Promovohet libri i Ramiz Abdylit, kushtuar Hasan Jakup Ferrit

Prishtinë – 13.12.219, Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të Kosovës, të premten u promovua libri i historianit Ramiz Abdyli: “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe”, botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Rreth rëndësisë së librit folën recensentët Fehari Ramadani e Fitim Rifati.

“Autori hulumtimin e tij e thellon në burime të shumta dhe me një literaturë shumë të pasur. Ai ka shtjelluar në detaje me të imëta tiparet e këtij personaliteti kombëtar. Stili i posaçëm dhe gjuha e pastër që përdor autori rriti vlerën e librit”, tha Ramadani.

Kurse, autori Ramiz Abdyli tha për RTK-në se motiv për të bërë një libër për Hasan Jakup Ferrin, ishte një dokument katërfaqësh që e kishte hasur në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ku flitej midis tjerash për kullën e Hasan Ferrit, që kishte ngritur në Çakorr. “Prandaj iu qasa hulumtimeve në arkiva të ndryshme dhe doli se Hasan Ferri ishte figurë madhore, djali i Jakup Ferrit, që ndër vite, luftoi kundër Malit të Zi, për pushtimin e Plavës dhe Gucisë dhe mori pjesë në lëvizjen çlirimtare anti-osmane, gjatë viteve 1908-1912”, ka thënë Abdyli.

Autori ka propozuar që dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria, t’i shpallin heronj të kombit Hasan dhe Jakup Ferrin, rruga që lidhë Deçanin me Plavën të ketë emrin e njërit nga këto personalitete, ndërsa përmendoret e tyre të ngritën në Plavë.

Sipas përgjegjësit të botimeve të ITSHKSH-së, Sevdail Demiri, monografia biografike shkencore “Hasan Jakup Ferri, një jetë për atdhe”, është pjesë e një e numri të madh librash, revistash e edicionesh të veçanta Institutit, numri i përgjithshëm i të cilave, brenda këtij viti i afrohet 30-shit. Dhe, jo vetëm për nga numri, por edhe për nga vlerat që bartin me vete, këto botime bëjnë pjesë në rrëfimin për sukseset e përbashkëta të Institutit shqiptar të Shkupit, me institutet simotra në Prishtinë dhe në Tiranë.

 

 

Shikoni gjithashtu

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”) …