Akademi solemne kushtuar 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Shkup, 10.06.2022 – Sot me një akademi solemne organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarve dhe Shoqëria “Lëvizja”, u shënua 144-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si organizata më e fuqishme mbarëkombëtare ushtarake-politike e cila i dha orientim shtetit të pavarur shqiptar në ardhje.

Me këtë rast, drejtori ITShKSh-së Skender Asani, bëri një retrospektivë historike të ngjarjeve që e shënuan epokën e Lidhjes së Prizrenit, e cila veproi në periudhën më të vështirë për kombin tonë me shtrirje të gjerë në të gjithë hapësirën shqiptare.

Në emër të Shoqërisë “Lëvizja” për Maqedoninë e Veriut, foli Mirvan Xhemaili, duke rikujtuar sakrificat sublime të gjeneratave të shumta deri në lëvizjet e fundit çlirimtare me emblemën e UÇK-së.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, tha se në suaza të Lidhjes së Prizrenit ne e shohim edhe veten tonë, si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe, prandaj ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj.

Në fund, kryetari i Shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Bislimi Gjini, tha se Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit, u angazhua dhe luftoi me pushkë e me penë për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës së Shqipërisë, andaj kërkesa, programi dhe lufta e saj për bashkimin e Shqipërisë në një shtet mbetet detyrë mbi detyrat.

Akademia solemne u zbukurua nga një program shumë i pasur artistik i udhëhequr nga grupi i solistëve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …