Reportazh: Në kërkim të dimensionit TJETËR në SHBA

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI

– Sa do të qëndroni në Amerikë?, – më pyeti polici kufitar
– Dhjetë ditë., – iu përgjigja.
– Cili është qëllimi i ardhjes suaj?, – vazhdoi ai.
– Të promovojmë libra shqipe., – ia ktheva unë.
– Kalofshi mirë!, – më tha derisa e vulosi hyrjen time në Tokën e Lirisë.

Ishte ky dialogu i parë në aeroportin “J.F. Kennedy” në Nju-Jork, pas fluturimit gati 12-orësh nga Stambolli. Nga qyteti i parë i Perëndimit kaluam gati në qytetin e fundit të Perëndimit. Dita vazhdonte të zgjasë pa fund: ishim nisur në orën 12.00 të ditës, kishim udhëtuar aq shumë dhe ora sërish ishte 17.00. Vapa frymëzënëse, që na goditi sapo dolëm nga aeroporti, ishte shenja e parë se jemi në një botë tjetër edhe me një klimë tjetër. Si gjithçka që në Amerikë është TJETËR.

Në ditën e parë të korrikut, kur vera kishte filluar hovshëm, ndërsa në Amerikë pritej festa e 4 Korrikut të shtetësisë amerikane, Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Skender Asani), Sevdail Demiri (koleg në Institut) dhe unë kishim marrë udhën e largët për ta bërë Javën Kulturore Shqiptare në Amerikë. Bashkë me ne ishte edhe një përkthyese e shkëlqyer, mjekja e re Medina, dhe violinistja Natasha, për rolin e së cilës do të bëjmë fjalë më tej në tekst. Ishte kjo një ndërmarrje sfiduese për ata që na prisnin, por – thënë sinqerisht – edhe për neve. Kishim udhëtuar me furgon natën nga Shkupi për në aeroportin e Selanikut, pastaj kishim fluturuar për Stamboll, gjysmën e ciklit të rrotullimit të Tokës rreth boshtit të vet e kishim kaluar në avion, gjithë kjo me të vetmin synim – promovimin e kulturës shqiptare të Maqedonisë në SHBA.

Takimi i parë ishte në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, ku – pas meshës së të dielës – u promovua libri “Familjet katolike shqiptare ë Shkup” i përgatitur nga Skender Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko. Për të zotët e shpisë, kryetarin e Qendrës, Marjan Cubi, dhe Priftin e Kishës, Pjetër Popaj, ishte befasuese që disa “myslimanë” të Shkupit kanë bërë një vepër të këtillë dhe atë shkojnë e promovojnë në Kishën Katolike në Bronx të Nju-Jorkut. Fjalët miradije nga ata, ekspozeja për rëndësinë e elementit katolik shqiptar në Shkup – veçanërisht për figurën e Nënës Terezë, për ta plotësuar mozaikun e historisë së shqiptarëve në këtë qytet, të thëna nga Drejtori, dhe prezantimi emocionues nga Natasha Didenko, bija e një shqiptareje katolike të Shkupit, që tha se “ky libër është peshqesh që unë ia bëj nënës sime”, ishin pjesa promovuese e librit, ndërsa pas shfaqjes së një dokumentari të përgatitur nga Televizioni i Maqedonisë për rolin e katolikëve në të kaluarën, takimi përfundoi me një koktej, siç e quajti kryetari Cubi me shprehje frazeologjike të shqipes sonë të bukur, “sa për me lagë gojën”. Por, dita ende nuk kishte përfunduar. Në mbrëmje ishte edhe ekspozita “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, që do të hapej në Qendrën Kulturore të Maqedonisë në Nju-Jork. Edhe pse me pjesëmarrje modeste, ekspozita u hap me fjalë rasti të Drejtorit tonë, të Dom Popajt nga Kisha Katolike, si dhe me një përshëndetje nga unë në cilësinë e këshilltarit të ministrit të Kulturës të Republikës së Maqedonisë. Që katolikëve shqiptarë të Amerikës t’ua freskojmë dhe ruajmë kujtesën, fotografitë e ekspozitës vendosëm që – pas mbylljes së saj – t’i dorëzohen përgjithmonë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Dita e dytë ishte në Kishën Baptiste Shqiptare në Brooklin, ku i promovuam veprat e Qiriazëve protestantë të Manastirit – të botuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Shqiptare dhe Protestante në Tiranë, si dhe librin e sapobotuar nga instituti jonë nga autorët Xhevat Lloshi dhe John Quanrud “Skënderbeu në vendet nordike”. Aty e takova edhe mikun tim David Hosaflook, që është përfaqësues i Shoqërisë Biblike Amerikane në Shqipëri. Një koincidencë a befasi e këndshme. Ndërkaq, pastori i Kishës, një shqiptar i Gjirokastrës, na mbajti pak leksion për shqiptarinë dhe, ndonëse vapë e madhe, ne e dëgjuam me ëndje dhe ia falëm që e zgjati, sepse në fund na ftoi në një koktej freskues. Aty një besimtar i Kishës, i veshur me një bluzë me mëngë të shkurtra, pak si me shpoti m’u drejtua: “A nuk të vjen nxehtë që rri me xhaketë?”, ngase ashtu si te Kisha Katolike, xhaketën e kisha bërë uniformë nëpër tempujt fetarë. “Më vjen shumë nxehtë, sigurisht, por kam respekt për tempullin.”, ia ktheva. Nejse! Duke përdorë kategorinë e substiuimit gjuhësor, mesazhi mbase shkoi në vend.

Dita e tretë ishte në Qendrën Islame Amerikane-Shqiptare në Nju-Xhersi. Aty ishin mbledhur pak më shumë njerëz se rëndom. Po i promovonim dy veprat e Skender Asanit, “Shkupi ndërmjet dy luftërave botërore” (dokumente dyvëllimëshe) dhe “Xhemijeti” (monografi dhe dokumente) – të botuara nga SHB “Logos-A” nga Shkupi, si dhe dy numrat e revistës periodike “Scupi”, që bëjnë fjalë pikërisht për këtë periudhë historike. I pari foli Dr. Tahir Kukaj, teolog dhe studiues nga Qendra Islame Shqiptare në Staten Island, ndërsa pas tij folën Sevdaili, unë dhe në fund Drejtori. Madje, për befasinë tonë të këndshme, pati edhe disa pyetje dhe pak debat. Ishte për t’u regjistruar reagimi i një pjesëmarrësi, që – duke mos e marrë vesh se flasim për libra e jo për politikë – na tha: “Krejt partitë vijnë flasin këtu.” Mjaftoi shpjegimi i Drejtorit dhe dilema u mbyll. Nuk kishim të bëjmë me politikë, por me shkencë. Ndoshta unë ia kisha mjegulluar kujtesën, por aty nuk isha si politikan, por si punëtor shkencor i Institutit dhe e kisha “haram” të bëj politikë.

Sidoqoftë, ne pa komplekse për identitetin tonë, nuk ngurruam që – përmes kësaj jave kulturore – të japim mesazhin se shqiptaria primordiale ruhet pikërisht në Shkup ose te shqiptarët e Maqedonisë. Ne ia dolëm që brenda një jave të promovojmë dhe pranohemi njësoj edhe nga të krishterët, katolikë e protestantë, por edhe nga myslimanët suni e bektashi. Nëse jo më shumë, ata që e kanë ndjekur këtë aktivitet, e kanë marrë vesh se ky syth i albanologjisë në Shkup ka vizion dhe ide se si e projekton shqiptarinë.

E paguam biletën dhe desh u ngjitëm në anije, për të shkuar te Statuja e Lirisë, kjo më 4 Korrikun e SHBA-ve, por në shkallët e portit na kthyen “për arsye të sigurisë”. Pastaj e pamë në lajme se paska pasur një incident pikërisht aty. Fati jonë! Megjithatë një fotografi nën flamurin SHBA-ve, me prapavijë të Manhattan-it, ishte urimi jonë “nga vendi i ngjarjes” për 4 Korrikun. Dhe, derisa e bëja postimin, që shqip e kisha filluar me “Për ditën…” dhe anglisht “For…..”, që pastaj e ndryshova në “Prej Tokës së Lirisë…”, ndërsa në anglisht më kishte ngelë “For”, e mora vesh se shqiptarët këndej Atlantikut po na përcillnin me vëmendje, sepse disa miq më shkruan përnjëherë “Jo For, por From”. Provokim i mirë për ta parë sa njerëz na ndjekin, mendova. Dikush, që po ashtu na kishte parë në FB, më shkroi me shpoti “Te ne është natë, po flemë!”.

Ditën e ardhshme e vizitova fshatin e amishëve në Pensilvani, për çka i detyrohem mikut tim, profesorit të filozofisë Rufat Alili, i cili ma bërë sajginë më të madhe gjatë kësaj vizite, që nga pritja në aeroport e deri në kthimin tim, duke e bërë shtëpinë e tij edhe shtëpi timen. Dhe, të shkosh në Amerikë (siç më ndodhi më 2012) dhe të mos i vizitosh amishët, vërtet është keq – një komunitet që, në emër të lirisë shpirtërore, ka vendosur ta reduktojë në maksimum komunikimin me botën përreth. Nocionet si Evropa dhe Albania ishin gjëra që nuk u bënin fare përshtypje. Sapunët e petkave, që dikur moti i përdornim edhe ne, si dhe orenditë shtëpiake tradicionale, ku më bëri përshtypje çekmexheja, që moti janë zhdukur edhe nga shtëpitë tona të fshatrave, burrat amishë modestë dhe gratë amishe me shami në kokë e veshje të uniformuar, i ruanin ende me xhelozi. “Zoti na e ka dhënë një jetë dhe ajo nuk duhet çuar dëm.”, ishte shpjegimi i tyre për “ndalimin e kohës”. Ndërsa kur i pyet se pse kanë vendosur që mos ta pranojnë rrymën, internetin, televizionin, makinat dhe të merren vetëm me adhurimin e Zotit, duke u marrë me bujqësi e blegtori, përgjigja e tyre është e thjeshtë: “Nuk ia vlen ta humbësh Qiellin për ta fituar Tokën.”. Për një çast mendova se Krishterimi mund të ishte i mundur vetëm si i tillë. Ose, shumë vështirë ndryshe. Mbase! Kthimi nga Pensilvania në Nju-Xhersi përfundoi me një darkë në një restorant shqiptari me ushqime kineze. Çudi! Vetëm shqiptarët janë të paparashikueshëm. Përpos kësaj, prej aty e ndoqa drejtpërdrejt Drejtorin, që po jepte intervistë për “Zërin e Amerikës”. Ne nuk ishim amishë, andaj e kishim hallall internetin .

E premtja ishte, për mua, ditë e faljes së xhumasë me hutben e shkëlqyer të Imam Muhamedit nga Shkupi, e dy lojërave të kampionatit botëror në futboll dhe e takimit me dy miq të mi në Nju Jork: Astritit të Strugës, me të cilin nga “Freedom Tower” e kundruam Qytetin e Madh, dhe tjetri me Bedainë e Shkupit, me të cilin – në një darkë mes shkupjanësh – ia qamë hallin shqiptarisë. U ktheva vonë në “shtëpinë time” në Nju-Xhersi.

Ashtu si ika unë për te amishët vet, ashtu më kishte ikur nga mendja se të shtunën ne mëngjes kishim aktivitet te Shoqata Panshqiptare “Vatra”. Por, meqë unë nuk kisha prezantim, Drejtori ma fali mungesën. I pashë videot dhe fotografitë dhe më erdhi keq që mungova. Aktivitet i bukur. Ndërkaq pasditja kaloi në përcjelljen e futbollit.

E diela ishte ditë pushimi dhe aktrimi i rolit amerikan “shopping”. Pak qëndrim pranë oqeanit, “shopping” në një “qytet” me dyqane dhe darka në një restorant palestinez me miq shqiptarë shkupjanë, ku njerëzit prisnin radhën për t’u ulur, ishin ngjarjet e fundit të së dielës.

Ndërkaq e hëna ishte ditë kthimi. Dhe, kur vjen dita e kthimit nga Amerika, i ke dy ndjenja të përziera: a do të vish përsëri aty dhe, e dyta, dëshirën për t’u kthyer në shtëpi. I solla në mend edhe takimet me miqtë e tjerë, të cilëve u shkrova edhe një herë falënderim për pritjen dhe nderin, veçanërisht aktorit tetovar Luan Bexheti dhe ulqinakut Hajrudin Muja (u mbeta borxh falënderimi Asllanit të Gostivarit dhe Ramizave.), të cilët – gjatë këtij qëndrimi – më nderuan sa më bënë të ndjehem se nuk mund t’ua kthejë atë nder asnjëherë, dhe valixhet gati e drejt në JFK. Drejtori me ekipin tjetër arritën në aeroport pa frymë: rrëmuja e Manhattan-it ua kishte humbur shpresën se do të arrijnë në kohë. Ndërkaq, unë, me dhjetë dollarët e mbetura, më në fund ia dola ta qeras Rufatin me një ujë dhe një çamçakëz. “Tash e tutje rroftë VISA!”, i thashë. U morëm ngrykë si miq që njihemi që nga mijëvjeçari i kaluar dhe sa ora – gati dhjetë orë fluturim deri në Stamboll, pak pritje aty dhe një orë në Shkup – ky udhëtim u bë tamam.

Dhe, kur kthehesha këndej për ta ndjerë ëmbëlsinë e vatrës familjare, m’u kujtua një bisedë që e bëmë me Luanin se çfarë është vdekja. Duke e shpjeguar me gjuhën e teatrit, i thashë atij: “Vdekja është si përfundimi i shfaqjes teatrale: bie perdja dhe kthehesh në realitetin e vërtetë”. Kjo më bëri të mendoj edhe një herë se jeta në raport me vdekjen është ngjashëm edhe si udhëtimi në Amerikë: nga një dimension kalon në një tjetër, në të përtejmen dhe të amshueshmen. Më mbetet vetëm ta marr vesh se ku mund të jetë amshueshmëria, në Shkup, ku – përmes përballjes, po e rilidhim historinë tonë, apo në Amerikë, ku i kemi varur shpresat tona?! Ndoshta në një udhëtim tjetër e zbuloj edhe këtë. /Gazeta “LAJM” Shkup, 15.7.2018/

Burimi:

http://lajmpress.org/2018/07/15/reportazh-ne-kerkim-te-dimensionit-tjeter-ne-shba/

 

Shikoni gjithashtu

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”) …