Shkup ,31.05.2021 – Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, sot në selinë e Rijasetit të BFI-së, i shoqëruar nga drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë pranë Rijasetit të BFI-së, Prof. Jusuf ef. Zimeri dhe Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, H. Irsal ef. Jakupi, priti në vizitë zyrtare Prof. Dr. Skender Asanin – drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i shoqëruar nga Prof. Dr. Sevdail Demiri – kryetar i Këshillit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi – anëtar i Këshillit të Institutit.
Në këtë takim Reisul Ulema i njoftoi mysafirët e çmuar me ecurinë e Bashkësisë Fetare Islame, sfidat dhe peripecitë me të cilat përballet ky institucion. Ai gjithashtu i njoftoi edhe për planet që parashihen të realizohen në të ardhmen, duke e çuar kështu institucionin fetar islam drejt një ardhmërie më të përparuar për komunitetin mysliman në vend dhe diasporë si dhe për shoqërinë në përgjithësi.
Nga ana e tij, drejtori i Institutit e njoftoi Reis Ulemanë për aktivitetet e Institutit dhe planet për kontributin e mëtejmë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Të dyja palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve në të ardhmen.
Nga ana e tyre, mysafirët e falënderuan kryetarin e BFI-së për kohën dhe mikpritjen. Ata e vlerësuan lartë punën e palodhshme e të frytshme të Reisul Ulemasë dhe i dëshiruan atij shëndet të mirë dhe shumë suksese në udhëheqjen institucionit më të lartë islam në vend.
Me këtë rast Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u dhuroi mysafirëve tre botimet e fundit të librave të botuara nga Bashkësia Fetare Islame. /bfi.mk/
