Përmbledhje e konferencës Ballkanologjia – 3 –

Sot, më 23 tetor 2020, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, u realizua me sukses edicioni i tretë i konferencës ndërkombëtare të ballkanologjisë me temën bosht “ Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës”.
Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Corona-19, sivjet konferenca punimet e veta i zhvilloi në kushte të jashtëzakonshme, me prani të kufizuar fizike të pjesëmarrësve, ndërsa një pjesë e tyre punimet i prezantoi online.
Pas fjalës hyrëse, të mbajtur nga organizuesi i konferencës, Sefer Tahiri, konferencën e hapi drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili vuri re se studimet ballkanologjike janë të rëndësishme për komunikimin e ndërsjellë mes komuniteteve të ndryshme të kësaj gjeografie. Ai e theksoi edhe angazhimin e veçantë që e bën ISHKSH për këtë orvatje shkencore, duke e organizuar tashmë edicionin e tretë të
kësaj konference, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit me kumtesa, si dhe të gjithë që e kanë mbështetur deri tash organizimin e mbarëvajtjen e saj.
Konferencën e përshëndeti edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani, i cili përgëzoi organizimin e konferencës dhe i uroi asaj punë të mbarë. Ndonëse konferenca
është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, në hapje të saj nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues i kësaj ministrie, edhe pse kanë pasur ftesë të dërguar qysh më
herët.
Pas një pauze, konferenca e vazhdoi seancën e parë të saj me prezantimin e punimeve shkencore të studiuesve e pjesëmarrësve në të.
Drejtues të seancës së parë ishin Izaim Murtezani dhe Sevdail Demiri.
Pasi bëri një hyrje për rëndësinë e kësaj konference dhe të studimeve ballkanike, drejtuesi i seancës,
Prof. Izaim Murtezani, ia dha fjalën kumtuesit të parë, Anton Nikë Berisha, i cili referoi në temën “Maksimilian Lamberci (Maximilian Lambertz-i) për epikën gojore të Siujdhesës Ballkanike”. Sipas tij, Lamberci është ndër personalitetet më të rëndësishme për mbledhjen e epikës gojore në Ballkan,
veçmas për epikën gojore shqiptare, duke dhënë dëshmi të rëndësishme për praninë e epikës kreshnike
te shqiptarët.
Profesori Petar Atanasov referoi në temën “Nacionalizmi ballkanik versus interkulturalizmit maqedonas”, i cili tha se në Maqedoninë e Veriut akoma është i fuqishëm nacionalizmi dhe se
multikulturalizmi megjithatë mbetet pronë e elitave intelektuale, politike e kulturore, andaj pjesët e tjera të shoqërisë, edhe për shkak të varfërisë sociale dhe kulturore, vazhdojnë të mbeten në nacionalizmin e tyre.
Rizvan Sulejmani u prezantua me kumtesën “’Ballkani historik” v.s ‘Ballkani globalist’ – (Identiteti
shqiptar si model kameleoni)”, i cili bëri një elaborim të nocioneve ’Ballkani historik” dhe ‘Ballkani globalist’, duke u përpjekur të nxjerrë konkludimin se, në këtë kontekst, identiteti shqiptar ka dalë si identitet që ai e quan “identitet kameleoni”, në kuptimin se është një identitet që është krijuar duke u
përshtatur me rrethanat.
Prof. Bahri Beci e mbajti kumtesën “Rreth shkaqeve të formimit të bashkësisë gjuhësore ballkanike
dhe rolit të shqipes në këtë proces” dhe bëri një elaborim se cilat janë konstatimet e studiuesve në të
kaluarën për arsyet e formimit të kësaj bashkësie gjuhësore, duke e theksuar veçanërisht rëndësinë që
ka pasur gjuha shqipe për krijimin e kësaj bashkësie gjuhësore.
Zeqirija Ibrahimi referoi në temën “Transformimet identitare në Ballkan – nga historia në perspektivë”, duke dhënë shembuj se si gjatë periudhave të ndryshme historike kanë ndryshuar edhe identitetet.
Sevdail Demiri referoi në temën “Ballkanasit, si përvetësues të përkushtuar të vlerave të përbashkëta
kulturore”, dhe vuri re se vlerat e përbashkëta kulturore në Ballkan janë elemente që janë gërshetuar mes popujve të ndryshëm ballkanikë, dhe se për to shpeshherë zhvillohen edhe ‘beteja’ juridike e institucionale nëpër instanca ndërkombëtare.
