Reportazh nga Amerika: Falënderimi!

Ne ishim shqiptarët e parë që u kthyem të falënderojmë. Dhe, amerikanët ishin mirënjohës për këtë. Madje, në shenjë falënderimi, pas kthimit – më 4 korrik (në Ditën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve) – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve e emërtoi sallën e konferencave në Institut me emrin “Presidenti Woodrow Wilson”. Leksioni ishte marrë.

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Prolog

Është viti 1919. Sapo ka përfunduar Lufta e Madhe. Disa dhjetëra miliona njerëz të vrarë në fronte të luftës, Dy perandori ranë dhe po ngrihen disa shtete kombe. Për herë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kaluan Atlantikun, për të pasur rol udhëheqës në ruajtjen e paqes në Europë. Presidenti Woodrow Wilson tashmë disa muaj po qëndron në Paris, ku po merret me kërkimin e modaliteteve që do të prodhojnë paqe afatgjate. Shumë popuj të vegjël i kanë varur shpresat tek ai. Dhjetëra memorandume i drejtohen atij. Mes tyre, edhe shqiptarët. Hasan Prishtina, Fishta, Noli, Parashqevi Qiriazi e studentët shqiptarët të Romës e kanë vetëm një kërkesë: “Kërkojmë ta kemi shtetin tonë kombëtar si të gjitha shtetet e tjera të Europës”.

Kështu dukej bota, saktë, para 100 vjetëve. Dhe, në këtë 100-vjetor, kur shqiptarët në Ballkan ndjehen më të konsoliduar se kurrë – e kanë Shqipërinë në NATO dhe në rrugë të mbarë për BE, kur Kosova u bë shteti i dytë shqiptar në Ballkan, e bëri ushtrinë dhe është në shtegun e duhur për ta mbyllur shtetësinë e saj dhe kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u bënë faktori themelor që ky shtet të shkëputet nga Rusia, për t’u orientuar drejt Perëndimit, një grup shqiptarësh të ndërgjegjshëm për këtë fakt, duke mos harruar se themelet e këtij suksesi janë njëshekullore, në qershorin e këtij viti udhëtuan për Amerikë, për t’i prekur gjurmët e Presidentit Wilson dhe për ta shënuar miqësinë njëshekullore amerikano-shqiptare.

Ekipi

Grupi që e kishim marrë këtë nismë ishim një ekip heterogjen. Por, na bashkonte synimi i njëjtë – të shënohej 100-vjetori i Konferencës së Parisit dhe të shprehej falënderim për kontributin e Presidentit Wilson, kjo si detyrë e programit vjetor të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

U takuam në aeroportin e Shkupit me Skenderin (drejtorin), Seferin e Sevdailin (kolegë të Institutit), ndërsa aty na u bashkua edhe miku ynë nga Shkupi, Adriani. Delegacioni i shqiptarëve të Maqedonisë u kompletua. Stacioni tjetër ishte Vjena. Atje na bashkohet z. Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës. Pritja në Vjenë shërben për ta relaksuar dhe lehtësuar komunikimin. Prin në këtë z. Jahja. Por, kemi edhe një stacion për ta plotësuar ekipin – Uashingtoni. Aty na pret miku ynë David Hosaflook, një pastor protestant, që për gati tri dekada shërben në Shqipëri dhe që tashmë ndjehet tamam shqiptar. Shqipja e tij e lezetshme me theks amerikan e me batutat shkodrano-amerikane, i jep larmi grupit. Në Uashington na pret zëvendësambasadori i Kosovës, z. Frymëzim Isufaj, që kishte dalë vet të na shoqërojë dhe përcjellë deri në Virginia. Një nder tipik i mikpritjes shqiptare të Kosovës.

