U promovua libri: “VEPRIMTARIA ATDHETARE E HASAN PRISHTINËS (DOKUMENTE)”


baaaShkup –
Të dielën (07.10.2012), në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, u promovua libri me dokumente “VEPRIMTARIA ATDHETARE E HASAN PRISHTINËS (DOKUMENTE)”.

Posaçërisht interesant është dokumenti i një diplomati italian që për herë të parë është zbuluar në arkivat në Shkup. Ky dokument tregon se edhe pse kanë qenë kundërshtar të mëdhenj, Hasan Prishtina dhe mbreti Ahmet Zogu në vitin 1931 janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë mes veti në interes të çështjes së Kosovës.

Drejtori  i ITSHKSHM-së, Dr.Shefqet Zekolli, theksoi angazhimin e institutit për zbardhjen e fakteve të reja të dokumentuara shkencore që zbardhin veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se me këtë botim dhe aktivitetet e tjera që do të pasojnë javën e ardhshme, synojmë në rikthimin e borxhit që shkupjanët kanë ndaj figurës së madhe të Hasan Prishtinës, i cili deshi që Shkupi të bëhej kryeqendër e Shqipërisë.

Njëra nga recensentët e librit,  Prof.Dr. Vasilka Sancin nga Universiteti i Lubjanës, tha se figura shumëdimensionale e Hasan Prishtinës është prezantuar në mënyrën më të denjë në këtë libër shkencor, ku për herë të parë dalin në dritë edhe dokumente të reja lidhur me veprimtarinë e tij.

Recensenti tjetër, Prof.Dr. Blerim Reka nga UEJL, theksoi se idetë politike, diplomatike e arsimore të Hasan Prishtinës, ishin vazhdimësi e rilindësve tanë për mirëqenin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnik.

1Pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës, Mr. Mehmet Prishtina, theksoi se kohën e fundit janë bashkërenduar disa aktivitete të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbardhjen e figurës së madhe atdhetare të Hasan Prishtinës. Janë shkruar libra, janë bërë dokumentarë, janë ngritur shtatore të tij në Tiranë e Prishtinë, dhe brenda javës së ardhshme një shtatore e Hasan Prishtinës do të ngrihet edhe në Shkup, në qytetin që Hasan Prishtina e deshi aq shumë.

Edhe Mr.Skender Asani dhe Dr.Sefer Tahiri, theksuan rëndësinë historike të dokumenteve të reja të cilat gjenden në këtë botim, dhe që ndriçojnë fakte të reja historike për figurën emblematike të Hasan Prishtinës.

2Libri “VEPRIMTARIA ATDHETARE E HASAN PRISHTINËS (DOKUMENTE)”, është botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.

Përzgjedhja dhe redaktimi i dokumenteve është bërë nga: Mr. Skender Asani, Mr. Mehmet Prishtina dhe Dr. Sefer Tahiri. Kurse, recensentë janë Prof.Dr. Vasilka Sancin (Universiteti i Lubjanës), Prof.Dr. Blerim Reka (UEJL) dhe Dr. Naim Halimi (ITSHK).

Promovimi u përcoll me këngë artistike të interpretuara nga grupi Xheriko.

Promovimi i librit “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës” është në kuadër të manifestimeve të shumta kushtuar kësaj figure historike, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Javën e ardhshme do të mbahet edhe një akademi shkencore kushtuar jetës dhe veprës së tij, kurse më 14 tetor busti i Hasan Prishtinës do të vendoset në qendër të Shkupit, afër sheshit Skënderbeu.

 

……………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

NA PRET NJË UDHËTIM I GJATË SHKENCOR NGA GONXHE BOJAXHIU TEK NËNË TEREZA

Fjalimi i drejtorit të ITSHKSH-Shkup, Dr. Skender Asani, me rastin e hapjes zyrtare të Departamentit të …

Lini një Përgjigje