Promovohet libri i Emin Azemit: “Bllaca, dhimbja e lirisë”

Shkup, 12 prill 2019 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve–Shkup, u promovua libri i autorit Emin Azemi me titull “Bllaca, dhimbja e lirisë”, në kujtim të 20-vjetorit të eksodit kosovar.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se ky libër vjen në kohën e duhur, për të argumentuar një pjesë të rëndësishme të memories tonë kolektive, e cila çdo ditë e më tepër po rrezikon të venitet.

Për librin folën edhe recensentët Resul Shabani dhe Sevdail Demiri, ndërsa fjalë përshëndetëse patën ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi.

Ndërsa, autori Emin Azemi theksoi se libri është i konceptuar si kronikë kujtimesh personale, dhe i kombinuar me kontribute të autorëve të tjerë, që asokohe ishin botuar në gazetën e përditshme të FAKTI. Libri përmban një kronikë të gjatë të ngjarjeve që lidhen me eksodin e para 20 viteve, që filloi qysh nga marsi i 1999-tës. Në shiritin e kujtesës së autorit kanë ngelur shumë detaje, rrëfime, imazhe, e mbi të gjitha shumë fytyra pleqsh të shqetësuar, tronditje grash e fëmijësh të trishtuar, dhe shumë të humbur e të hutuar në labirintin e ferrit të Bllacës, aty ku gjatë ditëve të ftohta të mars/prillit 1999 po vihej në skenë një prej tragjedive më makabre të njerëzimit.

Botimi i Institutit “Bllaca, dhimbja e lirisë”, me autor Emin Azemi, pritet të promovohet edhe në Prishtinë dhe Tiranë.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

FTESË: Në Prishtinë do të promovohen libri dhe elaborati për Bllacën ’99

  Facebook Koment