Shkup, 23.10.2020 – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temën boshte “Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës”, në të cilën morën pjesë studiues nga vendit dhe rajoni.
Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, në fjalën e tij tha se konferenca ngërthen një temë mjaft kuptimplote, e cila për studiuesit paraqet gjithmonë burim frymëzimi për hulumtime dhe persiatje nga më të ndryshmet. Ai tha se Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës, kap një dimension të gjerë problematikash dhe ne si drejtues të Institutit jemi munduar që në kuadër të kësaj teme të intrigojmë një debat të shëndosh shkencor, duke absorbuar ato çështje të cilat kanë ngelur të hapura nga e kaluara, e të cilat mund të jenë barrë e së ardhmes. Ballkani gjithmonë, siç e ka ka prodhuar më tepër histori se sa që ka pasur kapacitet ta absorbojë atë. “Nga ky këndvështrim do të thoja se Ballkani ende është një dosje e pambyllur në aspektin e diskurseve gjeopolitike e shkencore. Por, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur pas rrëzimit të Murit të Berlinit, gjegjësisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e prekën edhe Ballkanin, por me një proces paralel, sepse ndodhi edhe demokratizimi i kësaj hapësire, por ndodhën edhe konfliktet e përgjakshme, që si synim kishin pavarësimin e njësive të ish federates jugosllave”, tha drejtori Asani.
Konferencën e përshëndeti zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani, i cili u shpreh se duke u bazuar në përvojën cilësore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në organizimin e konferencave shkencore dhe duke parë listën e pjesëmarrësve dhe punimet e tyre origjinale, do të arrihet synimi i konferencës. “Tejkalimi i miteve dhe paragjykimeve, ballafaqimi me realitetin shoqëror duhet të jenë faktorët kryesorë, që duhet të nda shpiejnë drejt të ardhmes, e cila duhet të jetë e ndërlidhur me zhvillimin global”.
Më pas u zhvilluan punimet shkecore të konferencës, ku me temat e tyre të larmishme, shumica në formatin online, u paraqitën studiuesit: Anton Nikë Berisha, Petar Atanasov, Rizvan Sulejmani, Bahri Beci, Zeqirija Ibrahimi, Sevdail Demiri, Isamedin Azizi, Salajdin Saliu, Ibrahim Gashi, Fransoa Lafon, Fehari Ramadani Dhe Behare Kasami, Minir Ademi, Avni Avdiu, Igor Jurukov, Maja Angellovska – Panova, Ardian Ramadani, Isamet Bakiu, Nevrije B. Ismaili, Sali Islami, Izaim Murtezani, Avzi Mustafa, Anton Pançev, Nexhat Çoçaj, Metin Izeti, Vebi Bexheti, Besnik Emini, Ermal Mehmeti, Jeta Starova-Mehmeti, Laura Papraniku-Bejtullau, etj.
Njëkohësisht u promovua edhe përmbledhja shkencore “BALLKANOLOGJIA – II –”, me materialet e konferencës nga viti i kaluar.
Konferenca shkencore ndërkombëtare “Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës”, mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.