I fundit në sesionin e pare ishte Isamedin Azizi, i cili u paraqit me temën “Mitizimi i historisë në shërbim të ngritjes së nacionalizmit në Ballkan”. Fokusi i kësaj kumtese ishte në problemin e mitizimit të historisë, që pastaj është përdorur nga opinioni publik për ta ngritur dhe për ta fuqizuar nacionalizmin në Ballkan. Si dy ekzemplarë të këtij mitizimi ai i kishte marrë betejën e Kosovës nga serbët dhe figurën e Skënderbeut nga shqiptarët.
Seanca e dytë vazhdoi në orën 13.00 dhe drejtues të kësaj seance ishin Fehari Ramadani dhe Isamedin Azizi. Në këtë sesion u prezantuan këto kumtesa:
I pari në këtë seancë ishte Salajdin Salihu, i cili kumtoi në temën “Stereotipat mbi Ballkanin dhe
dekonstruktimi i tyre”, duke iu referuar autoreve që merren me rekonstruksionin e stereotipave për
Ballkanin, si Edit Durham, Marija Todorova dhe Mark Mazover.
Prof. Ibrahim Gashi nga Prishtina e mbajti kumtesën “Konteksti historik dhe aktual i marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri dhe ideja e Mini-shengenit ballkanik”, në të cilën foli për integrimin
brendashqiptar në raport me idenë e mini-shengenit ballkanik.
Prezantimin e kumtesës së autorit François Lafond nga Franca e lexoi studiuesi Ardian Ramadani.
Tema e tij ishte “Ideja e Mini-shengenit ballkanik: realitet apo koncept i pamundur”. Kjo temë bënte një analize të idesë për mini-shengenin si mundësi për bashkëpunim ndërmjet shteteve dhe kombeve në Ballkan.
Kumtesa e Fehari Ramadanit dhe Behare Kasamit me titull “Formimi i komb – shteteve në Ballkan dhe përpjekjet për zhdukjen e tjetrit” ishte një qasje e zgjeruar dhe e thellë për temën e formimit të shteteve kombëtare, duke vënë theks të veçantë në ndërtimin e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar.
Kumtesën e studiuesit Georgi N. Georgiev me titull “Popullata bullgare në Principatën e Shqipërisë (1913-1914)” e lexoi prof. Anton Pançevi. Në të u prezantuan të dhëna të reja për pozitën e popullatës bullgare gjatë kohës së Princ Vidit, më 1913-1914 dhe u elaboruan marrëdhëniet shqiptaro-bullgare
gjatë kësaj periudhe.
Kumtesa e studiuesve Minir Ademi dhe Avni Avdiu me titull “Ballkani – nga retrospektiva e mjegullt drejt perspektivës më të qartë” ishte një prurje e rëndësishme që, duke e ndriçuar Ballkanin në retrospektivë, ofroi mundësi për një perspektivë më të qartë zhvillimore.
Igor Jurukov referoi në temën “Kurikulumi i hapur dhe multiperspektiva – sfidat dhe e ardhmja e mësimit të historisë”, në të cilën hapi perspektiva të reja për mënyrën e mësimit të historisë në shkollë.
Studiuesi Ardian Ramadani u prezantua me temën “Evropianizimi ose ballkanizimi i mëtejshëm i
Ballkanit nën prizmin e metodologjisë franceze të zgjerimit”, ku foli për mundësitë e integrimit të
Ballkanit në Europë, duke e marrë për bazë metodologjinë franceze për këtë integrim.
Maja Angellovska – Panova e lexoi kumtesën “Mjediset shpirtërore dhe vendet e shenjta në kontekst
të ndërveprimit brenda-religjioz: Paradigma: krishterimi – islami në Maqedoni”, në të cilën foli për
interaksionin ndërmjet komuniteteve religjioze në Maqedonin si mundësi bashkëpunimi dhe komunikimi, duke sjellë shembuj të objekteve fetare që u shërbejnë të dyja komuniteteve religjioze.
Isamet Bakiu u prezantua me kumtesën “Shtetformësia mes unitarizmit dhe kon-socializmit”. Ai referoi për sistemet e ndryshme qeverisëse, duke bërë krahasime mes tyre.
