Promovohet doracaku tregjuhësor i Anton Nikë Berishës kushtuar Nënë Terezës

Shkup, 5.9.2020 – Sot u shënua një datë e rëndësishme e historisë më të re – 5 shtatori, kur në vitin 2016, u kanonizua për shenjtëreshë, shqiptarja shkupjane, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, datë kjo e cila përkon edhe me 23-vjetorin e ikjes së saj në përjetësi. Në shenjë të përkujtimit të kësaj date, Departamenti për hulumtimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë ITSHKSH-Shkup, promovoi doracakun në tre gjuhët shqip / maqedonisht / anglisht të autorit Anton Nikë Berisha, me titull: Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit“.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se “Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, lënda me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë dhe si shkupjanë është pikërisht emri Shën Tereza”.

Kryetari i shoqatës qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza, Dimçe Petrushevski, u shpreh se “Përmes saj afirmohemi të gjithë ne si një shoqëri, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare. Ne jemi krenar që e kemi bashkëqytetaren tonë si përfaqësuese në botë dhe me të identifikohemi”.

Aktivitetin e përshëndeti zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV, njëkohësisht ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi. “Ky thellim në këtë hulumtim shkencorë nuk ka se si të bëhet më hyjnorë dhe më i drejtë se sa nëpërmjet kontributit tonë për jetën dhe veprën e të shenjtës Nënë Tereza. Do kishte thënë Niçe, që kombet nuk vlerësohen aq shumë për nga numri i njerëzve të mëdhenj që kanë, por nga mënyra se si sillen dhe si i trajtojnë ato njerëz që i kanë në gjirin e kombit”, u shpreh Grubi.

Rreth doracakut tregjuhësor foli redaktori Emin Azemi, sipas të cilit autori ka dashur të na përgatitë për një lexim kreativ të tekstit duke i dhënë profil, profilit jetësor e shpirtëror të Nënë Terezës.

Përgjegjësi i botimeve të Institutit, Sevdail Demiri, tha se ky doracak përbën edhe një lloj letërnjoftimi të Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut, i cili pa dyshim se në të ardhmen do të begatohet edhe me hulumtime dhe studime tjera të thella që kanë të bëjnë me trashëgiminë e pasur shpirtërore e kulturore të Gonxhes dhe familjes katolike Bojaxhiu në Shkup

Ndërsa, autori i doracakut në gjuhët shqip / maqedonisht / anglisht, me titull: Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit“, Anton Nikë Berisha, kishte ardhur nga Prishtina enkas për këtë promovim. “Puna e parë është se për herë të parë flitet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe mbi tekstet që i ka lënë Nëna Terezë. Janë tekste nga të cilat në bazë të analizës dalin të gjitha mendimet që janë brenda. E dyta, këtu janë shfrytëzuar librat më të rëndësishëm që kanë qenë në gjuhën italianë dhe gjuhët që di unë e që janë shkruar për Nënë Terezën”, u shpreh Berisha.

Ky manifestim kishte edhe një dimension tjetër. Meqë jemi në vigjilje të 11 Shtatorit, njëkohësisht u përkujtuan edhe viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në shenjë të miqësisë së përhershme shqiptare-amerikane, Instituti çdo vit është kujdesur që të kultivojë këtë partneritet të përbashkët, edhe përmes aktiviteteve kulturore – shkencore në Shkup, Prishtinë, Tiranë, Nju Jork dhe Uashington.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Dr. Asani, pjesëmarrës në takimin vjetor botëror të programit MERRI

Shkup, 17.09.2020 –  Për tri ditë me radhë (15,16,17 shtator), me ftesë të Departamentit të …