhe emancipimit, në një sinergji të plotë dhe koordinim të mirëfilltë.
Në këtë akademi solemne, ishte mysafir nderi edhe ish-ministri i arsimit, i cili kishte dhënë kontribut të madh, së bashku me figurat e tjera, për themelimin e ITSHKSH-së në vitin 2007. Drejtori i ITSHKSH-së, z. Besnik Emini, së bashku me stafin e institutit, në shenjë falënderimi dhe vlerësimi, i ndau me këtë rast mirënjohje z. Sulejman Rushitit, për kontributin e tij në drejtim të themelimit të këtij institucioni.
Së këndejmi, z. Sulejman Rushiti, i emocionuar dhe mirënjohës për vlerësimin e kontributit të tij, përshëndeti të pranishmit, duke e uruar festën e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe shkoqiti një pjesë të kujtimeve të tij në drejtim të themelimit të ITSHKSH-së, si institucion i cili u dha shpresë shqiptarëve në drejtim të valorizimit të vlerave trashëgimore të tyre.
Në akademi, përpos aktiviteteve shënuese dhe kremtuese, u organizua edhe ekspozita “Kongresi dhe shtypshkronja”, kushtuar Shtypshkronjës “Bashkimi i kombit”, më vonë “Shtypshkronja Tregtare Ndërkombëtare” si dhe delegatëve të Kongresit të Manastirit e për të cilën foli, z. Niko Kotherja, studiues i historisë dhe koleksionist shqiptar nga Korça.
Më pas, të pranishmit, kishin mundësinë që të shohin këtë ekspozitë, nga e cila u ndanë shumë të kënaqur.

Shikoni gjithashtu

Përurimi i 11 vëllimeve të kolanës “Mid`hat Frashëri-Vepra të zgjedhura”

Shkup, 18 nëntor 2025. Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në …