Shkup, 15 mars 2023 – Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkulturor, një delegacion i hulumtuesve shkencorë të ITSHKSH, në krye me drejtorin, Prof. dr. Skender Asanin, të martën qëndroi në Han të Elezit dhe në Kaçanik, me ç’rast u zhvilluan takime dhe u shkëmbyen mendime e përvoja me drejtues komunal e fetarë të këtyre dy komunave.
Fillimisht, në vigjilje të 24 vjetorit të deportimit të mbi 500 mijë shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë në pranverën e përgjakshme të 1999-tës, delegacioni nga Shkupi u prit nga kryetari i Hanit të Eleziz, Mehmet Ballazhit, me të cilin u bisedua rreth planeve për organizimin e shënimit të 24 vjetorit të eksodit të vitit 1999.
“Përveçse miqësore, vizita e tyre ishte e një rëndësie të veçantë ku miqtë nga Shkupi më njoftuan me veprimtarinë e këtij institucioni, me ç’rast edhe unë i njoftova me trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Hanit të Elezit, duke veçuar Memorialin “Bllaca 99”, i cili është simbol i vuajtjes, sakrificës, por njëkohësisht edhe i qëndresës dhe shpresës shqiptare gjatë viteve 98′-99′ dhe rëndësinë e ngritjes së një Muzeu ku do të tërhiqej edhe interesi i të huajve për t’u njohur me historinë e dhimbshme të dëbimit të shqiptarëve”, deklaroi pas takimit kryetari Ballazhi.
Në këtë takim u arrit dakordimi që Qendra Memoriale kushtuar e eksodit të vitit 1999, që është ngritur me iniciativë të ITSHKSH-së , në brezin kufitar në mës të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të ketë një trajtim më të dinjitetshëm institucional. Kjo qendër përpos rëndësisë historike, ka edhe një rëndësi tjetër që lidhet me kulturën shtetërore të trajtimit të gjenocidit dhe si e tillë ajo në të ardhmen duhet të shndërrohet në një muze që do të tërhiqte edhe vëmendjen e vizitorëve vendorë e të huaj u konstatua në këtë takim. Gjithashtu u propozua që të dy qeveritë në një të ardhme të afërt të përpilojnë një strategji të përbashkët që do të përfshinte gjithë fushëveprimin e kësaj Qendreje Memoriale në kalendarin e datave historike, me ç’rast do të caktohet edhe një datë e cila do të shënohej për çdo vit si ngjarje përkujtimore për të gjitha vuajtjet që kanë përjetuar shqiptarët si pasojë e dëbimeve, dhe spastrimeve etnike. Në këtë mënyrë Memoriali i Bllacës do të shndërrohej në një pikë pelegrinazhi ku do të nderoheshin dhe kujtoheshin viktimat e holokaustit modern nëpër të cilin kaluan shqiptar, u tha gjatë takimit me kryetarin e Hanit të Elezit, z. Ballazhin.
Përfaqësuesit e ITSHKSH pastaj vizituan edhe Komunën e Kaçanikut, të cilët u pritën nga kryetari Besim Iljazi. Ky i fundit u njoftua nga drejtori Asani mbi një kronologji të gjatë aktivitetesh e veprimtarish të ITSHKSH, me ç’rast u bisedua edhe për një mundësi bashkëpunimi institucional, pasi që treva e Kaçanikut paraqet një aset vlerash materiale e kulturore, të cilat meritojnë një eksplorim më të detajuar.
Kryetari Iljazi i njoftoi hulumtuesit shkencorë nga Shkupi edhe me punën që është duke u bërë në formimin e Muzeut të Qytetit
I të njëjtit karakter ishte edhe takimi me Myftiun e Kaçanikut, Fidaim Fazliu, i cili gjithashtu ofroi bashkëpunim në fushën e hulumtimit shkencor të trashëgimisë shpirtërore e kulturore nga kjo trevë, ku ITSHKSH do të shqyrtoj mundësitë e përfshirjes në këto hulumtime.
Në të ardhmen ITSHKSH o të realizojë vizita të tilla edhe në qendra të tjera komunale në hapësirën shqiptare në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, me qëllim të njohjes nga afër me vlerat e trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore.