Fjala e drejtorit Asani, në sesionin shkencor kushtuar prof. Remzi Nesimit

Shkup, 21 mars 2019 – Sot në ITSHKSH, zhvilloi punimet sesioni shkencor me temë “Kontributi i prof. Remzi Nesimi për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare “, ku morën pjesë studiues, familjarë, miq dhe shokë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Sesioni shkencor e hapi drejtori i ITSHKSH dr. Skender Asani. Në vazhdim mund të lexoni fjalimin e tij të plotë:

Në hapjen e këtij sesioni shkencor i kam dy ndjenja të kundërta, që dua t’i shpalos. Nga njëra anë, më vjen shumë mirë që më në fund e kemi këtë institut dhe që kemi mundësi të mblidhemi e të nderojmë figura kaq të rëndësishme e të mëdha të kombit tonë, ndërsa nga ana tjetër, më vjen keq që mbase shumë figura të tjera, në mungesë të një instituti si ky i joni, mund edhe të jenë harruar e të mos përmenden më.
Prandaj, të dashur të pranishëm, sesioni shkencor kushtuar prof. Remzi Nesimit nuk është sesion shkencor vetëm për Profesorin, por është edhe simbolika e mirënjohjes për gjithë kontributin që e kanë dhënë studiuesit, arsimtarët, profesorët dhe edukatorët tanë më të mirë e më të devotshëm ndër vite.
Nëse më lejohet të jem subjektiv, më vjen mirë që në Institut kemi një garë ose një luftë të ftohtë, në kuptimin pozitiv, mes meje dhe kolegut tim, Zeqirija Ibrahimi: sa herë që unë propozoj ta nderojmë një historian a një figurë të historisë kombëtare, ai gjithnjë e ka propozimin për një gjuhëtar. Sidoqoftë, sesioni i sotëm shkencor është kontribut i gjithë departamentit të Gjuhës shqipe në Institut, në krye me kolegen Hidajete Azizi, andaj unë dua t’i përgëzoj të gjithë për punën që e kanë bërë ata.
Me këtë rast i falënderoj të gjithë studiuesit që janë paraqitur me kumtesa, si dhe juve të pranishmit e tjerë, që me ardhjen tuaj në këtë sesion e keni nderuar emrin e profesorit tonë dhe punën e Institutit.
E nëse i referohem asaj që e thashë në fillim, për fund dua t’ju them se prof. Remzi Nesimi e prof. Masar Kodra, të mjedisit tonë, ose Hasan Prishtina, Fan Noli e Shaban Demiraj, që janë pronë e mbarë kulturës dhe historisë shqiptare, nuk janë të fundit në këtë kolonë, porse janë rruazat e para të vargut të gjatë të personaliteteve që presin t’i ndriçojmë. Andaj ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të shpalosim figura të tjera të rëndësishme të albanologjisë në Maqedoni, por jo vetëm, ngase besojmë se ky është detyrimi ynë shkencor dhe kombëtar.
Ju dëshiroj punë të mbarë dhe takime më të shpeshta.

Ju faleminderit

Dr. Skender Asani, drejtor

Shkup, 21 mars 2019

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Në Prishtinë promovohet doracaku katërgjuhësh mbi Holokaustin

Prishtinë, 9 korrik – Sot në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, është promovuar doracaku …