Nisi projekti “Instituti dhuron libra!”

 

Shkup, 22.01.2020 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup nisi realizimin e projektit “Instituti dhuron libra”, që do të realizohet gjatë tërë vitit, ndërsa është pjesë e vizionit të Institutit për afrim me komunitetin e lexuesve. Në kuadër të këtij projekti ITSHKSH do të shpërndajë veprat e botuara shkencore nëpër biblioteka, universitete dhe shkolla të mesme në qytetet e ndryshme të Maqedonisë së Veriut, kjo si kontribut për zhvillimin e kulturës së leximit të librit. Aktiviteti i parë i ITSHKSH-së, në kuadër të projekti, ishte dhurimi i veprave shkencore dhe botimeve periodike të Institutit për bibliotekën e Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup. Ekipi i ITSHKSH-së, në përbërje Skender Asani – drejtor, Sefer Tahiri – sekretar shkencor, Sevdail Demiri – përgjegjës i veprimtarisë botuese dhe punonjësit shkencorë: Zeqirija Ibrahimi, Isamedin Azizi dhe Isamet Bakiu, zhvilluan bashkëbisedim me nxënësit e gjimnazit lidhur me rëndësinë e librit dhe punën e ITSHKSH-së. Drejtori Asani dhe përfaqësuesit tjerë të ITSHKSH-së u shprehën të gatshëm për bashkëpunim me gjimnazin, ndërsa drejtoria e “Zef Lush Markut” njoftoi se së shpejti do të organizojë një vizitë të nxënësve të kësaj shkolle në ITSHKSH për t’u njohur nga afër me punën, veprimtarinë hulumtuese-shkencore e strukturën organizative të ITSHKSH-së. Projekti “Instituti dhuron libra” do të vazhdojë më 3 shkurt në gjimnazin e Sarajit dhe më pas në të gjitha qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH do të promovojë librin “LEGJISLACIONI BAZIK MBI ANTISEMITIZMIN I MBRETËRISË BULLGARE”

Me 10 mars 2020 (e martë), prej ora 13:00, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e …