20-vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Shkup, 24.03.2019 – Sot nën organizimin  e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, u shënua 20-vjetori i intervenimit të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se gjatë intervenimit të Aleancës Veriatlantike–NATO, kundër Serbisë, në vitin 1999, si argument kryesor u morë kriza humanitare, por në esencë ishte vazhdimësia e konceptit të presidentit Vilson për vetëvendosje të popujve të vegjël. Kjo për faktin se nga projekti i shekullit XIX, që e realizonte Serbia, e kishte ngulfatur vullnetin e popujve tjerë të Ballkanit që ta ushtrojnë këtë të drejtë të natyrshme. Dhe, vetëm pas intervenimit të NATO-s dhe kapitullimit të Serbisë, popujt ballkanik filluan të frymojnë lirshëm dhe të krijojnë shtetet e tyre të pavarura.

“Sot kur e kujtojmë këtë datë të rëndësishme për ardhmërinë tonë, kujtojmë edhe kontributin dhe sakrificën e mijëra veprimtarëve, luftëtarëve, dëshmorëve e martirëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me rezistencën e tyre aktive, e nxitën 24 marsin dhe të gjitha ndryshmet pozitive që ndodhën në këto treva”, u shpreh Asani.

Edhe drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Sabit Syla, theksoi rëndësinë e 24 marsit të vitit 1999, si një datë e cila bëri ndryshime radikale në historinë më të re të Ballkanit, kur triumfoi e drejta e Kosovës kundrejt regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Para të pranishmëve foli edhe diplomati dhe profesori universitar Agon Demjaha, i cili paraqiti një retrospektivë të ngjarjeve, me fokus të veçantë ndikimin e diplomacisë perëndimore në parandalimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të tij tha se 20 vjet më pas, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe gjithë rajoni, janë në një pozitë më të mirë, në shërbim të paqes dhe prosperitetit.

Ndërsa, lideri I BDI-së, Ali Ahmeti është shprehur se me ndërmarrje e këtij hapi shumë të rëndësishëm nga bashkësia ndërkombëtare, u hap rruga e paqes dhe dialogut, ndërsa Kosova u bë faktor stabiliteti në rajon.

Shikoni gjithashtu

SHKENCA DHE KULTURA, NIVELET MË SUPREME TË VETËDIJES SË NJË SHOQËRIE

Nga Prof.dr. Skender ASANI   Prezantimi i punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të Institutit tonë gjatë …