25-vjetori i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Shkup

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne-përkujtimore për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz. Ngjarja u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili – përveç mirëseardhjes – e lexoi edhe kumtesën “Shkupi një degë e vullkanit të pashuar të Adem Jasharit”. Me këtë rast ai theksoi se: “Ne jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit, e patëm edhe në mesin tonë, këtu në Shkupin Dardan në fillm të viteve 90-të. Është meritë e shkupjanëve, parasegjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.”, për të konkluduar se: “Shkupi dhe Adem Jashari do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit.”

Pas tij fjalë rasti mbajti edhe Ambasadori i Kosovës në Shkup, Dr. Florian Qehaja, i cili i ndërmendi sukseset e shtetndërtimit të Kosovës në këtë 25-vjeçar, duke u ndalur veçmas në rolin paqësor që ka FSK-ja në aleancën veri-atlantike.

Mysafire në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Dr. Teuta Shala – Peli, e cila në kumtesën e saj vuri në pah rolin e madh që ka ky përvjetor që e gjen Kosovën të konsoliduar si shtet, duke e realizuar kështu amanetin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Në fund hulumtuesi shkencor i Institutit, Dr. Zeqirija Ibrahimi, e lexoi kumtesën “Ademët e Lirisë”, duke ndërtuar një aluzion me esenë e Erih Fromit “Për padëgjueshmërinë” e Adamit/Ademit, që ishte shkak për fillimi e historisë, të cilën e ndërthuri me Ademët shqiptarë, që ai i kishte regjistruar në emrat e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit. Sipas tij, “Ademët tanë, njësoj si Ademi i Parë ose si Prometheu, e kryen detyrën e tyre. Ata e sollën lirinë dhe na e falën zjarrin e lirisë. Tash mbetet në dorën tonë që mos të arratisemi nga liria, përsëri sipas Fromit, por këtë liri ta ruajmë e kthejmë në mirëqenie.” Në fund ai do të konkludojë se: “Adem Demaçi dhe Adem Jashari nuk janë vetëm emrat e përveçëm të personave që e kishin këtë emër. Madje, mund janë as vetëm emrat e përgjithshëm të atyre që flijuan gjithçka për popullin e tyre. Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë emri i paradigmës së lirisë shqiptare.”

Ngjarja u begatua edhe me pjesëmarrjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, të drejtuar nga artisti Shkodran Tolaj, që la mbresa të veçanta te publiku.

Shikoni gjithashtu

Ekspozita që ndriçon sakrificat për alfabetin dhe identitetin kombëtar shqiptar

Prof. dr. Skender Asani   Ekspozita me temë “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip …