Raport i veprimtarisë së ITShKSh – Shkup për vitin 2018

Vitit 2018 ka qenë një vit që, për Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka qenë një periudhë kohore e mbushur me dhjetëra aktivitete, botime, konferenca, panele shkencore, ekspozita, vizita studimore e vendosje të bashkëpunimit me institucione të tjera, që në përgjithësi mund të sintetizohen në konstatimin se ky ka qenë viti më pjellor i Institutit.

Kur të gjitha këto aktivitete i shtrijmë në shiritin kronologjik të kohës, jeta e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup në vitin 2018 duket kështu!

Viti filloi me akademinë solemne, që më 17 janar u mbajt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, përkitazi me 550-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Aktiviteti u realizua për herë të parë në një institucion kaq të lartë shtetëror, ndërsa aty – përveç Kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi – fjalë rasti pati edhe drejtori i Institutit, Dr. Skënder Asani, aq më shumë që aktivitetet e këtij përvjetori të madh gjatë gjithë vitit u realizuan nën emblemën e Institutit. Në këtë akademi solemne morën pjesë edhe drejtori i Institutit të Historisë Nacionale, Dr. Dragi Gjorgiev, dhe ish profesori universitar dhe ish ministri Dr. Vllado Poposki.

Më 25 janar në Shkup, në hapësirat e Institutit, i zhvilloi punimet simpoziumi shkencor me temë “Lëvizja Popullore e Kosovës në vitet 1982-1984 dhe heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu”. Simpoziumi u organizua nga Shoqëria „Lëvizja“ në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Më 26 janar, në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Asociacioni qytetar “Acta Non Verba” – Shkup e shënuan Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Tragjedisë së Holokaustit, që ndodhi gjatë Luftës së dytë Botërore, e që përkonte edhe me 73-vjetorin e çlirimit të kampit fashist Aushvic. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, të komunitetit ndërkombëtar dhe përfaqësues të komunitetit hebrenj në vend. Me këtë rast u promovua edhe libri tregjuhësh memoaristik i autores hebreje Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi “Jeta ime nën pushtimin nazist”, i botuar nga Instituti jonë. Në këtë promovim mori pjesë edhe e bija e autores, e mbijetuar nga Holokausti, Ita (Drita) Bartuv. Bashkorganizator i aktivitetit ishte edhe Asociacioni Qytetar “Acta Non Verba” – Shkup.

Një ditë më vonë, pra më 27 janar, aktiviteti i promovimit të kësaj vepre të Institutit u organizua edhe në Shkodër, në vendlindjen e Ida (Drita) Bartuv-it, ku ajo po kthehej pas plot 75 vitesh. Në këtë promovim, mes tjerash, fjalë rasti pati edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Më 2 mars, pra në 574-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, në Institutin tonë u promovua libri “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”, me materiale nga akademia solemne mbajtur më 17 janar 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, që u botua nga Instituti në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.

Më 2 maj në Tiranë  Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Institutin e Historisë – Prishtinë e organizuan një konferencë kushtuar Komitetit “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”, ku morën pjesë studiues nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Më 7 maj, në kuadër të javës tradicionale të trashëgimisë kulturore, në amfiteatrin e gjimnazit “7 marsi” në Tetovë dhe në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, Instituti e organizoi konferencën shkencore me titull “Festat e kalendarit popullor – dita e Shën Gjergjit”, ku morën pjesë studiues të Institutit, si dhe studiues të tjerë nga institucionet e larta arsimore-shkencore të vendit, por edhe të Tiranës dhe Prishtinës.

Më 10 qershor, në 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve ishte pjesë e organizimit të konferencës shkencore për këtë përvjetor, ku u përfaqësua nga drejtori, Dr. Skënder Asani, si dhe studiuesi Dr. Besnik Emini.

Në kuadër të debateve publike, që zhvillohen përkitazi me temën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, më 18 qershor në Institutin tonë u mbajt një panel shkencor në temën “Gjuha shqipe në Maqedoni – histori dhe perspektiva”, që kishte për shqyrtim përdorimin publik të gjuhës shqipe në Maqedoni, politikat gjuhësore, si dhe drejtpërdorimin e saj. Në këtë panel, përveç punëtorëve shkencorë të Institutit, morën pjesë edhe studiues të gjuhës të të gjitha institucioneve të larta arsimore dhe shkencore shqiptare në vend.

Në javën e parë të korrikut një delegacion i Institutit të Shqiptarëve në Shkup, në përbërje: Dr. Skënder Asani, Dr. Sevdail Demiri dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi, qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e organizuar “Javën kulturore shqiptare në SHBA”. Me këtë rast u realizuan disa aktivitete, si:

  • Më 1 korrik në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork u mbajt promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” i autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko dhe u shfaq filmi dokumentar kushtuar Pjetër Bogdanit. Ndërkaq, po në këtë ditë, por në mbrëmje, në Qendrën Kulturore të Maqedonisë u hap ekspozita “Familjet katolike shqiptare në Shkup”;
  • Më 2 korrik në Kishën Romane Baptiste u promovuan veprat: “Skënderbeu në vendet nordike” nga Xhevat Lloshi dhe Xhon Kuanrud, “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”, “Jeta ime” nga Sevasti Qiriazi-Dako, “Gjerasimi – predikues, iluminist, rilindës” nga Xhon Kuanrud dhe “Pengu i kaçakëve” nga Gjerasim Qiriazi. Në promovim mori pjesë edhe Dr. David Hosaflook, misionar protestant në Tiranë dhe bashkëpunëtor i Institutit;
  • Më 3 korrik në Qendrën Islame Shqiptare në Garfield – Nju Xhersi u bë promovimi i veprave: “Shkupi ndërmjet dy luftërave botërore” dhe “Xhemijeti” nga Skender Asani, si dhe revistave shkencore SCUPI nr. 12 dhe 20, që janë materiale të konferencave shkencore për shqiptarët ndërmjet dy luftërave botërore dhe për rolin e Xhemijetit; dhe
  • Më 7 korrik në Federatën Panshqiptare “VATRA” u bë promovimi i librit “The light of guidance”, u hap ekspozita “480-vjetori i Teqesë Harabati Baba” dhe u prezantua dokumentari “Prezantimi i rrugëtimit 12-vjeçar bektashian”.

Më 26 korrik, në 55-vjetorin e tërmetit katastrofal në Shkup, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në Qendrën Multimediale “Stacioni i vogël” në Shkup e hapi ekspozitën dokumentare  “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.

Më 12 gusht, me një sërë aktivitetesh, nën organizimin e Institutit të Shqiptarëve në Shkup, u shënua 106-vjetori i çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, me ç’rast u bënë nderime te shtatoret e Hasan Prishtinës në Shkup dhe Isa Boletinit në Saraj, ndërsa në hapësirat e Institutit u organizua akademia përkujtimore, me ç’rast u ndanë edhe mirënjohje për personalitete të larta të historisë kombëtare shqiptare, që u pranuan nga trashëgimtarët e tyre.

Më 24 gusht Këshilli i Institutit e rizgjodhi Dr. Skënder Asanin në mandatin e dytë si drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Më 26 gusht 2018 Instituti e përkujtoi 108-vjetorin e lindjes së nënës së mirësisë, humanizmit dhe paqes në botë, Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza. Në mëngjes u vendosën kurora lulesh te pllaka përkujtimore – në vendin ku ka qenë shtëpia e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, në sheshin e Shkupit, ndërsa pas dite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë dhe  Kryeipeshkvinë e Kishës Katolike të Kosovës, u hap ekspozita e titulluar “Shenjtorja nga Shkupi – korrespondenca”.

Më 4 shtator Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, me të cilën parashihen një sërë aktivitetesh të përbashkëta. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani dhe drejtori i Muzeut, Dr. Dorian Koçi.

Më 5 shtator 2018, po ashtu në Tiranë dhe me rastin e dyvjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup dhe Muzeu Historik Kombëtar – Tiranë bënë promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, si dhe e hapën ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve”, të krijuar me materiale nga jeta e katolikëve shqiptarë në Shkup.

Më 24 shtator, me rastin e 90-vjetorit të nisjes për në mision të humanistes shqiptare nga Shkup, Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza, Instituti e organizoi promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko dhe e hapi ekspozitën dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”, që u bë në Qendrën Informative Kulturore në Shkup.

Më 28 shtator Instituti jonë dhe Biblioteka Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup lidhën marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua nga drejtorët Dr. Skënder Asani dhe Dr. Senka Naumovska. Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve në sferën e hulumtimit shkencor, botimeve të përbashkëta, seminareve e konferencave shkencore e ndërkulturore, trajnimeve profesionale etj.

Më 15 tetor 2018 Instituti i Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, në Galerinë Nacionale të Maqedonisë e hapi ekspozitën fotografike kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj me titull “Unë jam shqiptar”.

Më 16 dhe 17 tetor, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Instituti jonë, në bashkëpunim me Komisionin Ndërministror për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë dhe Institutin e Historisë – Tiranë, e organizoi konferencën shkencore ndërkombëtare në Prishtinë me temë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes.”, që u mbajt në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe në Institutin e Historisë ”Ali Hadri” në Prishtinë.

Më 22 tetor në Shkup Instituti e organizoi edicionin e parë të Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë, në të cilin morën pjesë studiues të trojeve shqiptare, si dhe të Bullgarisë, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë.

Më 21 nëntor 2018, me rastin e 11-vjetorit të themelimit të Institutit, që përkonte edhe me 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në hapësirat e Institutit studiuesi David Hosaflook e prezantoi punimin e tij rreth origjinës së panjohur të Himnit të Alfabetit të Shqipes, e pastaj u shpalos pllaka përkujtimore që e freskon kujtesën se në objektin që sot gjendet Instituti dikur ka qenë Ambasada e SHBA-ve në Shkup. Po këtë ditë, në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir u hap konferenca kushtuar 110-vjetorit të alfabetit të shqipes, që i vazhdoi punimet edhe më 22 nëntor në Manastir. Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Në të morën pjesë studiues të ndryshëm të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Më 22 nëntor në Manastir drejtori i Institutit tonë, Dr. Skender Asani, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Institutin e Studimeve Shqiptare dhe Protestante nga Tirana, të përfaqësuar nga Dr. David Hosaflook.

Më 23 nëntor 2018 Institutin e vizitoi drejtori i Arkivit të Shtetit Shqiptar, Dr. Ardit Bido, me bashkëpunëtorë, i cili bashkë me numrin e fundit të revistës “Arkivat shqiptare”, ITSHKSH-së ia dhuroi edhe materialet e ekspozitës arkivore “Një Komb, një ABC”, e cila u hap në Shkup me rastin e Ditës së Alfabetit.

Më 14 dhjetor 2018 drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Shtëpinë Përkujtimore të Nënës Terezë, të përfaqësuar nga drejtori Arian Asllanaj.

Gjatë vitit 2018, u realizuan edhe disa projekte të rëndësishme në partneritet me Ministrinë e Kulturës, si: projekti hulumtues “Trashëgimia kulturore dhe natyrore e rajonit të Kumanovës”, realizuar nga Dr. Naim Halimi dhe Dr. Sevdail Demiri; Valorizimi i “Dasmës kërçovare”, nga Dr. Izaim Murtezani; valorizimi i “Këndimit dyzërësh polifonik në rajonin e Kërçovës”, nga Dr. Ermal Mehmeti, etj

Prej 16 deri më 18 dhjetor 2018 punëtorët e Institutit ishin në vizitë në Stamboll, ku realizuan vizita të rëndësishme dhe patën takime me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Turqi.

Përveç këtyre aktiviteteve shkencore, hulumtuese e promovuese, Instituti ka realizuar edhe takime e vizita të rëndësishme, siç janë përpjekjet për zgjidhjen e problemit të objektit, që është iniciuar përmes takimeve me përfaqësuesit më të lartë politikë në vend, që nga kryeministri, ministrat e Arsimit dhe të Kulturës, por edhe me drejtues të tjerë politikë.

Po ashtu gjatë këtij viti në Institut kanë qenë për vizitë personalitete të larta të shkencës, artit dhe jetës publike, ndërsa Instituti i ka ndarë mirënjohje të veçantë, për ndihmën e ofruar, z. Xhejs Bejli – Ambasador i SHBA-ve në Shkup.

Në këtë vit Instituti është shtuar edhe me 10 punëtorë shkencorë dhe 1 punëtor teknik, duke e ngritur dhe plotësuar kuadrin e nevojshëm shkencor të Institutit.

Gjatë vitit 2018 Instituti ka arritur të nxjerrë në dritë edhe disa botime të rëndësishme shkencore, siç janë botimet periodike:

  1. Revista “Studime albanologjike” – 17;
  2. Revista “Studime albanologjike” – 18;
  3. “SCUPI” 21: Dita e Shën Gjergjit në trevat shqiptare (konferencë shkencore – 07.05.2018, Tetovë);
  4. “SCUPI” 22: Gjuha shqipe në Maqedoni − histori dhe perspektiva (panel shkencor mbajtur më 18.06.2018, Shkup);
  5. “SCUPI” 23: 110 vjet alfabet shqip (Akademi dhe sesion shkencor mbajtur më 22.11.2018 në Manastir).

Ndërkaq veprat shkencore të botuara nga ITSHKSH janë këto:

  1. “Fjalor i mediave” nga Qemal Murati
  2. “Familjet katolike shqiptare në Shkup (dokumente, fotografi dhe dëshmi)” nga Skender Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko;
  3. “Shkupi dhe Kumanova nën pushtimin bullgar (1941-1944) në dritën e dokumenteve shqiptare”, nga Sevdail Demiri dhe Skender Asani;
  4. “Dega shkupjane e Lidhjes së Prizrenit dhe Jashar bej Shkupi (përmbledhje me dokumente)”, nga Skender Asani;
  5. “Konti Bertholt dhe çështja shqiptare” (përmbledhje me dokumente), nga Qerim Lita dhe Skender Asani;
  6. “Shqiptarët në rrjetin diplomatik të Republikës së Maqedonisë (1991-2011)”, nga Sevdail Demiri;
  7. “Myfit Synojmeri (1923-1954, pishtar i arsimit”, nga Nebi Dervishi dhe Mehmet Latifi;
  8. “Shkrime historike”, nga Halim Purellku;
  9. “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë”, nga grup autorësh;
  10. “Skënderbeu në vendet nordike”, nga Xhevat Lloshi dhe Xhon Kuanrud;
  11. “Libër i bardhë” (shqip, maqedonisht, anglisht), nga Gëzim Ostreni;
  12. “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)” (përmbledhje kumtesash);
  13. “Manastiri – vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (shek. XIX – deri në vitin 1912)”, nga Nebi Dervishi;
  14. “Patishka – dëshmi e gjallë gjuhësore e etnokulturore në Karshiakë”, nga Bukurije Mustafa;
  15. “Veshja popullore shqiptare në trevën e Strugës”, nga Rini Useini;
  16. “Jeta ime nën pushtimin nazist” (memoare) nga Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi, dhe
  17. “Trajtesa identitare”, Sefer Tahiri.
  18. “Origjina e panjohur e Himnit të Alfabetit” (broshurë), nga David Hosaflook.

Edhe vetëm si numër ato janë shumë për t’u lexuar, ndërsa mund të merret me mend se sa mund e djersë është derdhur që të gjitha këto vepra të shkruhen, të përgatiten dhe të botohen. Ne jemi të bindur se në Maqedoni nuk gjen një institucion tjetër shkencor a arsimor shqiptar që me kaq devocion e përkushtim e përmbush detyrimin e tij. Madje, edhe nëse nuk do të bëhej asgjë tjetër në Institut, ndonëse ne radhitëm dhjetëra aktivitete, ndoshta do të mjaftonin edhe vetëm këto vepra të botuara që ne të dëshmojmë se ky vit nuk ka shkuar dëm për ne.

Marrë në përgjithësi, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve gati 100% ka përmbushur detyrimin e planifikuar me programin vjetor për viti 2018, ndërsa për ta plotësuar saktë, ka realizuar edhe disa aktivitete të paplanifikuara, që kanë dalë ndërkohë, qofshin konferenca shkencore, botime, promovime ose ekspozita.

Krejt për fund mund të themi se ITSHKSH, tash kur i ka bërë vetëm 11 vjet ekzistencë, me të drejtë mund të mburret se është kujdestari më serioz i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Maqedonisë, është vigjiluesi i marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërreligjioze brendakombëtare dhe përtejkombëtare, kurse emri i tij tashmë është radhitur ndër institucionet më të rëndësishme botërore të mbrojtjes së lirive fetare.

Të gjendur në këtë situatë, edhe me planin e vitit 2019, por jo vetëm, ne synojmë të vazhdojmë ta ruajmë të drejtën që të jemi ndër përfaqësuesit më të respektuar, në kuptimin shkencor e kulturor, të shqiptarëve të Maqedonisë në vend, në rajon dhe në botë.

Instituti vazhdon të mbetet i hapur dhe i angazhuar për çfarëdo forme të bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve shkencore, kulturore, por edhe arsimore.

 

Dr. Zeqirija Ibrahimi,

Sekretar Shkencor i ITSHKSH

Shkup, 24 dhjetor 2018       

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

2018 – Viti i projekteve dhe sukseseve të ITSHKSH-së

Shkup, 24  dhjetor 2018 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve …