Nju Jork, Skënderbeu dhe Qiriazët në fokusin e botimeve të reja

Aktivitetet e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, vazhduan me promovimin e librave të botuara në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante në Shqipëri dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqiptarëve në Amerikën e Veriut.

Kështu, në Kishën Protestante Rumune “Maranatha”, në kuadër të cilës funksionin edhe Kisha Protestante Shqiptare “Rruga e shpresës”, u bë promovimi i pesë titujve të botuar në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Shqiptare dhe Protestante me seli në Tiranë.

Bëhet fjalë për librat “Skënderbeu në vendet nordike” nga autorët Xhevat Lloshi e Xhon Kuanrud,  “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”, “Jeta ime” – Sevasti Qiriazi-Dako, “Gjerasimi – predikues, iluminist, rilindës” –Xhon Kuanrud, dhe “Pengu i kaçakëve” nga Gjerasim Qiriazi.

Drejtori i Institutit Skender Asani, tha se bashkëpunimi mes dy instituteve ka bërë që sot të kemi para nesh këto tituj shumë domethënës për shkencën dhe kulturën shqiptare. Ato do të jenë në funksion të sforcimit të identitetit shqiptar, atje ku e kishin lënë familja Qiriazi, nga e cila kemi shkollën e parë shqipe, Kongresin e Manastirit dhe aleancën me SHBA-në.

Kurse, drejtori i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante, David Hosafllok, theksoi rëndësinë e këtyre veprave në mesin e literaturës shqiptare, të cilat burimin e frymëzimit e kanë pikërisht te figura kombëtare shqiptare e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Edhe përfaqësuesi tjetër i ITSHKSH-së, Sevdail Demiri, foli për këto botime, të cilat sipas tij, e plotësojnë mozaikun e formësimit të identitetit shqiptar, përmes kontributit madhor të Qiriazëve të Manastirit.

Pastori i Kishës Protestante Shqiptare, Beni Pango, theksoi që diversiteti fetar në mesin e shqiptarëve duhet parë si një përparësi dhe mundësi më tepër për bashkim dhe përparim mes nesh.

Të martën aktivitetet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Qendrën Islame Shqiptare në Nju Jork dhe Nju Xhersi, me promovimin e disa titujve shkencor të Institutit. Dhe të shtunën, aktivitetet përmbyllen në Federatën Panshqiptare “Vatra”. Të gjitha këto ngjarje kulturore në SHBA, zhvillohen në shenjë të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH do të promovojë librin “LEGJISLACIONI BAZIK MBI ANTISEMITIZMIN I MBRETËRISË BULLGARE”

Me 10 mars 2020 (e martë), prej ora 13:00, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e …