Ankesë ndaj gazetës KOHA, deri te Këshilli i Etikës i Mediave, dhe Këshilli i Nderit i SHGM-së

Ndonëse ITSHKSH tashmë e ka mbyllur polemikën me gazetën KOHA, megjithatë për të nxjerrë në pah të drejtën tonë të pastër si loti, pas sulmit të ashpër dhe tendencioz ndaj nesh, kemi vendosur që njëherë t’i sfidojmë dy institucione profesionale të esnafit të gazetarisë.
Lidhur me qasjen joetike dhe joprofesionale të gazetës KOHA, sot parashtruam ankesë të argumentuar deri te Këshilli i Etikës i Mediave të Maqedonisë së Veriut, si dhe deri te Këshilli i Nderit i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut:

Ankesë ndaj gazetës KOHA
lidhur me tekstet e botuar më 28 dhe 31 gusht 2020

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, gjatë ditëve të fundit ka qenë cak i sulmeve tendencioze, orkestruara dhe të paargumentuara nga ana e gazetës KOHA.

Konsiderojmë se në shkrimin me titull “Instituti që turpëroi shqiptarët”, i publikuar në gazetës e përditshme “KOHA” (botimi i shtypur), më 28 gusht 2020, si dhe online: https://www.koha.mk/instituti-qe-turperoi-shqiptaret/), i cili si shkas ka vendosjen e pllakës përkujtimore për nder të Nënë Terezës, janë publikuar të pavërteta dhe konstatime, të cilat e dëmtojnë autoritetin institucional të Institutit, ndërsa Kodi Etik i Gazetarëve është shkelur në disa nene.

 

Është shkelur neni 1, sepse në shkrim ka pasaktësi:

Në tekstin “Instituti që turpëroi shqiptarët”, theksohet se për projektet e realizuara në vitin 2019: Ballkanologjia, Lëvizjet kulturore në Maqedoni, Xhamitë dhe teqetë, Java e trashëgimisë kulturore, Java kulturore në SHBA, Instituti ka shpenzuar 271.584.900 denarë (shuma e saktë është 2.715.849.00 den)

Buxheti i Institutit jo vetëm që nuk është në përmasa të këtilla financiare, por që të arrihet kjo shumë financiare janë të nevojshme së paku dhjetë vite, ndoshta edhe më shumë, duke përfshirë edhe pagat mujore të të punësuarve, shpenzimet dhe projektet e realizuara nga Institutit. Bëhet fjalë për gabim të qëllimshëm, që ka për qëllim që në opinion të krijojë fotografi të shtrembëruar mbi imazhin dhe kredibilitetin e institucionit. Vërtetim se e dhëna është e pasaktë kemi llogarinë përfundimtare të publikuar në faqen e internetit të Institutit http://www.itsh.edu.mk/llogaria-perfundimtare-2019/

Në shkrim theksohet se “siç merr vesh gazeta KOHA, nga Ministria e Kulturës janë ndarë mjete për 35 botime”! E dhënë e pasaktë dhe tendencioze nga ana e KOHË-s, sepse nga Ministria e Kulturës gjatë vitit 2019, janë mbështetur 8, e jo 35 botime, siç pretendon shkrimi gazetaresk. Konkurset e Ministrisë së Kulturës janë publike dhe këto informacione mund t’i konfirmoni në çdo kohë. (E vërteta është se gjatë vitit 2019, ITSHKSH ka pasur gjithsej 23 botime, nga të cilat 8 kanë qenë të përkrahura nga Ministrisë së Kulturës, kurse tjerat nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës).

 

Është shkelur neni 3, sepse gazeta nuk i publikon sqarimin dhe reagimin/ demantin:

Më 27.08.2020, pas disa reagimeve në rrjetet sociale, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) publikoi sqarimin me titull: “ITSHKSH e ktheu gjuhën amtare të Nënë Terezës në sheshin e Shkupit”, i dërguar tek mediat dhe tek gazeta KOHA në orën 15:48, ditën e njëjtë në adresën e e-mailit (për çfarë kemi dëshmi), ndërsa i publikuar edhe në faqen e internetit të ITSHKSH-së http://www.itsh.edu.mk/sqarim-itshksh-ktheu-gjuhen-amtare-te-nene-terezes-ne-sheshin-e-shkupit/

Në botimin e shtypur të gazetës, ky sqarim nuk është publikuar, ndërsa në faqen e internetit të gazetës publikohet me titull tendencioz: “Asani nuk jep përgjigje, biznesmeni kërkon vet t’i hiqet emri”! (https://www.koha.mk/asani-sjep-pergjegjesi-per-turpinbiznesmeni-

kerkon-vet-ti-hiqet-emri/)

Sqarimi i Institutit, përveç titullit tendencioz është publikuar me komentin hyrës të gazetës, në të cilin thuhet: “Pas reagimeve të shumta të praktikuesve të veprës dhe figurës së Shën Nënë Terezës, intelektualëve përmes gazetës KOHA për shënimin e emrit të biznesmenit Enver Maliqi në pllakën përkujtimore në sheshin e Shkupit, duke mos i bërë ballë presionit mediatik janë dorëzuar edhe Skender Asani edhe Enver Maliqit, duke larguar emrin e këtij të fundit nga bazamenti i shenjtores Nën Tereza. Ndërkohë edhe më tej ka reagime për pamjen estetike të pllakës përkujtimore, dhe mungesës së kryqit në verzionin shqip”.

