Seminari ndërkombëtar “Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”

Shkup, 26.10.2019 – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, filloi edicioni i dytë i Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë me temë “FIGURA Е TJETRIT NË KULTURËN BALLKANIKE”, në të cilën me punimet e tyre shkencore u prezantuan studiues nga vendi dhe Ballkani. Në ditën e parë, me prurjen e tyre origjinale dhe autentike studiuesit trajtuan aspekte të ndryshme të prezantimit të tjetrit në gjuhësi, letërsi, folklor, narrativin historik, librat shkollorë të lëndëve të ndryshme mësimore dhe mbi debatin për funksionimin e multikulturalizmit dhe interkulturalizmit në shoqëritë shumë-etnike, shumë-kulturore, shumë-gjuhësore dhe shumë-fetare në vendet e Ballkanit.

Në kuadër të konferencës shkencore fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, i cili kumtoi vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që punonjësve shkencorë të instituteve shkencore publike tu paguhet puna e kaluar apo vitet e stazhit, që kanë qenë një problem i pazgjidhur vite me radhë. Poashtu kryeministri kumtoi edhe vendimin për rritjen e pagave të punonjësve shkencorë  të shtatë instituteve për 25 %.

Konferencën e përshëndetën edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ai i Kulturës, Hysni Ismaili, të cilët theksuan nevojën për mbështetje institucionale ndaj ITSHKSH-së, dhe ndaj shkencës e kulturës në përgjithësi.

Në fjalën e tij drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skënder Asani u shpreh se ky Institut mund të jetë ndoshta institucioni i vetëm shkencor në vend që ka studime të këtilla të ballkanologjisë dhe që mund të jetë i vetmi që është i hapur për Tjetrin, qoftë kjo si qasje intra, por edhe si qasje inter.

“Në institutin tonë gjejnë vend komunitetet më të vogla religjioze, si hebrenjtë, por edhe elementi katolik e protestant, që po ashtu janë të paktë për nga numri, por të mëdhenj për nga veprat. Në të vërtetë, Sektori i Lidhjeve të Ndërsjella Kulturore, Historike e Gjuhësore ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve me popujt e tjerë është krijuar pikërisht për të kërkuar e për të gjetur gjuhë dhe kanale komunikimi me tjetrin si përkatësi etnike dhe si përkatësi religjioze në vendin tonë. Për neve diversiteti është pasuri. Vetëm në saje të tjetrit ne e njohim veten. E, duke jetuar në një shoqëri multientike dhe multireligjioze dhe duke vepruar në kryeqendrën multietnike të Ballkanit, ne dëshirojmë të jemi flamuri i këtij i komunikimi dhe, qoftë edhe utopike, ne duam të besojmë se megjithatë Ballkani nuk është vetëm gjeografi e njohur për nga konfliktet, por është një djep në të cilin u përkund qytetërimi perëndimor”, tha veç tjerash drejtori Asani.

Bashkëpunëtorët e lartë shkencorë, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, promovuan edicionin e parë të botimeve të konferencës së vitit të kaluar “Ballkanologjia -1”, me temën boshte “Ballkanologjia sot dhe komunikime ndërballkanike”.

Seminari i Ballkanologjisë organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Kryetari Pendarovski në përkujtimin e “Natës së Kristaltë”

Shkup, 9.11.2019 – Me praninë e kryetarit Pendarovski, ministrit Ademi, ambasadorë, drejtorë, deputetë, krerë fetarë …