Në Staunton

Ndonëse rruga e gjatë dhe e lodhshme ta tret kënaqësinë e udhëtimit, arritja në Staunton ishte gëzim më vete. Një qytezë e vogël në shtetin Virginia, gati si një fshat, ku të huajt dallohen dhe, mbase, pranohen me habi, dhe ku njerëzit njihen thuajse të gjithë me njëri-tjetrin, është stacioni jonë i parë i këtij udhëtimi. E enjtja e fundit e qershorit na gjen të përgatitur për ta vizituar shtëpinë ku ka lindur Presidentit Wilson. Aty na presin sikur t’u kenë vajtur miqtë më të rëndësishëm të botës. Për drejtuesit e Shtëpisë Përkujtimore të Presidentit Wilson vajtja jonë ishte falënderim dhe mirënjohje në vete. Ndonëse nuk na e thoshin, në fytyrat e tyre lexohej mesazhi “Më në fund shqiptarët u kujtuan se duhet të vijnë këtu të falënderohen”. Nëpër kthinat e shtëpisë na prin një zonjë, që ndonëse në moshë, është krejt elegancë dhe humor të lehtë, për të na rrëfyer se në atë shtëpi ka lindur Presidenti gjatë qëndrimit, rreth trevjeçar, të prindit të tij si pastor në Staunton. Të magjeps ruajtja e detajeve ose kujdesi për enët dhe orenditë shtëpiake, që ta krijojnë botën e vitit 1856 kur ka lindur Presidenti.

Pasi jemi lodhur një çikë duke u endur nëpër ato shtëpi përkujtimore dhe pasi kemi bërë plot fotografi kujtimi, një drekë e bukur me batutat e lehta të z. Jahja na jep fuqi që ta vazhdojmë ditën. Pjesa tjetër e ditës është vizita në Muzeun e Presidentit, ku në mënyrë dokumentare dhe artistike është përshkruar jeta dhe vepra e tij. Stacioni i fundit i ditës është dyqani i suvenireve, të cilin e zumë hapur disa minuta para mbylljes për të marrë diçka që do ta regjistronte në kujtesë qëndrimin tonë Staunton.

Dita e ardhshme, e premtja (28 qershor), është rezervuar për pritjen tonë formale në Shtëpinë e Lindjes së Presidentit. Në një takim modest, por të këndshëm, e marrin fjalën një nga një senatori në shtetin e Virginias nga Stauntoni – Emmet Hanger, majorja e Stauntonit – Carolyne Dull, Jahja Lluka nga Qeveria e Kosovës, Skender Asani nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe David Hosaflook nga Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante.

Nga gjithë ajo që u tha, mesazhi i nikoqirëve mund të sintetizohet në: “Ju jeni shqiptarët e parë që vini në këtë shtëpi përkujtimore dhe ne jemi mirënjohës që ju jeni falënderues”. Vijon pastaj Proklamata e Stauntonin, një dokument-mirënjohjeje që Këshilli i Qytetit të Stauntonit e kishte miratuar enkas për delegacionet tona, me ç’rast Davidin e konsideruan si përfaqësues nga Shqipëria. Kishin të drejtë mbase, sepse ai tashmë i ka bërë 27 vjet në Shqipëri.

Ndërkaq, në anën tjetër, mesazhi i jonë në këtë takim do të ishte: “Jemi të privilegjuar, që ndonëse vonë, përsëri jemi të parët”. Përveç kësaj, drejtori Skender Asani do të shtonte: “Stauntoni dhe Shkupi e kanë një gjë të përbashkët: janë dy qytete të vogla, por i kanë dhënë botës dy nobelistë të mëdhenj të paqes – ju e keni lindur Presidentin Wilson, ndërsa Shkupi jonë e ka lindur Nënën Terezë”.

Pullat postare me portretin e Presidentit dhe libri i Kristo Dakos “Albania” – një botim anastatik pas 100 vjetësh, që ua dhuruam atyre, ishin gjërat e fundit që u regjistruan në Staunton. Itinerari jonë vazhdonte në kryeqytetin e SHBA-ve.

Në Uashington D.C.

Rruga gati katërorëshe deri në Uashington na kalon duke biseduar për bukuritë natyrore dhe për organizmin e mirë të hapësirës publike që e kanë arritur amerikanët. Nuk mungojnë as batutat e mia me mikun tim, Davidin, kur e shohim përballë njëra-tjetrës një kishë dhe një xhami. “Ta kishim falur xhumanë derisa ti të luteshe në kishë, David!”, i them me humor. Kështu, përmes bisedave të këndshme, na pret Uashingtoni. Meqë koha është shumë e ngushtë, ngutemi që të bëhemi gati e të kollarisemi, që në orën 18.00 të jemi në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Një ngjarje modeste, me ekspozitën dokumentare për 100-vjetorin e Konferencës së Parisit dhe për rolin e Presidentit Wilson, si dhe përurimi i librit të Kristo Dakos, gjithë kjo nën përcjellje të “Zërit të Amerikës” dhe disa miqve shqiptarë dhe amerikanë, janë të gjitha aty. “Përmes kësaj ekspozite dhe kësaj vizite i zbuluam rrënjët e miqësisë shqiptaro-amerikane”, do të thotë Jaja Lluka – këshilltari i Kryeministri të Kosovës në fjalën e tij. Ndërkaq, zëvendësambasadori kosovar, i zënë ngushtë nga mungesa e kondicionerëve, na flladit me mirësjelljen e tij tipike shqiptare e me elegancën diplomatike. Mbrëmja na kalon në Starbucks dhe nën bisedat e këndshme për ditën e lodhshme.

E shtuna na fillon me fotografitë para Shtëpisë së Bardhë dhe postimin tim në FB “Trump-i s’paska qillu n’shpi”, që zgjoi plot komente të miqve të mi këndej, si dhe me vizitën në Muzeun e Holokaustit, një projekt gjigant përkujtimor, ku ne flasim edhe për mundësinë e bashkëpunimit për regjistrimin e kontributit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Pasditja na gjen në një restorant pakistanez, që e gjejmë përmes një taksisti afgan, dhe aty më në fund hamë “mirë e lirë” dhe Seferi përfundimisht “i mbush bateritë”, ndërsa mbrëmja na bashkon përsëri në Starbucks.

Të dielën i kemi dy vizita: një në katedralen qendrore të Uashingtonit, ku është edhe varri i Presidentit Wilson dhe tjetra në shtëpinë ku Presidenti e ka kaluar pjesën e fundit të jetës së tij, po ashtu në Uashington. Qëndrimi në katedralen e madhe është një storje në vete. Në grua në moshë, mbase 90-vjeçare, është ajo që na shpie nga një cep në tjetrin, duke na e shpjeguar çdo detaj me një gjuhë elegante dhe shpesh me nuanca humori. Kjo vizitë ishte edhe arsye që Skenderi, Davidi dhe Jahja të bëjnë homazhe dhe të vendosin lule të freskëta te varri i Presidentit. Edhe vizita tjetër në shtëpinë ku Presidenti i kishte kaluar vitet e fundit të jetës derisa më 1924 ishte ndarë nga kjo botë, ishte mbresëlënëse. Artefaktet e shumta dhe detajet e organizimit familjar janë me shumë interes për ne, që tek tash duam ta zhvillojmë muzeologjinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ciceroni, që na flet me shumë pasion dhe me shumë informacione, na thotë se “Armenët janë ata që vijnë shpesh për ta nderuar Presidentin, por ju jeni shqiptarët e parë”. Një ndjenjë e çuditshme: të mburresh apo të turpërohesh?!

Të hënën ekipi u nda në dy pjesë: Skenderi dhe Adriani fluturojnë për Nju-Jork, ndërsa pjesa tjetër u tretëm në kthinat e Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Ata realizojnë atje një takim të rëndësishëm me Komitetin Amerikano-Hebraik, ndërsa ne këndej magjepsemi me Bibliotekën që – ndonëse nuk ka më shumë se 2 shekuj jetë – është biblioteka më e pasur në botë dhe biblioteka me librat më të vjetër në botë. Informacioni se aty ka më shumë se 160 milionë njësi, prej të cilave mbi 38 milionë libra, për të cilat kujdesen më shumë se 3.000 të punësuar, thjesht të mrekullon dhe të lë pa fjalë. Aq më shumë kur i ndërmend bibliotekat tona këndej dhe pakujdesinë e përgjithshme për librin tek ne. Edhe pritja nga z. Grant Harris – shef i seksionit të botimeve europiane, që enkas për ne i prezantoi disa botime të rëndësishme për shqiptarët, siç ishin “Historia e Skënderbeut” e Barletit nga shekulli XVI, “Dhiata e Re” e përkthyer nga Vangjel Meksi me shkronja greke e vitit 1826, “Dhiata e Re” (toskërisht) me përkthim të Kristoforidhit e vitit 1910 ose edhe letra e studentëve shqiptarë të Romës dërguar Wilsonit më 1919, janë për ne shenjë se – edhe nëse ne harrojmë se kush ishim – dikush mban evidencë. Një lajm i mirë për ne. Fotografitë nga Capitoli ishin gjërat e fundit para se të kalojmë në shopping dhe free time.

E marta ishte dita kur duhej të niseshim për Shkup. Por, Skenderi as atë ditë nuk donte ta çojë dëm. Kishte organizuar një takim në Institutin e Lirive Religjioze, madje mjaft herët për neve – në orën 9 të mëngjesit. Nejse, pak më vështirë u bëmë gati, por arritëm në kohë. Gati dy orët bisedë për liritë religjioze, për bashkëpunimin ndërreligjioz, për parandalimin e ekstremizmave religjioze, ishin tema që zgjuan shumë interes edhe tek ne, edhe tek nikoqirët. Aty konstatuam se bota jonë ka shumë nevojë për këtë qasje. Përveç të drejtave dhe lirive religjioze, si dhe komunikimit ndërreligjioz, ne kemi edhe probleme intrareligjioze, që po i mbulojmë, ndërsa ato po na shfaqen me telashe. E derisa ngriheshim, Davidi, pa të keq, e tha një gjë që më pëlqeu: “Te shqiptarët për dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare rëndom flasin ata që nuk janë fetarë. Aty mungojnë vetëm besimtarët. Atyre që u dedikohet debati”.

Pjesa tjetër e ditës ishte përgatitje dhe vajtje në aeroport, pritje të gjata dhe fragmentim i ekipit, njësoj siç ishte bashkuar: në Uashington u ndamë me Davidin, në Vjenë me z. Jahjën dhe pjesa tjetër u kthyem të mërkurën në drekë në Shkupin që po digjej në kulmin e vapës së korrikut.

Ishte kjo një vizitë e një delegacioni shqiptar, që shprehur me gjuhën e Davidit gjatë një momenti në këtë vizitë, ishte si në tregimin biblik kur Jezui (pra, Isai a.s.) thotë se “nga 10 lebrozët që i shërova, vetëm njëri u kthye të falënderonte”. Ne ishim shqiptarët e parë që u kthyem të falënderojmë. Dhe, amerikanët ishin mirënjohës për këtë. Madje, në shenjë falënderimi, pas kthimit – më 4 korrik (në Ditën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve) – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve e emërtoi sallën e konferencave në Institut me emrin “Presidenti Woodrow Wilson”. Leksioni ishte marrë.

Epilog

Është viti 2019. Në përfundim të shekullit që e konsolidoi Shqipërinë, shqiptarët e presin konsolidimin e Kosovës ose të të dyjave bashkë. Për ta përmbyllur kështu luftën më shumë se njëshekullore shqiptaro-serbe. Dhe, përsëri shqiptarët presin ndihmën amerikane. Ndoshta një Wilson tjetër. Ka kaluar një shekull, ndërsa ngjarjet aq shumë i ngjajnë njëra-tjetrës. Mes tyre është vetëm një falënderim. /Gazeta LAJM – Shkup, http://lajmpress.org/reportazh-nga-amerika-falenderimi/

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH ndër katër institucionet që nënshkruajnë marrëveshje në Zvicër

Sot në Lucern të Zvicrës është nënshkruar memorandum bashkë-punimi ndërmjet Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e …