Pas këtij komenti hyrës, pason letra e Asanit!

Konsiderojmë se publikimi i sqarimit tonë me koment paraprak është shkelje e nenit 3, ndërsa si dëshmi është edhe fakti se shkrimi ka titull tendencioz (“Asani nuk jep përgjegjësi për turpin…), sepse i njëjti nuk përputhet me faktet e ofruara në sqarimin e drejtorit.

Instituti më 28 gusht kishte reagim me titull: “Është e frikshme gjuha antisemite e gazetës KOHA – Shkup”, i publikuar në linkun vijues: http://www.itsh.edu.mk/eshte-e-frikshme-gjuha-antisemite-e-gazetes-koha-shkup-%d0%b7%d0%b0%d1%81%d1%82%d1%80%d0%b0%d1%88%d1%83%d0%b2%d0%b0%d1%87%d0%ba%d0%b8-%d0%b5-%d0%b0%d0%bd%d1%82%d0%b8%d1%81%d0%b5%d0%bc%d0%b8/

I njëjti është publikuar në gazetë dhe në portalin onlajn të gazetës, me atë që temë kryesore jepet komenti i gazetës kundër reagimit të drejtorit Asani.

Më 31 gusht kemi pasur reagimin me titull: “Gazeta KOHA nuk informon, por bën fushatë të orkestruar dhe tendencioze”, i publikuar në linkun vijues http://www.itsh.edu.mk/koha-nuk-po-informon-por-po-ben-fushate-te-orkestruar-tendencioze/

I njëjti nuk është publikuar në gazetë, e as në portalin onlajn të gazetës!

Ajo përgjigje/ reagim nuk është botuar dhe me këtë konsiderojmë se është shkelur nenin 3. Konsiderojmë se motivi është degradimi publik i dinjitetit njerëzor të të punësuarve në Institut dhe rrënimi i imazhit jo vetëm të drejtuesit/ drejtorit të Institutit, por edhe tërë Institutit.

 

Është shkelur neni 10, sepse shkrimi përdor gjuhë të urrejtjes:

Në shkrimin me titull “Instituti që i trupëroi shqiptarët”, konstatohet “Ndërsa punëtorët shkencorë madje kanë vërejtje edhe për humbjen e identitetit kombëtar të Institutit nga shqiptarë në multi-universal. Ato thonë se si mundet një Institut i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të shndërrohet në qendër Holokausti dhe protestantizmi.”

Duke e respektuar të drejtën që burimet të jenë edhe anonime, konsiderojmë se në këtë konstatim ekziston gjuhën e urrejtjes përkatësisht gjuhë antisemite .. Ne si institut e përjetojmë si presion të drejtpërdrejtë që të mos merremi me tragjedinë më të madhe në histori: Holokaustin ndaj Hebreve në Luftën e Dytë Botërore.

Gazeta bën presionin e njëjtë edhe përmes zëdhënësit të Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi, (pjesë e koalicionit “Mundemi” me LSDM-në), i cili në qëndrimin e përcjellë nga ana e gazetë e shtron pyetjen: “Si është e mundur një Institut i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë të transformohet në Institut Holokaustit e protestantizmi”?

Konsiderojmë me narrativin e këtillë, gazeta vihet në shërbim të qendrave, që kanë për qëllim që të stigmatizojnë hebrenjtë, çështjen hebraike, dhe neve si Institut që merremi me ta, që kështu të mund të shpie drejt reagimeve të paimagjinueshme të qarqeve të caktuara ekstremiste, pikërisht duke u bazuar tek gjuha e urrejtje, të cilën e stimulon gazeta KOHA, edhe atë përmes stigmatizimit të objektivave tona si Institut.

Përmes konstatimit të këtillë, gazeta vë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime shkencore, që në mënyrë serioze dhe hulumtuese të merremi me çështjet e lidhura me Holokaustin dhe protestantizmin.

Ne jemi institut transparent dhe jemi të hapur për bashkëpunim me çdo medie, pa përjashtim, ndërsa gjithashtu shpresojmë edhe në bashkëpunim profesional dhe korrekt në të ardhmen edhe me gazetën KOHA, duke respektuar lirinë e fjalës, por edhe përgjegjësinë ndaj të njëjtës.

     Shkup, 3.9.2020

Me respekt,

     IPSH Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve- Shkup

Shikoni gjithashtu

Konferencë shkencore ndërkombëtare: “Dialogu ndërfetar në Ballkan”

Këshilli organizues: Dr. Skender ASANI Dr. Sefer TAHIRI Dr. Zeqirija IBRAHIMI Dr. Izaim MURTEZANI Dr. …