Kujtojmë dhe nderojmë flamurtarët dhe dëshmorët e kombit

Referat i drejtorit të ITSHKSH-së, prof.dr.Skender Asani, në Akademinë solemne kushtuar Ditës së Flamurit Kombëtar:

28 Nëntori është data më madhështore në gjithë historinë e kombit shqiptar. Me këtë datë, që për simbol ka flamurin kuqezi dhe luftën për liri, lidhen ngjarje që na kanë përcjellë pareshtur në qindravjeçarë.
Prandaj, edhe në këtë përvjetorë, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e prijësve tanë nëpër histori, që na kanë bërë sot të ndihemi krenar dhe me një identitet të pacenueshëm kombëtar.
Sot kujtojmë 28 nëntorin e vitit 1443, dhe nderojmë heroin tonë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili u rikthye në atdhe, dhe guximshëm e ngriti Flamurin Kombëtar. Ky flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kullat e kalatë arbërore për 25 vjet me radhë, duke u bërë simbol i rezistencës kundër pushtuesve të huaj.
Sot kujtojmë 28 nëntorin e vitit 1912, dhe nderojmë burrin e mençur të Vlorës, Ismail bej Qemalin, i cili e ngriti Flamurin e pavarësisë në Vlorë dhe e shpalli Shqipërinë shtet të lirë dhe të pavarur. Rrethanat historike ishin të atilla, që nuk mundësuan që shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm kombëtar, meqë fuqitë e huaja na copëtuan në disa shtete.
Megjithatë, sot kujtojmë dhe nderojmë edhe ideologun e strategun kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, njeriun që punoi pa u ndalur për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë – kujtojmë Hasan Prishtinën, i cili Shkupin e shihte si strumbullarin qenësor të çështjes sonë kombëtare. Kujtojmë dhe nderojmë Isa Boletinin, Idriz Seferin, Mehmet Derallën, Shefqet Shkupin, e shumë burra trima, që luftuan deri në vetëmohim, për ruajtjen e nderit të kombit dhe pragut të shtëpisë.
Sot kujtojmë dhe nderojmë mendjet e ndritura të NDSH-së, Gjon Sereçin me shokë, të cilët me sakrificën dhe vetëmohimin e tyre, i dëshmuan historisë se sa e shtrenjtë është liria.
Sot kujtojmë demonstratat e fuqishme të vitit 1968, anembanë trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi, kur trokiti ndërgjegjja kombëtare në trojet e mbetura jashtë trungut amë.
Sot kujtojmë 28 nëntorin e vitit 1955, kur në Drenicë lindi kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, por kujtojmë edhe 28 nëntorin e vitit 1997-të, kur për herë të parë doli në skenë publikisht kjo ushtri, e cila luftoi deri në largimin definitiv të pushtuesve serbë nga Kosova.
Me këtë flamur luftuan edhe trimat e UÇK-së në vitin 2001, dhe bënë ndryshime rrënjësore të statusit politiko-shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni.

Të nderuar të pranishëm,
Festa e Flamurit Kombëtar, le të na shërbejë si një moment kujtimi e nderimi për të gjithë shërbestarët e shqiptarisë; le të na shërbejë si një moment kujtimi e nderimi për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit, ata të cilët u bënë dritë në rrugën e projektimit të së ardhmes sonë më të ndritshme. Kjo festë le të na shërbejë si një moment kthese dhe reflektimi për atë se sa kemi bërë, dhe çka duhet të bëjmë më tutje, që shpirti i tyre të ndihet i qetë në botën e amshueshme.

Rroftë përjetë të jetëve Flamuri ynë kombëtar!
Lavdi dhe përkulje veprës dhe sakrificës së dëshmorëve të kombit!
Ju faleminderit!

Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së
Më 28.11.2018, Shkup

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Republika e Kosovës është fqinj verior i Republikës së Maqedonisë së Veriut!

(në vend të reagimit) Këto ditë doli nga shtypi “Atlasi gjuhësor i dialekteve maqedonase” (Лингвистички …