11 MARSI 1981, KUFIRI QË NDAN INFERIORITETIN NGA NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR!

-Fjalë rasti në solemnitetin: Pranvera e dinjitetit 1981
Demonstratat studentore që ndodhën para plot 40 viteve, konkretisht më 11 mars të vitit 1981 hapën një proces të pandalshëm në zhvillimin e betejave vetëdijësuese politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Këto ngjarje epiqendrën e patën në Kosovë, por ato e zgjeruan ndikimin e tyre edhe në hapësirat tjera shqiptare në ish –Jugosllavi.
Viti 1981 përpos që shënon fillimin e një epoke të re në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve, ai shënon edhe kufirin në mës dy mentaliteteve politike të asaj kohe: në njërën anë kishim mendësinë burokratike të politikanëve të etabluar në sistemin ish-Jugosllav që angazhoheshin për njëfarë status-quoje, të cilët kundërshtonin çfarëdo lloj ndyrshimi dhe, në anën tjetër kemi rininë studentore të prirë nga një shtresë revolucinarësh politikë që ishin kalitur në ilegalitet, të cilët më vonë do të bëhen edhe bartës të proceseve të rëndësishme, që u kurorëzuan me kryengritjen e armatosur, fillimisht në Kosovë, dhe pastaj në Maqedini dhe në Luginë të Preshevës.
Pëpjeket e shqiptarëve për liri e pavarësi nuk kanë pushuar asnjëherë, prandaj edhe politikat hegjemoniste të fqinjëve tanë ishin të orientuara drejt ngulfatjes së këtyre përpjekjeve. Shikuar historikisht, ballafaqimi i shqiptarëve me fqinjët grabitqarë ka ndodhur në ato momente kur thyheshin shtizat e gjeopolitikës ballkanike, duke filluar që nga Beteja e Kumanovës e tetorit të vitit 1912, e cila shënon ngritjen e hegjemonisë serbe në kufinjtë e vizatuar në hartën e re ekspansioniste, ku trojet shqiptare iu nënshtruan një ripushtimi arbitrar pas ikjes së forcave osmane nga kjo pjesë e Ballkanit.
Gjenerata të tëra shqiptarësh u rritën duke rezistuar dhe kundërshtuar këta kufinj arbitrarë, prandaj ne sot kujtojmë vitin 1981, i cili erdhi si rrjedhojë e këtyre aspiratave kombëtare të shqiptarëve, kurse Kumanova sërish u rikthye si nocion gjeopolitik në vitin 1999, por me një simbolikë tjetër, sepse aty u gjunjëzua ajo krijesë që ishte ngritur padrejtëisht mbi tokat shqiptare.
Megjithatë, asnjëherë nuk duhet neglizhuar përpjekjet djallëzore të Serbisë dhe aleatëve të saj për një rikthim tjetër, por tani në një formë më të sofistikuar, duke intensfikuar përçarjen brendashqiptare, si instrument për të dobësuar efikasitetin e veprimit politik e institucionaltë shqiptarëve.
Refuzimi kategorik i këtyre makinacioneve antishqiptare mund të arrihet nëse kohezioni brenda shqiptar demonstron një pjekuri për të bashkëpunuar mbi çështjet që janë jetike për të ardhmen e kombit shqiptar në Ballkan.
Në anën tjetër, ne sot kujtojmë vitin 1981 edhe si piedestal ngjarjesh revolucionare që u fermentuan në vetëdijen politike pas gjithë atyre organizimeve ilegale, duke filluar nga periudha e pas LDB, ku nuk munguan programet dhe doktrinat politike që si piksynim kishin bashkimin e gjithë shqiptarëve në një një shtet të vetëm.
11marsi vitit 1981 dhe ngjarjet që pasuan në muajt vijues, nuk ishin të rastësishme dhe stihike, siç janë munduar t’i kualifikojnë disa. Ato patën rrjedhën dhe empirinë e tyre, por mbi të gjitha patën kauzën themelore që kishte si lajtmotiv Kosovën Republikë.
Demonstrat e 81-shit u organizuan nga gjenerata më e ndërgjegshme e kombit dhe për rrjedhojë ajo gjeneratë u tregua vigjilente edhe në proceset e mëvonshme që kulmuan me Ushtrinë çlrimitare të Kosovës, si provim pjekurie para sprovave të rënda që impononin ndryshim radikal të gjeopolitikës rajonale, ku u involvuan edhe faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshi SHBA-NATO dhe shtet e BE-së. Produkt i këtij ndryshimi është shteti i Kosovës i cili erdhi si rrjedhojë logjike e rezistencës politike e ushtarake të shqiptarëve.
Gjenerata e ndritshme e 81-shit ka mision historik t’i mbyllë proceset e filluara, por kjo është e mundshme vetëm duke u përgjigjur në një pyetje të thjeshtë : çka duam? Sepse këtë përgjigje e presin edhe miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.
Uniteti dhe mirëkuptimi brendashqiptar është i domosdoshëm për të arritur rrumbullaksimin e proceseve, që nënkupton konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të statusit të shqiptarëve gjithkund ku ata ndodhen.
40 vjetori i demonstratave të 81-shit, sivjet përkon edhe me një iniciativë të Qytetit të Shkupit , që tash më është shëndërruar në vendim, për riemërtimin e rrugëve dhe bulevradeve, me ç’rast një nga rrugët e kryeqyteti do të mbaj emrin “11 Marsi”, si datë që memoron lavdinë dhe krenarinë tonë, dhe në këtë mënyrë po e institucionalizojmë kujtesën historike, jo thjeshtë si një material arkivor, por më tepër si motivim për ide e punë produktive që do të jenë në interes të gjeneratve që do të vinë pas nesh.
Shkup, 11 mars 2021
Dr. Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH në Shkup

Shikoni gjithashtu

MOTHER TERESA COMMITTED TO THE IDEA THAT THE MAN SHOULD NOT REMAIN LIKE A SKELETON WITHOUT HUMAN FEELINGS

  According to Mother Teresa, human nature needs the spiritual side more than the material, …