Studiuesja Nevrije B. Ismaili me “Balada e murimit te popujt e Ballkanit” foli për ritin e murimit, që gjendet te popujt e ndryshëm të Ballkanit.
Sali Islami në kumtesën “Kultura materiale në pellgun e Shkupit” vuri në pah vlerën arkeologjike që ka qyteti i Shkupit dhe rrethina e tij, që nga lashtësia e deri në fazat më të reja.
Me këtë kumtesë u mbyll edhe seanca e dytë dhe, pa dhënë pauzë tjetër, vazhdoi seanca e tretë.
Në këtë seancë u lexuan këto kumtesa:
Avzi Mustafa referoi në temën “Ibrahim Themo, një zë mbrojtës i popujve të Ballkanit”, në të cilën foli për rolin e Ibrahim Temos në mbrojtjen e të drejtave të popujve të Ballkanit.
Metin Izeti mbajti kumtesën “Marrëdhëniet e teqeve me shoqëritë ballkanike në periudhën osmane”,
në të cilën e elaboroi rolin administrativ, religjioz dhe intelektual të institucionit të teqesë në shoqëritë ballkanike, duke u ndalë veçanërisht në këto relacione te shoqëria shqiptare.
Studiuesi bullgar Anton Pançev e mbajti kumtesën “Relacionet ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë midis luftërave botërore dhe çështja e pakicave”, në të cilën – përmes fakteve dokumentare – i ilustroi marrëdhëniet e mira që kanë ekzistuar ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë së kohës.
Besnik Emini me kumtesën Shqiptarët në disa nga historitë e Ballkanit të autorëve perëndimorë” flet për trajtimin që e kanë shqiptarët nga disa autorë perëndimorë, për mënyrën paraqitjes së tyre dhe për mënyrën e perceptimit të lëvizjes kombëtare shqiptare nga ata, gjithnjë duke i pasur para sysh veprat e
tyre.
Seanca e tretë u mbyll me kumtesën e Laura Papraniku-Bejtullaut, e cila me temën “Gjuha dhe shkolla – nga mundësia për arsimim deri te diskriminimi i ‘pakicës’ nga ‘shumica’” e mori në shqyrtim rolin që e ka gjuha dhe arsimi në relacionet që krijohen në shtete multietnike, siç është edeh
Maqedonia e Veriut.
Meqë nuk kishte diskutime, konferenca u shpall e mbyllur.
Marrë në përgjithësi, edicioni i tretë i konferencës ballkanologjike me temë “Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës” i zhvilloi punimet me sukses. Në të u lexuan 24 kumtesa, ndër të cilat disa ishin edhe me lidhje online. Kumtuesit që nuk arritën të marrin pjesë në konferencë i kanë dërguar ose
do t’i dërgojnë punimet e tyre.
Konstatimi i përgjithshëm i kumtuesve ishte se Ballkani duhet të çlirohet më nga prangat e mitit dhe t’i kthehet realitetit, duke u ofruar popujve të kësaj gjeografie evropiane perspektivë dhe mundësi
bashkëpunimi e ndërtimi të një ardhmeje më të mirë.
Në kumtesat e lexuara u përvijua qëndrimi se edhe kjo konferencë është një kontribut në hapjen e kësaj perspektive, duke qenë se mund të jetë ndër aktivitetet e pakta të këtij lloji që tubon studiues të vendit dhe të huaj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, që të diskutojnë bashkërisht në temën e
perspektivës ballkanike. Zaten, bota akademike është ajo që duhet të paraprijë në ndërgjegjësimin e
elitave politike dhe strukturave të tjera shoqërore për këtë nevojë të zhvillimit dhe prosperitetit të Ballkanit.
Duke iu falënderuar të gjithë pjesëmarrësve për kumtesat me interes, urojmë që kështu të takohemi edhe në edicionin e ardhshëm, me shpresë se atëherë do të hiqen edhe kufizimet e këtij viti nga pandemia.
Ju faleminderit!
Zeqirija Ibrahimi
Ardian Ramadani
Shkup, 23 tetor 2020
Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH DO TË JETË PËR MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E SHOQËROR / MK-EN

ITSHKSH DO TË JETË PËR  MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E …