Kongresi i Manastirit, ngjarje e shenjtë për popullin shqiptar

Më lejoni së pari t’ju falënderoj që sot jeni në Institutin tonë. Nuk do të jem i sinqertë nëse nuk e pranoj se miqtë e vërtetë të Institutit janë ata që më 21 dhe 22 nëntor janë tek ne. Sepse, sa herë që vjen kjo datë, përveç që e shënojmë festën e alfabetit të shqipes, që nuk është vetëm një kremte linguistike, por është një festë historike kombëtare, kjo datë është edhe një moment që e përkujton themelimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Dhe, kjo për neve nuk është pak. Sepse, kjo është një ditë kur ne mblidhemi për të bërë evaluimin e vitit tonë të punës shkencore, për të bërë bilancet dhe për ta parë veten se si ka qenë rruga jonë gjatë vitit. Dhe, kur t’ju them se këtë vit po e përmbyllim me gjithsej 36 botime, aq sa ka shkronja edhe alfabeti i shqipes sonër, që kur pjesëtohet, i bie në çdo 10 ditë nga libër, me disa konferenca shkencore, me një varg vizitash, ekspozitash e aktivitetesh, do më ndjeni që të mos jem patetik nëse them se në këtë mënyrë edhe jeta e Institutit tonë është bërë pjesë e jetës së festave shqiptare të nëntorit. Prandaj, ju faleminderit nga zemra që sot jeni këtu.
Me këtë rast i falënderoj edhe kolegët e mi, sepse falë entuziazmit dhe punës së tyre të palodhshme dhe vetëmohuese sot kemi mundësi të bëjmë një pushim kremtimi ose, shprehur në mënyrë amerikane, ky është për ne një “Thanksgiving day”, pra një “Ditë falënderimi”.

Të dashur të pranishëm,

Gjëja e dytë që dua ta them është se këtë vit kemi dy momente të veçanta që e kanë madhështuar këtë festë. E para është një risi dhe një moment i panjohur për opinionin shqiptar, ndërsa e dyta ka të bëjë me shpalosjes e pllakës përkujtimore që e shënon një histori të këtij objekti dhe që flet për marrëdhënien tonë me objektet.
Sa i takon pikës së parë, unë kam kënaqësi që sot ta prezantoj një zbulim të mikut tonë, prof. David Haseflook, që sjell një risi për himnin e alfabetit, melodia e të cilit është përdorur nga studentët e kolegjit Jale në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Parashqevia jonë, si duket, këtë këngë dhe melodinë e saj i kishte mësuar në kolegjin protestant të Stambollit dhe më 1909 atë e kishte përshtatur me një tekst shqip, që do të ishte himni i alfabetit të shqipes dhe do të bëhej aq popullor ndër gjithë shqiptarët. Përkimi i këtij himni me një këngë nga Shtetet e bashkuara të Amerikës për neve nuk është një rastësi e parëndësishme, sepse bëhet fjalë për një shtet, i cili drejtpërdrejt ka asistuar në shpëtimin e jetës së kombit tonë dhe është garantues i paqes në botë. Por, për këtë më shumë do të flasë profesori Hosaflook. Andaj unë do të mjaftohem me kaq.
Megjithatë, kur jemi këtu, meqë ne jemi të vendosur në një objekt që për vite të tëra ka qenë seli e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, dëshirojmë t’ju themi se ky për shqiptarët nuk është një objekt dosido, por ai është një monument që shënon dhe shënjon një histori, një kujtesë dhe që flet edhe me muret dhe kthinat e veta. Në këtë objekt kanë ardhur zyrtarët më të lartë amerikanë në kapërcyell te shekujve, këtu ka punuar miku i shqiptarëve dhe zgjidhësi i konfliktit të Kosovës, Ambasadori Hill, Ambasadori Riker e shumë të tjerë. Prandaj, ne konsiderojmë se ky objekt sot më ka peshë dhe rëndësi historike dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që me rastin e festës së alfabetit dhe përvjetorit të Institutit ta vendosim një pllakë që do të jetë shenja mbrojtëse e asaj kujtese dhe ura që do ta lidhë të kaluarën dhe të tashmen tonë. Puna jonë në këtë objekt, në një mënyrë, është për shkak të shtytjes që e krijon ky mjedis i punës, sepse marrëdhënia jonë me objektin tonë nuk është vetëm fizike. Ajo i tejkalon këto dimensione dhe krijon një frymë të punës, të përkushtimit dhe të devocionit ndaj misionit që e kemi marrë mbi vete.
Prandaj, po e përfundoj fjalën time duke ju falënderuar të gjithëve për mbështetjen që i jepni Institutit, duke jua uruar festën e madhe të Alfabetit dhe duke uruar që gjithmonë të takohemi për festa dhe suksese.

Ju faleminderit!

Shkup, 21.11.2018 ​​​​​​Skender Asani, drejtor

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Drejtori Asani nderohet me Flamurin e Kosovës

Shkup, 16.09.2020 – Sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ambasadori Gjergj Deaj …