TAKTIKAT E SHILEGOVIT BRENDA STRATEGJISË SË GRUEVIZMIT!

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, në vend se të rishikoj edhe një herë ndryshimin që është bërë në sheshin kryeqytetit, ku për pasojë janë hequr themelet e shtëpisë së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, e njohur botërisht si Nënë Tereza, dhe është bllokuar qasja përmes një parku deri te pllaka përkujtimore për Nënë Terezën, ai thellohet edhe më tej në gabime, duke përdorur standarde të dyfishta, sa i përket pronës, sipas të cilit dikush nuk mundet të ndërtojë, kurse dikush tjetër mundet të bëjë park.

Ne si ITSHKSH jemi kundër gjithë atyre që në emër të pronës private duan të përvetësojnë një hapësirë që nuk iu takon atyre, sepse vendi ku ka lindur dhe kaluar rininë Nënë Tereza, është i shenjtë dhe në atë vend, përpos objekteve që përkujtojnë këtë histori familjare, nuk ka vend për asgjë tjetër.

Na vjen keq që kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, del kaq i papërgatitur në konferencë me media dhe është për t’u habitur se si këshilltarët e tij nuk e kanë njoftuar atë paraprakisht se më shumë se dhjetë vite ne si historian dhe si institucion kemi reaguar kundër transformimit arbitrar të hapësirës publike ku para 100 viteve kishte qenë shtëpia e Nënë Terezës.
Sikundër dihet, ishte një iniciativë që në vend të hapësirës ku kishte qenë shtëpia e Nënë Terezës të ndërtohet një kishë ortodokse maqedonase merr emrin Shën Elena, por ndërkohë kjo ide u kundërshtua fuqishëm dhe për pasojë u stopua ndërtimi i saj.
Mirëpo nuk stopuan idetë tjera arbitrare që sërish në hapësirën ku ishte dikur shtëpia e Nënë Terezës të ndërtohen të ashtuquajturat Shkallë Spanjolle, një projekt ky i dizajnuar në kuadër të Projektit Shkupi 2014.
Edhe kjo ide u kundërshtua fuqishëm dhe z. Shilegov do të duhej të interesohet mbi origjinën e këtij kundërshtimi. Kush e bëri dhe si ndodhi që vetëm në këtë pjesë të sheshit të Shkupit nuk arriti të realizohet projekti Shkupi 2014. Pra ne arritëm ta stopojmë ndërtimin e një kishe dhe të shkallëve spanjolle, dhe si duket kjo nuk i paska pëlqye Shilegovit, prandaj ai tani ka lejuar që ti bëhet ky diversion kaq i shëmtuar urbanistik mbi hapësirën ku i kishte rrënjët shtëpia familjare e Nënë Terezës. Madje, nëse ai i angazhon këshilltarët e tij, me siguri do ta kuptojnë se mbi këto kundërshtime që janë bërë nga ana jonë, ka pasur edhe procese gjyqësore dhe për këtë mjafton të bëhet një hulumtim i vogël në arkivat e gjykatave të Shkupit.

Ne si ITSHKSH e kemi për obligim human e shkencor ta mbrojmë figurën e Nënë Terezës nga çdo sulm e denigrim që i vije asaj, sepse mbi këtë kauzë e kemi hapur edhe Departamentin që merret me studimin e kësaj figure të lavdishme të njerëzimit, madje edhe nga ana kryetarit të qytetit ku lindi Gonxhe Bojaxhiu, sepse me veprimet e fundit po dëshmohet se Petre Shilegov nuk është kryetar i të gjithëve, e mbi të gjitha mënyra se si po siellet ai ndaj trashëgimisë familjare të Nënë Terezës, po dëshmon se është një vazhdues i projekteve grueviste, të cilat kishin si synim shpërfytyrimin Shkupit nga elementet multietnike e multifetare.

Të gjithë njerëzit gabojnë, prandaj po i japim të drejtë edhe Pertre Shilegovit të gabojë. Por ai ka mundësi ta korrigjojë gabimin nëse i rikthen themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut, aty ku ka qenë gjithmonë, nëse korrigjon emrin e shkruar me shkronja cirilce nga Gonxha në Gonxhe, nëse të dhënat për Nënën Terezë shkruhen edhe në gjuhën shqipe, e jo siç është tani – vetëm maqedonisht dhe anglisht (!) dhe nëse hap një shteg për pelegrinazh në pllakën përkujtimore të Nënë Terezës.

Nëse nuk ndodhin këto korrigjime nga ana e kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, atëherë kemi të drejtë të dyshojmë se pushtetet në Maqedoni, sidomos kur udhëhiqen dhe kontrollohen nga maqedonasit, mund t’i kenë taktikat e ndryshme, por strategjinë e kanë të njëjtë kur janë në pyetje vlerat e trashëgimisë kulturore, shpirtërore të shqiptarëve.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Hapet shtegu deri te pllaka përkujtimore e Gonxhe Bojaxhiut

Shkup, 19.05.2020 – Sot në një konferencë për mediat, të organizuar nga ana e Institutit …