NA PRET NJË UDHËTIM I GJATË SHKENCOR NGA GONXHE BOJAXHIU TEK NËNË TEREZA

Fjalimi i drejtorit të ITSHKSH-Shkup, Dr. Skender Asani,
me rastin e hapjes zyrtare të Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë:

-Në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, këtu në Shkupin tonë të lashtë, po e hapim Departamentin për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, po e hedh edhe një hap të rëndësishëm në thellimin e veprimtarisë shkencore, duke e vendosur figurën e Nënës Tereze në qendër të kësaj veprimtarie.

Për Nënën Tereze janë shkruar libra, janë bërë filma dhe janë zhvilluar mijëra veprimtari që lartësojnë figurën e saj, mirëpo kjo që po bëjmë ne sot mund të konsiderohet ndërmarrja më kuptimplote, jo pse për herë të parë në botë po themelohet një department që merret ekskluzivisht me emrin dhe veprën e saj, por edhe për faktin se tash e tutje studimi dhe hulumtimi i rinisë, i përkatësisë fetare dhe familjare si dhe impakti në botë i kësaj figure kolosale do të bëhet me një përkushtim të vaçant shkencor nga ana e një institucioni, siç është ITSHKSH, që si pikë referimi ka vlerat e civilizimit Perendimor dhe bashkëjetesën me kulturat dhe traditat tjera.
Rëndësia që ka Nënë Tereza në përhapjen e vlerave sublime humane e shpirtërore, ka qenë frymëzim I pashtershëm për miliona njerëz, sidomos për ata që kanë pasur nevojë për ngrohtësinë e dorës së zgjatur që gjendet kur të tjerët të harrojnë.
Nënë Tereza mbetet simbol shembullor i dorës që mbeti vazhdimishte e zgjatur drejt kauzave që ajo i ndërtoi jo duke vendosur me çdo kusht vetveten në qendër të vëmedjes, por duke e orientuar vëmendjen e krejt botës nga skutat më të padukshme të vuajtjeve njerëzore.
Departamentin për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figures së Nënës Tereze, që po e promopvojmë sot, ka si pikësynim pikërisht zbërthimin e komleksitetit të kësaj figure, duke i ofruar mbarë shoqërisë modelin e mire të trajtimit të gjithë atyre që janë në anën e drejt të kauzave humane globale.
Rruga që lidh Gonxhe Bojaxhiun me Nënë Terezen kalon nëpër kalldërmet e Shkupit, por edhe nëpër kvartet plot vuajtje të Kalkutës, kurse e përbashkëta e kësaj rruge është dimensioni hyjnor i një përkushtimi që vlera e njeriut tejkalon dimensionin e përkatësisë kombëtare e fetare. Nënë Tereza ishte shqiptare, por modeli i kauzave shpirtëore që ajo përhapi në botë na mësoi të tejkalojmë muret e egove tona nacionale, fetare e racore.

Ndjehem tepër krenar që i takoj një gjenerate që po zhvillohet në frymën e mësimeve dhe prorosive të Nënë Terezës, kurse si drejtues i këtij institucioni tash e tutje po e shumëzoj përgjegjësinë time me një obligim edhe më të madh që bota shkencore do ta ketë pikë referimi Departamentin tonë për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figures së Nënës Tereze, me të gjitha resurset e nevojshme shkencore e njerëzore.

Do të jemi bashkëpunues me të gjitha ato qendra hulumtuese, arkiva e muze dhe me të gjithë ata punonjës shkencor që në foksin e tyre studimor do ta kenë emrin dhe veprën e lavdishme të Nënë Terezës, duke i dhënë kështu një shtytje edhe më të madhe objetktivit madhor për të cilin edhe do të ekzistojmë tash e në të ardhmen.

Shkup, 07.02.2020

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase

——————————————————————————————— Drejtuar: Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Qeverisë së Republikës së …